Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini ka inspektuar sot punimet që vijojnë për ndërtimin e korpusit modern të Laboratorëve të Referencës Kombëtare pranë ISHP-së, një investim i buxhetit të shtetit që përmirëson parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, rrit sigurinë shëndetësore kombëtare dhe forcon kërkimin shkencor në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.
Gjatë vizitës në kantierin e punimeve në ISHP, ministrja Koçiu si dhe shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino folën për situatën nga meningjiti në vend nisur nga rasti i fundit i paraqitur në Spitalin e Durrësit.
Koçiu nënvizoi se nuk ka vend për panik edhe pse prindërit me të drejtë shqetësohen pasi autoritetet shëndetësore kanë marrë të gjitha masat që nga shfaqja e rastit në një shkollë në Durrës ku brenda 24 orëve janë kryer të gjitha, diagnoza, mjekimi, fillimi i gjurmimit, hetimit dhe fillimi i trajtimit të kontakteve. Edhe mjekja Bino deklaroi se nga viti 2009 fëmijët janë vaksinuar për këtë sëmundje.
“Ne kemi kryer profilaksi me antibiotikë për 99 persona, për pjesëtarët e ngushtë për të parandaluar nga ndonjë mbartës familjar përhapjen e mëtejshme. Kemi bërë dhe kontakte mesatare që janë klasa, mësuesit, punonjësit shëndetësor dhe për të gjithë këta është kryer profilaksia. Mundësia për t’u infektuar në klasa te kontaktet shkollore fillore është 1 në 13 mijë raste. Pra ne kemi shkuar shumë larg, deri në shkollat e mesme që shkon nga 1 person në 35 000 raste që mund të shfaqet. Pra për të patur një siguri maksimale e kemi zgjeruar profilaksinë e kontakteve në një shkallë shumë të madhe. Kështu që nuk ka nevojë për panik”, theksoi Bino.
Ajo apeloi që në çdo rast të ndiqen këshillat e mjekëve ndërsa me rëndësi është edhe dizifektimi i shkollave.
“Shkollat duhet të pastrohen çdo ditë, jo me fushata. Shkollat pastrohen me të gjitha mjetet që ne pastrojmë në shtëpitë tona. Bankat, tualetet dhe çdo gjë tjetër. Pra ne kryejmë parandalimin për të parandaluar këtë kontaktin e ngushtë në një kontakt tjetër të mos infektojë dhe të bëhet mbartës nga ky person.. Nga ana tjetër ne kemi propozuar vaksinën ndaj meningokokut dhe dua të theksoj që vaksina nuk është mjeti kryesor kur kemi një rast. Mjeti kryesor është profilaksia me antibiotikë pasi në kontaktet e ngushta, edhe nëse janë të vaksinuar ne japim profilaksinë me antibiotikë, për të qenë sa më të sigurt”, u shpreh shefja e Epidemiologjisë në ISHP.
“ Prandaj duhet vizita menjëherë tek mjeku i familjes për çdo shenjë dhe të mos neglizhohen simptomat”, nënvizoi ministrja Koçiu.
Sa i përket ndërtimit të laboratorëve të rinj të ISHP-së, Koçiu tha se ky objekt do të sigurojë akomodimin e shtatë laboratorëve të rëndësishëm.
“Pandemia COVID na tregoi që është e domosdoshme të forcojmë akoma më shumë kapacitetet laboratorike të ISHP-së dhe jo pa qëllim, filluam ndërtimin e laboratorëve të rinj në një ambient komplet të ndërtuar nga e para. Është një godinë në fakt 4 kate mbi tokë dhe një kat nën tokë e cila është e mundësuar falë investimit të buxhetit të shtetit me një vlerë afro 5 milionë euro, një godinë 3 cila do të sigurojë kushte bashkëkohore për të gjithë ekzaminimet laboratorike që do të zhvillohen këtu”, theksoi Ministrja e Shëndetësisë./K.K