Ekonomia e vendit do të rritet me 4% këtë vit, parashikon së fundi Banka e Shqipërisë duke veçuar se motorët e ekonomisë do jenë ndërtimi dhe turizmi.Vijon thotë banka rritja e pagave dhe punësimi, ndërsa inflacioni është nën kontroll.
Më shumë ndërtim dhe turizëm. Këto dy sektor do të jenë edhe këtë vit motorët kryesorë të ekonomisë, e cila siç thotë Banka e Shqipërisë do të rritet me 4%.
“Konstatojmë një ecuri të mire të ekonomisë, çka do të thotë një rritje solide dhe me ritme të larta afër nivelit 4%. Kjo do të thotë me rritje të punësimit dhe pagave, rritje të shitjeve të biznesit dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve. Kemi kontribute pozitive nga sektori i shërbimeve dhe nga ndërtimi, ndërsa bujqësia dhe industria janë më dobët”, tha Erald Themeli, drejtori i Politikës Monetare.
Drejtori i politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli thotë se ecuria pozitive e ekonomisë po shoqërohet me inflacionin të ulët, por gjithsesi ata presin që brenda vitit indeksi i çmimeve të jetë 3% sa është objektivi i tyre.
“Inflacioni vijon të jetë i ulët dhe nën kontroll. Norma bazë e interesit në 2.75% mbetet e përshtatshme për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë”, u shpreh Themeli.
Sa i takon kursit të këmbimit, Themeli thotë se pa zhvlerësimin e valutave ulja e inflacionit do të ishte e vështirë dhe me kosto të mëdha për ekonominë.
“Kursi i këmbimit ka qenë faktori kryesor që na ka ndihmuar për të vënë nën kontroll inflacionin, dhe të mos jemi shumë agresiv me politikën monetare për interesa më të larta”, tha Themeli.
Pak ditë më parë Banka e Shqipërisë e la të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%, edhe pse guvernatori është shprehur se e ardhmja është bërë më e pasiguritë, duke ju referuar tensioneve tregtare të javëve të fundit për shkak të politikave që po ndjek presidenti i SHBA Donald Trump./k.k