Në një postim të tij në Facebook, ish-presidenti Ilir Meta ka shprehur kritikën e tij për modelin aktual të ekonomisë shqiptare, duke e konsideruar atë si një dështim të theksuar.
Ai thekson se raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) konfirmon analizën e Partisë së Lirisë mbi dështimin e modelit ekonomik të qeverisë aktuale dhe tregon se prioritetet e Partisë së Lirisë janë rruga më e drejtë për një ndryshim real dhe afrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas raportit të FMN, ekonomia shqiptare ka arritur rritje të mbështetur nga kërkesa e brendshme, përfshirë shërbimet dhe turizmin, por rritja afatmesme në periudhën 2014-2024 ka mbetur nën nivelet e para-krizës financiare globale të vitit 2008. Ilir Meta thekson se sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, si industria, bujqësia dhe energjia, vazhdojnë të regjistrojnë rritje negative, duke reflektuar përkeqësimin e sektorëve të prodhimit të të mirave materiale.
Në postimin e tij, Meta thekson gjithashtu rënien e punësimit dhe uljen e eksporteve, duke theksuar se prodhimi i brendshëm bruto (PBB) për frymë është më i ulët se mesatarja e BE-së, dhe rritja ekonomike është shumë e ngadalshme për të arritur nivelin e kërkuar për një konvergjencë me standardet e Bashkimit Europian.
Meta kërkoi një ndryshim urgjent të modelit ekonomik të vendit, duke theksuar se Partia e Lirisë është e angazhuar për një model të ri ekonomik, i cili do të liberalizojë ekonominë, do të heqë monopolizimin e disa sektorëve dhe do të fokusohet në uljen e taksave dhe rritjen e konkurrencës së ndershme./ S,M