Mbi konspiracionin e madh ‘ndaj rreziqeve’ për SPAK dhe drejtësinë e re

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mero Baze

Pas rezervave publike të kryeministrit Edi Rama rreth përfshirjes së SPAK dhe GJKKO në politikë me arrestimin e Veliajt, disa parti të reja politike kanë publikuar grafikët e protestave mbështetëse para SPAK, për të siguruar drejtësinë e re se ata nuk do ta lejojnë ta prekë as Rama, as Berisha.

Është pak qesharake si nismë, pasi nuk jemi para një komploti Rama-Berisha kundër SPAK, por e kundërta – jemi para debateve për standardet e njëjta që duhet të përdorë drejtësia si për Berishën, ashtu edhe për socialistët.

Dhe tani kemi tre lloje turmash që shkojnë para SPAK:

E para, është hordhia e mbështetësve të Berishës, që vrapojnë para SPAK me hunj në dorë, kërcënojnë prokurorët dhe anatemojnë drejtësinë nëse prek Berishën.

Të dytët, janë mbështetësit e Veliajt, që nuk shkojnë për SPAK, por për kryetarin e tyre. Ata duan të tregojnë se vazhdojnë ta mbështesin dhe janë pranë tij, pa u marrë me SPAK.

Të tretët, janë këta politikanët e rinj, që shpresojnë se duke dalë para SPAK si mbështetës të tij, do të tërheqin vëmendjen e votuesve dhe do ta kthejnë mbështetjen për drejtësinë në kapital elektoral.

Mirë do të ishte që aty të mos shkonte asnjë prej të treve, por të tre palët nuk shkojnë për të njëjtën arsye.

Por këta që tani shpresojnë se mbështetja popullore ndaj SPAK do të transferohet te partitë e reja që dalin para SPAK si mbështetës të tij, në fakt thjesht bëjnë të duket më e vogël mbështetja e madhe popullore që ka SPAK. Drejtësia e re dhe SPAK nuk kanë hyrë në zgjedhje dhe nuk kanë nevojë për përfaqësuesit e tyre politikë. Ata janë institucion I shtetit shqiptar dhe jo grup parlamentar.

E vërteta është se SPAK dhe drejtësia e re qëndrojnë në këmbë për shkak se kanë mbështetjen e shumicës në pushtet dhe të shoqërisë shqiptare. Shqipëria e ka reformën në drejtësi shtyllën kryesore në procesin e integrimit evropian, dhe në këtë reformë SPAK është në timon.

Beteja e SPAK me Edi Ramën për çështjen Veliaj, e cila konsiderohet si përfshirje në fushatë elektorale e SPAK, politikisht u bën nder të dyve, pasi hedh poshtë akuzat se SPAK varej nga Edi Rama, dhe tregon nga ana tjetër se SPAK duhet të mësohet të bëjë betejë edhe me ata që e mbështesin, dhe jo vetëm me ata që e shajnë nga mëngjesi në darkë, duke respektuar më shumë ata që e sulmojnë sesa ata që e mbështesin.

Lexo edhe :  Shqipëri, lufta kundër pasurive të krimit të organizuar përballet me pengesa

Konspiracioni i madh se dyshja Berisha-Rama do shkrijnë SPAK është jo vetëm qesharak, por edhe i dëmshëm për ata që e artikulojnë, për një grusht votash, pasi përpiqen të krijojnë një perceptim jo real për të ardhmen e drejtësisë në Shqipëri.

E ardhmja e drejtësisë në Shqipëri, në të gjitha kohërat, varet nga sjellja pro-perëndimore e shumicës, kushdo që të jetë ajo në pushtet. Socialistët dhanë prova se ndërtuan një drejtësi kundër vetes së tyre, duke sakrifikuar pushtet për të bërë shtet. Mendoni ju që Ina Rama të arrestonte Lulzim Bashën kur ishte kryetar Bashkie në kryeqytet, çfarë mund t’i bënte Sali Berisha?

Këta prokurorë që janë sot në SPAK nuk kanë guxuar as ta marrin në pyetje Berishën apo Bashën për 21 janarin, e jo më t’i vinin pranga. Shkëlzen Berishës, me njëqind prova implikuese për Gërdecin, i çuan njëherë fjalë për një kafe me një prokuror dhe aq mjaftoi që Berisha të detyronte zëvendësprokurorin e përgjithshëm dhe disa prokurorë të largoheshin. Drejtori i Tatimeve të Tiranës gjykohej dhe dënohej për zhdukjen e Remzi Hoxhës, dhe Sali Berisha nuk e largonte as nga detyra.

Kjo është qasja e Berishës ndaj drejtësisë dhe “trimëria” e drejtësisë ndaj tij.

Sot kjo klimë nuk ekziston më, falë shumicës në pushtet që i ka hapur dyert e zyrave drejtësisë. Dhe derisa çdo shumicë në Shqipëri të ketë këtë qasje, dhe të ketë prioritet standardet evropiane për vendin, SPAK dhe institucionet e drejtësisë së re janë të garantuara.

Debate natyrisht do të ketë. Debate me drejtësinë ka edhe klasa politike në Perëndim, por nuk ka ndërhyrje në punët e drejtësisë. Nervozizëm dhe fjalosje ka patjetër. Do të na mjaftonte shembulli i Melonit me drejtësinë italiane lidhur me marrëveshjen me Shqipërinë për të kuptuar këtë luftë nervash.

Por reforma në drejtësi në Shqipëri ka vetëm një armik, dhe ai është kthimi i Shqipërisë në duart e politikanëve “non grata”, të cilët kanë objektiv hakmarrjen mbi drejtësinë. Kompleksimi i drejtësisë së re para tyre dhe krijimi i perceptimit se ata e trembin drejtësinë janë shërbimi më i madh kundër drejtësisë së re, që vjen pikërisht nga vetë kjo drejtësi./   S,M

Të fundit

Mjekja Pediatre Dr Gjeorgjina Kuli Lito:Virozat te fëmijët ja këshillat për prindërit

Doktoreshë Gjeorgjina Kuli, Shefe e Shërbimit të Pediatrisë dha disa këshilla praktike për fëmijët. Ajo tha se produktet natyrale, kanë...

Marta Kos takim me liderët e Ballkanit Perëndimor, i pranishëm edhe kryeministri Rama

Komisionerja e BE për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos ka zhvilluar nje takim me lideret e Ballkanit Perëndimor në Mynih, ku po...

Butrint Imeri nuk heq dorë nga vajzat e famshme, bën publike lidhjen me modelen

Këngëtari i njohur shqiptar, Butrint Imeri, është përfolur së fundmi për një lidhje të mundshme me modelen turke. Dyshja është kapur mat në një...

“Burri më kërcënoi me thikë”,flet gruaja nga Korça:Erdhi i pirë, më mbrojti djali i vogël

Një grua nga Korça ka rrëfyer momentet e frikës që përjetoi pasi u kërcënua me thikë nga bashkëshorti i saj 57-vjeçar. Sipas saj, burri i...

I dërguari amerikan: Evropa nuk do të jetë pjesë e bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë

Evropa do të konsultohet, por përfundimisht do të përjashtohet, nga bisedimet e planifikuara të paqes midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës, ka zbuluar i dërguari...

Lajme të tjera

Web TV