Zgjedhjet/ PS-PD, “të dashuruara” pas votës së emigrantëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Seanca e djeshme parlamentare është zhvilluar me debate të ashpra mes socialistëve dhe demokratëve për votën e Diasporës. Berisha tha se Rama e kërcënoi në 2013 për të mos e kaluar ligjin, ndërsa mazhoranca e akuzon opozitën për hipokrizi. Kreu i PD-së propozoi që të drejtën e votës ta kenë edhe emigrantët që janë të pajisur me dokumenta të shteteve të tjera, pavarësisht se nuk disponojnë pasaporta apo karta biometrike shqiptare.

 Çështja e votës së emigrantëve vazhdon të shkaktojë debate të ashpra në parlament, duke përplasur mazhorancën dhe opozitën. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se në vitin 2013, kur ishte lider i opozitës, e kishte kërcënuar se Partia Socialiste nuk do të merrte pjesë në zgjedhje nëse ligji për votën e emigrantëve do të miratohej nga parlamenti. Komentet Berisha i bëri nga foltorja e Kuvendit, ku theksoi se ky ishte shkaku kryesor pse mazhoranca e PD-së në atë kohë nuk arriti ta kalonte këtë ligj. “Kur unë solla ligjin në vitin 2013 për votën e emigrantëve, Edi Rama më kërcënoi në mënyrë të vendosur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje nëse ti e vendos këtë ligjin. Dhe këtu janë personat nga ajo kohë, dhe nuk e kaluam”, deklaroi ai. Sipas Berishës, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që detyron palët të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje, është një zhvillim i ri që nuk mund të neglizhohet. Ai e cilësoi të papranueshme që shtetasve shqiptarë t’u mohohet e drejta për të votuar vetëm pse nuk kanë pasaportë apo letërnjoftim shqiptar. “Nuk ka gjë më absurde sesa t’i vësh në diskutim shtetësinë shqiptare një shqiptari, sepse sipas jush, nuk disponon pasaportë apo letërnjoftim shqiptar. Nuk ka asnjë përcaktim kushtetues për këtë. Shtetësia shqiptare garantohet me Kushtetutë dhe nuk mund të hiqet”, u shpreh Berisha. Ai i bëri thirrje mazhorancës që të lejojë emigrantët të votojnë me çdo dokument biometrik që disponojnë, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të kufizojë pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje për arsye politike. “Në qoftë se nuk keni frikë dhe tmerr nga vota e shqiptarëve, lejojini të votojnë me çdo dokument biometrik që kanë. BE-ja e pranon letërnjoftimin tonë, kurse Shqipëria nuk njeh letërnjoftimet dhe pasaportat e lëshuara nga vendet anëtare të BE-së. A e kuptoni në çfarë primitivizmi zbrisni?”, deklaroi ai.

Reagimet në seancë

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e akuzoi opozitën se nuk ka qenë asnjëherë e interesuar për të garantuar të drejtën e votës për shqiptarët jashtë vendit. Ai e cilësoi hipokrizi faktin që PD kërkon këtë të drejtë tani, kur ka qenë vetë në pushtet për vite dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze për ta realizuar. “Ju nuk e keni dashur kurrë votën e diasporës. Lërini sofizmat juridike. Po, kemi rënë dakord që kush disponon një dokument shqiptar të skaduar mund të votojë. Të kesh dokumente shqiptare është respekt për shtetin tënd”, tha Manja. Ndërkohë, deputeti demokrat Flamur Noka e akuzoi qeverinë se po pengon me qëllim emigrantët të votojnë, sepse ka frikë nga ndikimi i tyre në rezultatin zgjedhor. “Ne i kërkojmë Europës të njohin patentat e shqiptarëve, ndërsa ju i mohoni këto dokumente. Ju jeni të tmerruar nga vota e diasporës”, u shpreh Noka. Ai ngriti shqetësimin për ata që nuk kanë dokumente në emrin e tyre, si të rinjtë që banojnë me prindërit apo të afërmit e tyre. “Jashtë shtetit voton kryefamiljari që ka kontratë, po nipërit dhe mbesat e mia që nuk kanë asnjë dokument kontrate, sepse është në emër të kryefamiljarit?”, pyeti ai. Diskutimi për votën e diasporës solli një tjetër debat mes kreut të grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, dhe deputetit demokrat Oerd Bylykbashi. Ky i fundit argumentoi se çdo person i lindur nga prindër shqiptarë e fiton automatikisht shtetësinë dhe për këtë arsye nuk duhet t’u mohohet e drejta për të votuar. Ai tha se rreth 150 mijë shqiptarë në diasporë preken nga ky problem dhe kërkoi që të lejohen të votojnë. “Kushdo që lind edhe me një prind shqiptar e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Ne kemi të drejtën e shtetësisë nga gjaku. Në momentin që lind nga një prind, pavarësisht nëse ke kartonin e qeverisë apo jo, je shtetas shqiptar. Po i mohohet e drejta për të votuar të paktën 150 mijë shqiptarëve në diasporë”, tha ai. Peleshi e kundërshtoi këtë pretendim, duke theksuar se numri i votuesve të prekur nga ky problem është më i vogël nga sa pretendon opozita dhe se PS mbështet përmirësimin e kushteve për pjesën më të madhe të diasporës. “Një ushtrim i thjeshtë aritmetik. Janë rreth 1.7 milionë votues në diasporë. Ju thoni 150 mijë votues pa dokumente, më pak se 10%. Nëse PS është dakord për 92% të diasporës që të votojë dhe të bëjmë përmirësime si të doni ju, atëherë përse insistoni për një grup kaq të vogël? Apo keni frikë se PS është në avantazh edhe në diasporë?”, deklaroi Peleshi. Duke vazhduar debatin, ai e akuzoi opozitën se po kërkon të dështojë procesin e votimit të emigrantëve duke insistuar për ndryshime të cilat mund të krijojnë paqartësi ligjore. “Nuk mund të kthehemi në gjyqet popullore. Ta lëmë drejtësinë të punojë. Nuk duhet ta vrasim këtë iniciativë që pa lindur. Është një nismë që është negociuar nga të dyja palët në KQZ. Është një ushtrim i vështirë, por është një e drejtë e mohuar për emigrantët prej vitesh. Të kërkosh të pranohet pa asnjë dokument identifikimi është absurde. Mos po gjeni sebepe që të hidhni në erë votën e emigrantëve?”, tha ai.  Pavarësisht debateve të forta mes palëve, çështja e votës së diasporës mbetet ende e pazgjidhur. Qeveria ka theksuar se çdo qytetar që ka një dokument shqiptar, edhe nëse është i skaduar, mund të regjistrohet për të votuar. Opozita, ndërkohë, vazhdon të kërkojë që të gjithë emigrantët me origjinë shqiptare të kenë të drejtën e votës, pavarësisht nëse kanë apo jo dokumente shqiptare. Afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora përfundon më 4 mars, dhe deri atëherë mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime ligjore apo nëse procesi do të vijojë sipas rregullave aktuale.

