“Nesti Angoni” nuk është ai që na gënjyen kaq kohë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Mero Baze

Sot kam siguruar dokumentin më të famshëm në Shqipëri, që ka bërë kurioz gjithë shoqërinë shqiptare: denoncimin e Nesti Angonit, i cili heq çdo dyshim se nuk kemi të bejmë me një denoncim professional, siç na e kanë shitur.

Të gjitha legjendat e thurura rreth këtij denoncimi, që ishte aq e kaq faqe, që kishte informacione sekrete dhe të pamundura për t’u siguruar nga një njeri anonim, janë thjesht gënjeshtra. Mjerisht, janë gënjeshtra të dala nga SPAK.

“Denoncuesi” i famshëm anonim ka shkruar vetëm një faqe letër, të gjitha gënjeshtra, të cilën po e përshkruaj pak a shumë se çfarë thotë. Nuk po e botoj faksimilen meqë ështe ne proces hetimor dhe ende Veliaj nuk ka një akuzë zyrtare, pasi ështe futur ne burg pse eshte grindur me prokurorin.

“Denoncuesi” jo vetëm që nuk jep ndonjë informacion të rëndësishëm, por transmeton në SPAK thashetheme banale që qarkullojnë në qytet për Erion Veliajn.

Konkretisht, ai thotë se kur Erion Veliaj u bë ministër në 2013, mori një banesë te “Kodra e Diellit” dhe ka lidhje të ngushtë me pronarin e “Kodrës së Diellit”, Gentian Sula. Pas kësaj, ai i bëri gruan zëvendësministre të Punës dhe Përkrahjes Sociale.

Më pas, thotë se Gentian Sula ka marrë disa tendera nga Bashkia. “Agikons” është kompania e ndërtimit, ndoshta e parë, ose e dytë për nga madhësia ne vend dhe natyrisht që do hyjë në gara për punë publike. Ka hyrë në garë dhe tek tenderat e SPAK. Krim është nëse gara ka qenë e pandershme, jo fakti që ka marrë pjesë dhe ka fituar. Ndonjë akuzë të tillë ende s’ka.

Denoncuesi vazhdon me gënjeshtrën se Erion Veliaj ka tre vila në Qerret, tek fshati turistik i Gentian Sulës, dhe kërkon që të verifikohet se ku i gjen këto para Erion Veliaj.

Letra, sipas protokollit, ka mbërritur në korrik të vitit 2023 dhe i është dhënë për vlerësim zotit Dado, i cili ka verifikuar “faktin” që është e vërtetë se Erion Veliaj ka njohje me Gentian Sulën dhe që ka një banesë te “Kodra e Diellit”. Pas kësaj ka nisur hetimi pasuror ndaj tij.

Kaq është e gjitha!

Ky fakt rrëzon të gjithë misterin me të cilin u përpoq të vishej personazhi Nesti Angoni. Ai nuk është as një shërbim i huaj, as Belinda Balluku, as SHISH, por vetë SPAK.

Thjesht SPAK ka vendosur të targetojë një personazh politik për t’i bërë vetting pasurie, meqë nuk arritën ta marrin të pandehur në dosjen e inceneratorëve apo atë të ish-drejtorëve të Bashkisë, dhe kanë sajuar një letër anonime, që në fakt është një përmbledhje thashethemesh, për të nisur një hetim.

Kur them që është përmbledhje thashethemesh, kam parasysh se jam njohës i të dy personazheve, jam ndër banorët e parë të “Kodrës së Diellit”, që nga viti 2009, dhe mund të deklaroj edhe para gjykatës, nëse dëshiron, se Erion Veliaj ka ardhur te “Kodra e Diellit” shumë përpara vitit 2013 dhe ende ka të njëjtin apartament që ka pasur.

Gentiana Sula, gruaja e Gentian Sulës, është bërë zëvendësministre e Punës dhe Përkrahjes Sociale si pjesë e marrëveshjes PS-LSI dhe është në listën e zyrtarëve të LSI-së. Mund të verifikohet në marrëveshjen politike mes dy palëve. Ajo është bërë gjithashtu drejtoreshë e Autoritetit të Dosjeve me mbështetjen e LSI-së.

Lexo edhe :  Pse shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë sportistë, por vetëm vasalë të dalluar!?

Erion Veliaj nuk ka asnjë vilë në Qerret, e jo më tre vila, siç shkruan “denoncuesi”, por prindërit e gruas së tij kanë një vilë modeste, të cilën e kanë shkëmbyer me një apartament që kanë pasur më parë aty, duke shtuar edhe një vlerë prej 30 mijë euro më shumë.

