Partia e Lirisë ka zhvilluar një takim me diasporën shqiptare në Milano të Italisë.
Qëllim i këtij turi është sensibilizimi i emigrantëve që të regjistrohen për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Lajmin e ka shpërndarë sot nga qelia në rrjetin social Facebook edhe kryetari Ilir Meta, i arrestuar prej 21 Tetorit 2024 për tre akuza nga SPAK dhe me masën “arrest me burg” nga GJKKO. Ai ka publikuar edhe një album fotosh nga takimi.
“Me përfaqësuesit e komunitetit të dashur të shqiptarëve në Milano, drejtuesit e Partisë së Lirisë, prezantuan sot 5 Prioritetet tona madhore për 4 milion shqiptarë plus dhe në veçanti Programin tonë të shkëlqyer për përfshirjen dhe pjesëmarrjen më aktive të diasporës në proceset vendimmarrëse në Shqipëri!”, shkruan ai.
Teksa më tej apelon edhe për regjistrimet në KQZ.
“U bëj thirrje të gjithë njerëzve tanë në diasporë të regjistrohen sa më parë, se 11 Maji është mundësia e tyre historike për të ndëshkuar me votë atë që i largoi qëllimisht, që i la prindërit e tyre me pensione mjerane, që u zhvlerëson çdo ditë edhe remitancat që dërgoni për prindërit me 50% të vlerës së tyre. Çdo votë e juaja është votë për rotacionin, për ndryshimin dhe për shpëtimin e shumëpritur të Shqipërisë nga Narkoshteti që dëboi në emigrim mbi 1 milion shqiptarë!”, shkruan Meta ndër të tjera.