Nga Leonard Veizi
Në një panik të tmerrshëm nga zjarri që afrohej me shpejtësi të skëterrshme dhe mungesa e frymëmarrjes nga tymi që prodhohej me shtëllunga nga copat e dërrasave dhe sidomos nga pjesët plastike që digjeshin e shformoheshin, të gjithë kërkonin daljen. Por ajo ishte e bllokuar. Ata kishin mbetur në një kurth, krejt të paimagjinueshëm. E pra, kishin shkuar për t’u dëfryer, ndoshta me ndonjë qese patatinash apo kokoshkash në prehër, teksa imazhet e aktorëve me famë lëviznin andej-këtej ekranit të magjishëm, projektuar mbi cohën e bardhë…
…Duket sikur ngjarja është ftohur e ngurtësuar. Sepse kanë kaluar më shumë se 40 vjet prej asaj kohe. Por asnjëherë nuk është astu siç duket. Apo më mirë të themi: ashtu siç imagjinohet. Sepse poshtë cipës së ftohtë a të ngurtësuar, ngjarja lëviz po aq nxehtë sa dhe vetë nxehtësia e zjarrit makabër që digjte e shkrumbonte gjithëka gjente përpara.
Tanimë ajo konsiderohet si masakra më e madhe që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Ndodhi në Torino të Italisë, dhe u cilësua si një tragjedi masive në nivel kombëtar. Shpërthimi i një zjarri që solli mbjaft viktima.
E pra, duhet thënë se audienca në kinema për shfaqjen “Briciapi” por që në gjuhën italiane njihet si: “La capra” ishte e përbërë vetëm nga 100 persona. Kur mund të ishin shumë më tepër. Dhe vetë tragjedia do të ishte shumëfish më e madhe. Sepse kinemaja në fjalë, – vend ku ndodhi e gjithë ngjarja, – kishte një kapacitet maksimal prej 1,200 personash, në një sallë me dy kate.
Ngjarja
Një prodhim filmik francez i vitit 1981, “La Chèvre”, i regjisorit Fransis Viber, me aktorët e mirënjohur Pierr Riçard dhe Zherard Depardieu, shfaqej në javën e trembëdhjetë të tij, në kinemanë “Statuto”, e cila ndodhej pranë sheshit me të njëjtin emër në Torino. Por pasditen e 13 shkurtit 1983, rreth orës 18:15, kur shfaqja kishte pak minuta që kishte nisur, zjarri shpërtheu. Një nga perdet e rënda në pjesën e prapme mori flakë dhe u rrëzua përtokë. Zjarri u përhap në ndenjëset e rreshtit të fundit, të cilat krijuan një barrierë që bllokoi daljen.
Paniku ishte i madh.
Megjithëse pretendohej se pëlhura ishte rezistente ndaj flakës, në etiketën e saj shkruhej: “Prodhon tym.” Dhe ky është një detaj që doli në gjyqin e zhvilluar me këtë rast. Më pas, një mjek sqaroi se vetë copa gjatë djegies lëshonte acid hidrocianik. Për këtë arsye, në korridorin ku shumë njerëz mbetën të bllokuar, vdekja ndodhi brenda 40 sekondave.
Zjarrfikësit mbërritën furishëm, burrat me kostume fosforeshente dhe aparate frymëmarrjeje në fytyrë. Dhe po aq shpejt mbërritën gazetarët dhe kamerat televizive. Por ishte vonë gjithsesi. 64 trupat e pajetë u rreshtuan bri njëri-tjetrit.
Në mediat italiane të kohësh gjendej dhe shprehje të tilla si: “Çifte të rinj gjenden të përqafuar, një djalë i vogël i kapur pas nënës së tij, një vajzë e vogël dhe babai i saj të kapur për dore”.
Dhe kaq duhej që tragjedia të kalonte dhe mbi kufijtë e saj.
