Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha do të merrte në konsideratë dërgimin e palestinezëve edhe në Shqipëri. Në një konferencë për mediat në Shtëpinë e Bardhë, në krah të Mbretit të Jordanisë, Abdullah, Trump nuk e përjashtoi vendin tonë nga lista e shteteve që mund të strehojnë palestinezët që do të shpërngulen nga Gaza.
Gazetarja: A do të merrnit në konsideratë shtete të tjera, jo Jordaninë dhe Egjiptin? Ka pasur fjalë për Indonezinë, Shqipërinë. Vende të tjera…
Donald Trump: Po, sigurisht, do ta merrja. Dhe kemi edhe shtete të tjera që duan të përfshihen. Kemi shumë njerëz që duan të përfshihen. Ka një ndjesi të lartë për të ndihmuar palestinezët. Ka shumë shtete të mira në botë, njerëzit që i drejtojnë këto shtete, me zemër të madhe dhe ky zotëri (Mbreti Abdullah i Jordanisë) është në krye të listës.
Disa javë më parë, gazetarë izraelitë postuan në rrjetet sociale lajmin se Shqipëria do të strehonte palestinezë. Por Kryeministri Edi Rama e përgënjeshtroi lajmin, kur hodhi poshtë si të pavërteta disa pretendimet.
Që prej asaj dite, Trump ka deklaruar disa herë se synimi i tij është largimi i palestinezëve nga Gaza, për ta shndërruar territorin në “Rivierën e Lindjes së Mesme”, shkruan A2 CNN. Ai tha fillimisht se Jordania dhe Egjipti do të duhet të strehonin palestinezët e Gazës, por menjëherë hasi në refuzimin e dy shteteve arabe.
Reagime të shumta kundër kanë ardhur edhe nga Arabia Saudite, por edhe shtete të tjera. I fundit që e hodhi poshtë me forcë idenë ishte Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, gjatë një vizite në Turqi.
Gaza është momentalisht thuajse e rrafshuar nga bombardimet e Izraelit, që nisën menjëherë pas 7 tetorit 2023, kur militantë të Hamasit vranë mbi 1000 vetë, rreth 700 prej tyre civilë, në një sulm të organizuar brenda territorit izraelit.
Nga konflikti që pasoi, i mbyllur pak javë më parë me një armëpushim, raportohet të kenë vdekur mbi 45 mijë palestinezë në Gaza./ S,M