Lexo edhe :  Balla takim me emigrantët në Toronto/ Për momentin më të mirë se ne nuk ka!

 Mbi 100 mijë emigrantë aplikojnë për të votuar në zgjedhjet e 2025

Procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora ka tejkaluar pritshmëritë fillestare, pasi mbi 100 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë dorëzuar kërkesat e tyre për t’u përfshirë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, kjo shifër ishte e papritur dhe po rritet çdo ditë.  “Të dhënat e momentit tregojnë se kemi 100 825 kërkesa, nga të cilat 62 387 janë zgjedhës që tashmë janë regjistruar dhe do të kenë të drejtën për të votuar. Fillimisht prisnim rreth 60 mijë aplikime në total, por ritmi aktual tregon se mund të arrijmë mbi 200 mijë deri në përfundim të afatit më 4 mars. Vërejmë gjithashtu një shtim të ndjeshëm të aplikimeve gjatë fundjavave”, tha Celibashi. Sipas të dhënave, numri më i madh i aplikimeve vjen nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali dhe Greqi, dy destinacionet kryesore të diasporës shqiptare. Lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike që emigrantët të mund të votojnë edhe me dokumente të huaja, Celibashi zgjodhi të mos komentojë, duke e cilësuar këtë si një çështje që duhet të zgjidhet në nivel politik. “Nuk do të dëshiroja të jap një opinion mbi këtë temë. Është një çështje që i përket diskutimeve mes forcave politike dhe nëse ato bien dakord, ne do të përshtatim sistemin në përputhje me vendimin e tyre. Megjithatë, kjo mund të kërkojë ndryshime në afate dhe në modalitetet e procesit”, u shpreh ai. Për regjistrimin dhe verifikimin e votuesve nga diaspora, KQZ po përdor një sistem të avancuar që krahason imazhin e fytyrës me dokumentin identifikues, duke e verifikuar atë me të dhënat e regjistrave shtetërorë. Ky proces synon të garantojë sigurinë dhe saktësinë e regjistrimit të zgjedhësve jashtë vendit.

Të fundit

Pse na duket sikur muaji Janar është kaq i gjatë? Ja si e shpjegojnë psikologët

Muaji janar, i konsideruar shpesh si fillimi i një viti të ri, sjell me vete një përzierje emocionesh dhe...

Plagosja me armë e 15 vjeçarit, shpallet në kërkim xhaxhai!

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fushë Mëzez, ku mbeti i dëmtuar me armë zjarri një 15-vjeçar. Shpallet në kërkim një...

Gjermania në krizë prej dy vitesh! Çfarë pritet nga qeveria e re?

Gjermania është në recesion prej dy vitesh. Bizneset besojnë se nevojitet një ndryshim rrënjësor ekonomik dhe politik pas zgjedhjeve të ardhshme federale. Çfarë kërkon...

Lezha pa energji/ Shkak, remonti që po kryhet në nënstacionin elektrik

Lezha pa energji prej orës 23:00 të ditës së djeshme. Ndërprerja ka ardhur për shkak të një remonti që po kryhet në nënstacionin elektrik...

Laerti e ftoi për darkë dhe i hodhi trëndafila! Përgjigja e papritur e Valbonës…

Në shtëpinë e Big Brother, një zarf i bardhë solli një lajm ‘surprizë’ për Laertin, që erdhi si avantazh nga “Vëllai i Madh”. Ky shpërblim...

Lajme të tjera

Web TV