Kronikat e kohës raportuan se si në një magji të zezë, ndër 64 viktimat 32 ishin meshkuj dhe 32 të tjera femra. Por mbi të gjitha dy prej tyre ishin fëmijë. Më i vogli që nuk i mbijetoi dot tragjedisë ishte vetëm 7 vjeç, ndërsa më i madhi 55 vjeç.
Varrimi i viktimave u bë më 15 shkurt në Katedralen e Torinos.
Në kronikat e kohës thuhet se një mot i pafavorshëm dhe nisja e reshjeve të dëborës kishin ndikuar në frekuentimin e ulët të kinemasë. Dhe, a mund ta imagjinojë kush nëse kinemaja do të kishte shumë më tepër spektatorë, apo, mos qoftë thënë, të ishte e mbushur në kapacitetin e saj maksimal?
Pasojat
Ekziston një postulat që thotë se: “Çdo zjarr shkatërron shkaqet e tij”. Zyrtarisht u tha se zjarri nisi rreth orës 18:15 nga një shkëndijë elektrike në dhomën e projektorit, e cila ndezi materialet e ndezshme në afërsi. Përhapja e tymit dhe flakëve u favorizua nga prania e materialeve plastike dhe të paqëndrueshme në brendësi të kinemasë. Sistemet e sigurisë ishin të papërshtatshme: Dyert e daljes ishin të mbyllura ose të bllokuara dhe nuk kishte sisteme të mjaftueshme ventilimi për të larguar tymin.
Paniku përfshiu spektatorët, të cilët tentuan të dilnin, por shumica mbetën të bllokuar në katin e sipërm të sallës. 64 persona vdiqën nga asfiksia dhe djegiet, shumica në katin e sipërm, ku mbetën të izoluar nga tymi. Vetëm disa arritën të shpëtonin duke dalë nga dritaret apo shkallët e emergjencës.
Hetimet zbuluan se masat e sigurisë ishin të pamjaftueshme dhe neglizhenca e pronarëve ishte një nga faktorët kryesorë që çuan në tragjedinë më të madhe të këtij lloji në Itali. Pronarët e kinemasë dhe disa zyrtarë u akuzuan për shkelje të rregullave të sigurisë.
Masat
Gjyqi vërtetoi se shkaku i zjarrit ishte aksidental dhe u konfirmua se rregulloret e kohës ishin të papërshtatshme. Kinemaja ishte rinovuar disa muaj para aksidentit. Ishin kryer kontrolle rutinë dhe drejtuesit kishin marrë certifikatën e rregullt.
Por tragjedia ndodhi.
Njëmbëdhjetë persona u dërguan në gjyq. Raimondo Kapela, pronari i “Statuto”-s, u dënua me tetë vjet burg, si dhe me tre miliardë lira (rreth 3.5 milionë euro me kursin e sotëm) dëmshpërblim për palët civile. Dënime të tjera u dhanë edhe për persona të tjerë që u akuzuan për neglizhencë.
Pas kësaj tragjedie, Italia përmirësoi rregullat e sigurisë për kinematë dhe teatrot, duke përfshirë: Detyrimin për dalje të shumta emergjente dhe të lehtësisht të aksesueshme. Instalimin e sistemeve të alarmit dhe detektorëve të tymit. Kontroll më të rreptë të materialeve të përdorura në brendësi të sallave publike.
Epilogu
Katastrofa pati një jehonë të madhe emocionale në Torino. Nga dita e zjarrit kinemaja “Statut” nuk u hap më kurrë. Dhe mbeti për vite me radhë si një paralajmërim i trishtë me fasadën e nxirë nga flakët. Derisa u rrënua krejt.
Tridhjetë vjet pas tragjedisë, tre kineastë nga Torino, Fabricio Dividi, Marta Evangjelisti dhe Vinçenco Greko, realizuan një dokumentar të titulluar “Sale per la capra”, duke rindërtuar tragjedinë, të shoqëruar me intervista nga protagonistët e kohës dhe dokumentacion gjyqësor, të bërë publik për herë të parë.
Tanimë për të kujtuar tragjedinë, në vendin e quajtur Largo Cibrario, është vendosur një pllakë përkujtimore.