Për këto 30 mijë euro, Gentian Sula akuzohet se nuk ia ka marrë akoma dhe quhet korrupsion!

Familja e Ajola Xoxës është, përveç një familje e njohur shqiptare për shkak të shkrimtarit Jakov Xoxa, edhe një familje me biznese të konsoliduara që nga viti 1995.

Akuza se meqë tek vila e nënës së Ajolës gjenden lodrat e djalit të saj, atëherë ajo është vila e Erion Veliajt, është qesharake dhe absurde.

SPAK nuk e ka thënë këtë gjë për Sali Berishën.

Ai ka qëndruar 10 vite rresht tek vila e tij në Lalëz, të cilën e rrafshoi në 2013 dhe e rindërtoi në 2014, (mund ta verifikoni nga Ortofotot) pa asnjë leje dhe pa deklaruar asnjë shpenzim.

SPAK edhe sot e kësaj dite i referohet asaj si vila e Argitës dhe jo e Berishës.

Pse Berisha ka të drejtë të rrijë tek vila e vajzës së tij, ta rrëzojë dhe ta rindërtojë pa deklaruar shpenzime, dhe SPAK ta quajë “vilë të Argitës”, ndërsa vilën e vjehrrës së Erion Veliajt e quajnë “vilë e Erionit”?!

Madje, te vila e Argitës Berisha nuk kishte vetëm “lodrat” e mbesave, por të gjitha kasafortat me para dhe dokumentet e marra nga zyrat e shtetit shqiptar, dhe zyrën e tij të “Qytetarit Dixhital”.

Ky është një standard i dyfishtë, provokues dhe tërësisht jo profesional.

Unë besoj se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa mund të kenë pasur mundësi financiare të blejnë një vilë, por nuk e kanë blerë, ndoshta për arsye etike, ndoshta sepse nuk e kanë parë të nevojshme.

Por kjo nuk do të thotë se vila e vjehrrës së tij është vila e tij.

Të gjitha këto tregojnë qartë se e gjithë faqja e letrës që ka emrin “Nesti Angoni” është e mbushur me gënjeshtra të verifikueshme, edhe pa filluar hetimi.

Në mënyrë banale, prokurori i çështjes ka konsideruar si “të verifikuar” vetëm faktin që Gentian Sula e njeh Erion Veliajn dhe që ky i fundit banon te “Kodra e Diellit”, dhe kjo ka mjaftuar për të nisur hetimin. Kaq s’ka nevojë të “mësohet” prej Nesti Angonit se e di gjithë Tirana dhe nuk është krim dhe as arsye të nisin hetime.

Krim nuk është të njohësh dikë.

Krim është të targetosh një person për ta ndëshkuar me çdo kusht, duke sajuar letra anonime dhe duke nisur një proces vettingu për pasurinë e rrethit të tij familjar motivuar ose politikisht, ose personalisht.

Dhe ky është një precedent i rrezikshëm për shtetin e së drejtës. Dhe fatkqësisht nuk ështe rasti i izoluar.

Të fundit

Italia fali zyrtarisht atentatorin turk të Papës

  Në vitin 2000, kur Italia fali zyrtarisht Ali Mehmet Agcën, atentatorin turk që kishte qëlluar Papa Gjon Palin II...

Humbi fluturimin e ‘Air India’ për shkak të trafikut, rrëfehet gruaja: Ndihem me fat

Një grua ka shpëtuar për pak nga tragjedia pasi humbi avionin Air India AI171 vetëm 10 minuta para nisjes, një fluturim që përfundoi në...

Rrëzohet në banesë 43-vjeçari në Pogradec, humb jetën në vend

Një 43 vjeçar është rrëzuar në banesë dhe ka humbur jetën në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 1 të qytetit. Ambulanca ka shkuar në vendin...

Midis trillimit dhe realitetit

Nga Ben Andoni A shpërdorohen rregullisht zgjedhjet tek ne?! Pse përdoret rëndom çdo aset i partisë në fuqi për të fituar? Pse nuk i pranon...

13 qershor 1917/ Qindra të vdekur nga bombardimi gjerman mbi Londër

Më 13 qershor 1917, Londra përjetoi një nga bombardimet më të rënda gjatë Luftës së Parë Botërore, kur avionë bombardues gjermanë Gotha G.IV sulmuan...

Lajme të tjera

Web TV