Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundësi teknike për të regjistruar emigrantët që nuk disponojnë një dokument identifikimi shqiptar. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se sistemi aktual i identifikimit është i ndërtuar vetëm për pasaportat dhe kartat e identitetit të lëshuara nga Republika e Shqipërisë. “Nëse do të lejohet identifikimi edhe me dokumente të huaja, do të duhet një sistem tjetër ose zhvillimi i këtij ekzistuesi”, tha Celibashi. Megjithëse ai nuk komentoi drejtpërdrejt mbi propozimin e Partisë Demokratike për votën e diasporës, theksoi se çdo ndryshim në këtë proces varet nga vendimet politike, ndërsa KQZ ka detyrimin vetëm për zbatimin e tyre. Në zgjedhjet e 11 majit, votimi elektronik nuk do të zbatohet në një qark të tërë, por në dy ose tre njësi administrative të vogla. Nga 140 mijë aplikime të dorëzuara nga emigrantët për regjistrim, janë shqyrtuar 136 mijë dhe rreth 87 mijë janë miratuar për të votuar. Qarqet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar nga diaspora janë Tirana, Fieri, Korça dhe Durrësi. Debati mbi të drejtën e votës për emigrantët mbetet ende i hapur, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime ligjore që mund të lehtësojnë procesin e regjistrimit për zgjedhjet e ardhshme.
Fjala është e lirë. Liria është fuqi!
E-mail : info@fjala.al
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP
NUIS/NIPT : L92423005H