Reforma në Drejtësi po përballet me një situatë të tensionuar. Liderat politikë në të dy krahët vijojnë sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që po hetojnë çështje të rëndësishme. Dje ka reaguar Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë lidhur me akuzat e kryeministrit Rama.
Gjithashtu edhe Komisioni Europian në një deklaratë zyrtare shprehu vlerësime për Prokurorinë Speciale në betejen e saj për të ndëshkuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Tensionet mes politikës dhe drejtësisë janë rritur ndjeshëm pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me vendim të Gjykatës së Posaçme. SPAK kërkoi arrestimin e tij me akuzën e korrupsionit në aferën e inceneratorëve, ndërsa gjykata vlerësoi masën e sigurisë dhe vendosi “arrest me burg” për Veliajn.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta nga liderët politikë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës, Sali Berisha, të cilët kanë sulmuar hapur gjyqtarët dhe prokurorët e çështjes. Në përgjigje të deklaratave politike, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kanë dalë me qëndrime të forta, duke dënuar çdo formë presioni mbi sistemin e drejtësisë.
KLGJ deklaroi se “çdo përpjekje për të ndikuar në vendimet e gjyqësorit përbën një kërcënim serioz për demokracinë dhe sundimin e ligjit.” Sipas këtij institucioni, gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo formë trysnie apo ndërhyrjeje në ushtrimin e detyrës së tyre. Nga ana tjetër, KLP mbështeti prokurorët e SPAK-ut dhe kërkoi nga politika dhe media që të respektojnë pavarësinë e tyre.
“Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent,” thuhet në deklaratën e KLP-së. Ndërsa një tjetër mbështetje institucionit më të “anatemuar” nga politika I ka ardhur edhe nga institucionet ndërkombëtare. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar pas vlerësimit pozitiv nga Komisioni Europian për rezultatet e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë takimit të 16-të të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, zhvilluar më 11 dhe 12 shkurt 2025, Komisioni Europian e cilësoi SPAK-un si një element kyç të reformës në drejtësi. Në një deklaratë publike, SPAK ka ndarë një pjesë të mesazhit të Komisionit Europian, ku theksohet se pavarësia dhe roli i institucionit në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve komplekse kanë qenë thelbësore për përparimin e Shqipërisë.
“SPAK ka kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të ndërtuar një historik të besueshëm rezultatesh kundër krimit të rëndë, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë”, thuhet në deklaratën e KE-së.
Berisha-Meta-Rama “bashkë” kundër SPAK dhe GJKKO-së
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar hapur vendimin e gjykatës dhe ka akuzuar prokurorin Ols Dado për qasje të njëanshme. Ai ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si drejtësia po trajton këtë çështje dhe ka folur për një mungesë standardesh në vendimmarrje. Ndërkohë, Sali Berisha ka vazhduar sulmet ndaj SPAK dhe kreut të tij, Altin Dumani, duke i akuzuar për veprime selektive dhe përndjekje politike.
Ai e ka cilësuar arrestimin e Veliajt si një skenar të mirëmenduar nga mazhoranca për të shpëtuar figura të tjera politike të përfshira në çështje korruptive. Nga ana tjetër ish-presidenti Ilir Meta, para dhe pas arrestimit nuk ka reaguar ashpër, deri në fyerje ndaj prokurorëve dhe kreut të SPAK, Dumani. Në këtë klimë tensioni, KLGJ dhe KLP kanë bërë thirrje që çdo pakënaqësi ndaj vendimeve të drejtësisë të shprehet përmes rrugëve ligjore dhe jo përmes deklaratave që minojnë besimin tek institucionet.
Ata kanë rikujtuar se në një vend që po përmbush kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes ankimimit në instancat më të larta. Reforma në Drejtësi ka qenë një nga proceset më të rëndësishme në Shqipëri dhe është mbështetur gjerësisht nga faktori ndërkombëtar.
Megjithatë, përplasjet e fundit tregojnë se sistemi i ri gjyqësor po has rezistencë të fortë nga të gjitha anët e politikës. Sulmet e njëkohshme nga mazhoranca dhe opozita ndaj SPAK dhe GJKKO tregojnë se procesi i reformës mbetet i brishtë.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse institucionet e reja të drejtësisë do të mund të qëndrojnë të paprekura nga presioni politik dhe të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, siç e kërkon Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.