Gripi sezonal është në kulmin e qarkullimit në të gjithë vendin. Infektimet nga AH1N1 dhe AH3N2 vijojnë të rriten veçanërisht tek të miturit dhe fëmijët e moshave shkollore. Referuar buletinit të Institutit të Shëndetit Publik, java e fundit e janarit shënoi intensitet shumë të lartë të qarkullimit të gripit dhe infeksioneve të tjera respiratore.
Mbi 23300 pacientë kërkuan ndihmën e mjekut vetëm javën e fundit të janarit, ndonëse shifrat e sëmundshmërisë janë më të larta pasi jo të gjithë i drejtohen qendrave shëndetësore. Kulmi i epidemisë së gripit ndihet edhe në urgjencën kombëtare, ku janë rritur thirrjet për ndihmë, kryesisht nga të moshuarit.
Ndryshe nga një vit më parë kur fillimi i shkurtit shënoi ulje të intensitetit të gripit, këtë sezon kurba e infektimeve po njeh vetëm rritje. Referuar edhe situatës epidemiologjike në vendet e Europës, ekspertët e shëndetit publik thonë se deri në mes të shkurtit do të jemi në nivele shumë të larta të qarkullimit të infeksioneve respiratore./kb