Seanca parlamentare e djeshme kishte në rendin e ditës miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, një projektligj i dakordësuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, i cili synon të lehtësojë votën e diasporës dhe të sjellë disa rregullime në procesin zgjedhor.
Por, tensionet politike që pasuan konfirmimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, e devijuan fokusin e debatit dhe bënë që miratimi i Kodit Zgjedhor të shtyhej për të hënën, më 17 shkurt.
Deputetët e opozitës shfrytëzuan këtë zhvillim për të ngritur një debat të ashpër në sallën e Kuvendit, duke e akuzuar mazhorancën për mbështetje të heshtur ndaj Veliajt dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Ata pretenduan se Partia Socialiste po përpiqet të minimizojë impaktin e këtij arrestimi në opinionin publik, ndërkohë që mbështetës të kryebashkiakut u grumbulluan para SPAK në një protestë spontane.
Një tjetër akuzë e ngritur nga opozita ishte se Policia e Shtetit nuk kishte marrë masat e nevojshme për të siguruar mjediset e SPAK dhe për të parandaluar çdo përpjekje për presion ndaj drejtësisë. Nga ana tjetër, socialistët u përpoqën të shmangnin debatet e ashpra mbi këtë çështje, por strategjia e tyre për të replikuar më shumë se zakonisht me demokratët solli përshkallëzimin e situatës.
Përballë kësaj qasjeje, tensionet në sallë arritën kulmin kur Flamur Noka tentoi të godiste me një shishe uji ministrin e Brendshëm Taulant Balla, duke detyruar ndërhyrjen e Gardës së Republikës për të qetësuar situatën. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ndërhyri për të rikthyer rendin, por përplasjet verbale vijuan për disa minuta. Në fund, ajo vendosi përjashtimin e Nokës nga seanca, ndërsa përplasjet fizike dhe debati politik bënë që seanca të ndërpritej disa herë.
Në këtë klimë tensioni, çështja kryesore e rendit të ditës, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kaluan në plan të dytë. Drafti i dakordësuar mes mazhorancës dhe opozitës përfshin disa ndryshime të rëndësishme, ku më i rëndësishmi është që diaspora nuk do të paguajë më për kthimin e votës në Shqipëri. Kostoja e këtij shërbimi do të mbulohet nga shteti përmes një fondi të parashikuar në buxhetin e vitit 2025, i cili do t’i kalojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zbatim.
Ndryshime të tjera lidhen me përshpejtimin e procedurave për regjistrimin e partive dhe kandidatëve, duke e afruar afatin nga 22 marsi në 12 mars, si dhe me rregullimin e procesit të numërimit të votave të diasporës. Këto vota do të numërohen nga një komision i përbërë nga katër anëtarë, dy të propozuar nga mazhoranca dhe dy nga opozita, ndërsa sekretari i komisionit do të përzgjidhet në bazë të një aplikimi të hapur në KQZ dhe duhet të jetë me profesion jurist.
Ndryshime të tjera të propozuara lidhen me financimin e partive politike gjatë fushatës dhe rritjen e minutazhit televiziv për kandidatët në listat e hapura. Me kërkesë të PD-së, u pranua që secili kandidat të ketë deri në 140 minuta hapësirë promovuese në mediat private gjatë fushatës zgjedhore. Ndërkohë, mazhoranca propozoi që shuma maksimale e shpenzimeve të një partie për fushatë të jetë pesë herë më e madhe se fondi më i lartë që ka marrë nga buxheti i shtetit.
Kandidatët individualë do të kenë të drejtë të vetëfinancojnë fushatën e tyre deri në 3 milionë lekë të rinj, ndërsa raportimi financiar do të kryhet përmes një modeli të ri që pritet të miratohet nga KQZ.
Pavarësisht se këto ndryshime janë produkt i një dakordësie mes palëve dhe pritet të miratohen pa kundërshtime të forta, tensionet politike të krijuara nga arrestimi i Veliajt e bënë të pamundur që votimi të zhvillohej në seancën e së enjtes.
Përplasjet e vazhdueshme dhe ndërprerjet e njëpasnjëshme bënë që asnjë nga çështjet e rendit të ditës të mos votohej, duke detyruar kryetaren e Kuvendit të thërrasë një seancë të posaçme të hënën në orën 10:00 për të diskutuar dhe votuar përfundimisht ndryshimet në Kodin Zgjedhor.