Kryeministri Edi Rama pritet të reagojë lidhur me arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në rubrikën e tij të “Sy më sy” në rrjetet sociale, që nis në orën 08:30.
Rama nuk ka reaguar dje ndërsa duke prezantuar rubrikën lajmëroi se do të flasë ‘lidhur me dje, sot e nesër”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u arrestua dje (10 shkurt 2025) me vendim të GJKKO-së pasi akuzohet për për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Në pranga përfundoi edhe Elman Abule, përfaqësues i RAMETAL (ish “METALFORM”), i cili bashkë me bashkëshorten konsiderohet mik i afërt i familjes Veliaj.
Ndërkohë është firmosur arrest shtëpie për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe detyrim me paraqitje për 5 biznesmenë, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha të cilët akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv. Ata dyshohet se kanë marrë tendera të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës.
Në një postim në Facebook, Veliaj tha mbrëmë se deri më tani ka respektuar linjën politike që mos të komentojë procese që janë në hetim nga drejtësia, por pas këtij arrestimi thotë se nuk mund të heshtë më.
Veliaj distancohet nga akuzat që janë ngritur ndaj tij, duke thënë se nuk ka “asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani.” Nga ana tjetër, Veliaj ka edhe një koment për prokurorin tjetër të dosjes, Ols Dadon, të cilin e akuzon se ka shantazhuar dëshmitarët/ S,M