Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi publikoi dje propozimet drejtuar partive politike për lehtësimin e procesit të regjistrimit të votuesve të diasporës.
Propozimet kanë të bëjnë me vendimin nr.11 të marrë nga Komisioni Rregullator që përcakton procedurën e regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i kërkoi Komisionit Rregullator të bëjë një ndryshim në mënyrën e regjistrimit të votuesve nga jashtë në zgjedhjet e 11 majit. Ky propozim synon që të mundësojë regjistrimin për emigrantët që nuk kanë një adresë banimi në emrin e tyre pasi jetojnë tek të afërm apo miq.
“Ne kemi paraqitur një propozim për ndryshim në disa elementë të Kodit Zgjedhor, ndryshime të cilat janë të karakterit teknik. Për ne e rëndësishme është që çfarë do të bëhet me atë dispozitë të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me kostot e pagimit të shërbimit postar, dispozita që ka të bëjë me afatin e regjistrimit të subjekteve zgjedhore”, tha Ilirjan Celibashi. Kryekomisioneri i bëri thirrje Kuvendit që të miratojë buxhetin e partive për fushatën zgjedhore.
“I kemi kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që sa më parë të miratojë buxhetin për partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje, pra buxhetin për fushatën zgjedhore”, tha, gjithashtu, Celibashi.
Në një dalje për mediat Celibashi sqaroi se pret edhe nga Kuvendi që të miratojë propozimet që kanë të bëjnë me afatet e regjistrimit të kandidatëve, numërimin e votave, shpenzimet për postën, por edhe buxhetin për zgjedhjet.
“Për ne e rëndësishme është që çfarë do të bëhet me atë dispozitë të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me kostot e pagimit të shërbimit postar”, tha Celibashi. Kreu i KQZ-së deklaroi se propozimi i opozitës që emigrantët të votojnë me një dokument të huaj është i pamundur me sistemin aktual.
“PER është ndërtuar për të identifikuar nëpërmjet dokumenteve të identifikimit të lëshuara nga Republika e Shqipërisë”, u shpreh kryekomisioneri Celibashi.
Ndryshimet në kodin zgjedhor, Celibashi theksoi se ato duhen bërë para fundit të marsit, pasi në të kundërt nuk do të kishin asnjë dobi. Forcat politike i paralajmëroi se do të përballen me ligjin nëse gjatë kohës së regjistrimit të diasporës marrin të dhëna personale të qytetarëve për përfitime elektorale. Deri tani janë 86 570 emigrantë që u është pranuar kërkesa nga rreth 116 mijë kërkesa të bëra. Procesi i aplikimit përfundon në 4 mars. Për propozimin e Partisë Demokratike që në për zgjedhjet e 11 majit të regjistrohen edhe shqiptarët që disponojnë vetëm dokumente të shtetit ku jetojnë, Celibashi tha se ky propozim nuk mund të realizohet.
“PER-i është ndërtuar për të identifikuar nëpërmjet dokumenteve identifikimi të lëshuar nga Republika e Shqipërisë. Nëse palët bien dakord që identifikimi mund të bëhet, do të duhet të bëhet edhe nëpërmjet dokumenteve të tjera, duhet të zhvillohet ky sistem ose të bëhet një sistem tjetër. Këtë nuk di ta them nga pikëpamja teknike”, tha Celibashi./K.K