Diplomati dhe publicisti i njohur, Shaban Murati, është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm.
Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare ish-ambasadori shqiptar Shaban Murati.
Mësohet se Murati ka ndërruar jetë ditën e sotme në orët e para të mëngjesit të 14 shkurtit.
I lindur më 2 shtator 1945, Murati ishte një figurë e spikatur në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit.
Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, Shaban Murati shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë. Ai ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke luajtur një rol kyç në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë.
Mes diplomacisë dhe publicistikës
Përveç angazhimeve diplomatike, Murati ishte një autor i njohur, duke publikuar një sërë librash dhe analizash mbi çështjet e Ballkanit, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndër veprat e tij më të spikatura janë “Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë” (2004), “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: fletë nga ditari i një ambasadori” (2007) dhe “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës” (2021).
Kontributet e tij në fushën e diplomacisë dhe publicistikës janë vlerësuar gjerësisht, duke u cilësuar si një zë unik kombëtar dhe një personalitet poliedrik me kulturë të gjerë në fusha të ndryshme. Shaban Murati do të mbahet mend si një diplomat i përkushtuar, studiues i palodhur dhe mbrojtës i interesave kombëtare shqiptare.
Pas ndarjes së diplomatit të shquar nga jeta, ka reaguar djali i tij, gazetari dhe analisti Erl Murati, i cili shkruan se ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e nesërme në varrezat e Sharrës.
“Faleminderit mjekëve dhe infermierëve të QSUNT, në veçanti Dr. Entela Bashës, të cilët u kujdesën për shëndetin e babait tim, Shaban Muratit, i cili u nda sot nga jeta.
Ceremonia mortore mbahet nesër, në varrezat e Sharrës, duke nisur nga shtëpia në rrugën A. Z. Çajupi (pas shkollës Edit Durham) në orën 12:00.
Familja pret ngushëllime të dielën, në hotel Mondial në oraret 10:00 – 14:00 dhe 16:00 – 19:00. Të mira e gëzime!”, shkruan Erl Murati.
Për lajmin e hidhur ka reaguar edhe deputetja demokrate, Flutura Açka, e cila thekson faktin që “ta duash Shqipërinë si Shaban Murati”, teksa e cilëson ndarjen e lajmit të hidhur për mikun e saj, edhe si një “mëngjes i hidhur”.
“Ta duash Shqipërinë si Shaban Murati! Këtë mëngjes të hidhur u nis për shtegtimin e fundit diplomati, publicisti dhe njeriu i rrallë, Shaban Murati.
Sa e deshi ai Shqipërinë, e ka të gdhedur në veprat e tij të shumta dhe të rralla të lloji të tyre, të cilat janë dhe do të mbeten referenca të forta të debateve mbi identitetin shqiptar, gjeopolitikën, marrëdhëniet ndërkombëtare, europiane e rajonale.
Është tronditëse për mua të pranoj që nuk do ta takoj më një mik kaq të vyer. Për shumë nga qëndrimet e mia publike, këshilla dhe meraku i tij ka qenë përtej së zakonshmes.
Mirënjohja për praninë e tij në rrethin e njerëzve më të dashur të jetës sime, do të jetë deri në fund të jetës sime!
I lehtë dheu, i dashur Shaban!
Ngushëllime të thella familjes, të afërmve, miqve e kolegëve, dhe të gjithë atyre që e njohë , e deshën dhe e çmuan personalitetin e tij”, shkruan Açka në postimin e saj./ S,M