Nëse jeni ulur në lokal, mund të qëllojë që kamerieri që vjen të marrë porosinë të mos dijë shqip. Me kuzhinën e hotelit, shefi mund të jetë sërish i huaj, me shumë gjasa turk. Në fund të vitit 2023, në vend kishte gati 1100 të huaj të regjistruar në aktivitetin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Sektorët e turizmit dhe ndërtimit janë rekrutuesit më të mëdhenj të punonjësve të huaj sipas një analizë mbi flukset migratore nga vendet e tjera në vendin tonë për vitin 2023.
Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit (AKPA tregojnë se Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë numrin më të lartë të punonjësve nga jashtë vendit që morën leje pune në vitin 2023 në Shqipëri (shiko tabelat më poshtë). Siç tregon tabela, punonjësit e huaj janë të pranishëm në të gjitha qarqet e vendit edhe ato me nivel të lartë varfërie, të tilla si Dibra dhe Kukësi. Gjatë vitit 2023, nga Agjencia Kombëtare e Punësimit (AKPA) ka dhënë dhënë on-line në total 9,825 miratime për leje punësimit ndaj të huajve, nga të cilat 8,910 dhënë për aplikime të bëra për herë të parë, nga të cilat 2,300 për shtetase të huaja, femra.
Procedura e “Miratim punësimi” për shtetas të huaj, ka qenë pozitive për 8,460 persona, nga të cilët 1,295 janë shtetas të huaj nga Turqia, ,.285 nga Bangladeshi, 1.045 nga India dhe 777 shtetas të huaj nga Nepali. Gjatë vitit 2022, Agjencia Kombëtare e Punësimit (AKPA) lëshonte për shtetasit e huaj që deklarojnë punësimin e tyre akoma një dokument, i cili emërtohej “Vërtetim deklarimi për punësim”, ndërsa gjatë vitit 2023, punësimi i tyre deklarohej vetëm on-line. Nisur nga ky fakt, gjatë vitit 2022, AKPA-ja ka lëshuar 1.894 vërtetime punësimi dhe gjatë vitit 2023 punësimi është deklaruar nga 1.365 shtetas të huaj.
Përveç se për arsye punësimi në Shqipëri kanë shumë të huaj të tjerë që vijnë për qëllime biznesi, studimi, bashkim familjar etj. Në fund të vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21.460 banorë, duke pësuar rritje me 18,2 %, krahasuar me vitin 2022. Arsyet më të zakonshme të aplikimeve për leje qëndrimi të shtetasve të huaj në Shqipëri mbeten aktivitetet fitimprurëse, bashkimi familjar dhe studimi.
Numri i të huajve me leje qëndrimi dominohet nga meshkujt me 63,8 %, kundrejt femrave me 36,2 %. Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2023 ishte 12.430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22,7 %, krahasuar me vitin 2022. Ata me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më të madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2023.
Të huajt me origjinë nga Europa rezultojnë 15.223 banorë në vitin 2023 dhe përbëjnë 70,9% të të huajve gjithsej, kundrejt 73,3% më 2022. Numri i të huajve për qëllime punësimi në vendin tonë po rritet me shpejtësi vitet e fundit, nisur nga mungesat për fuqi punëtore në shumë sektorë. Vendi ynë karakterizohet nga norma të larta të emigracionit sidomos në moshat e reja./ Monitor/ S.M