Tirana 2.0 e Bledi Shkëmbit ka nisur të japë shenja jete. Pas barazimit në derbi përballë Partizanit, bardheblutë ia dolën të marrin sot një fitore tepër të rëndësishme në “Elbasan Arena”, ku përballë kishin Skënderbeun.
Kryeqytetasit triumfuan me rezultatin 1-0 dhe arrijnë të ngjitet në vendin e shtatë duke u larguar përkohësisht nga zona e ftohtë.
Ishte Bajroviç ai që vendosi diktatin e kësaj sfide në fund të saj, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.
Pas ndeshjes, trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi kritikoi lojtarët e tij pavarësisht fitores.
“Kemi vuajtur shumë gjatë javës nga mungesat. Bëmë një ndeshje mos të them të dobët se morëm 3 pikë. Një nga ndeshjet më pak të mira të paktën nën drejtimin tim tek Tirana. Fati na ka kthyer atë që nuk na ka dhënë në ndonjë ndeshje tjetër. Falëm shumë topa shumë pasime të thjeshta. Vuajtëm në pjesën e dytë nga gabimet e pjesës së parë, Humbnim topin shpejt dhe ata shpejtë. Dëshira për 3 pikë vinte vetëm kur merrnim topin në kontroll”, u shpreh Shkëmbi.
Ndërkohë, trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka duket se shprehur rezerva për gjykimin, duke u ndalur te episodi i penalltisë që solli golin e vetëm të sfidës.
“Ndeshja deri diku ishte e barabartë, e cila u nda tek penalltia. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme që duhet të luftonim gjithçka. Kjo humbje na fut në shumë ngarkesë psikologjike. Ne do vazhdonim të ishim në idetë e pjesës së parë, ndoshta kishte ndonjë moment të vështirë. Ne kemi patur problematikat tona me Nikaj, të vijë në formën më të mirë është e vështirë. Ne po mundohemi të japim më të mirën e mundshme me organikën që kemi. Situata rëndohet, skuadra u mundua të japë maksimumin, matematikisht do jemi në lojë. Ekipi do japë maksimumin, inshalla herën tjetër kemi fat të marrim edhe ne një penallti”, u shpreh Gjoka.
Sakaq në sfidat e tjera të javës së 25-të të Superligës, Laçi triumfoi në shtëpi 3-0 ndaj Teutës. Protagonisti kryesor në këtë sfidë ishte Ëilliam Cordeiro Melo, i cili shënoi dy gola për bardhezinjtë.
Egnatia vijoi ecurinë pozitive në kampionat duke mposhtur me rezultatin 2-0 Partizanin dhe udhëheqin tashmë kampionatin me 48 pikë.
Dinamo dhe Vllaznia nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola, ndërsa në sfidën tjetër, Bylis dhe Elbasani ndanë nga një pikë, duke shënuar nga 1 gol secila.
Me këto rezultate korçarët e Skënderbeut mbeten në vendin e fundit, ndërsa në të nëntin zbret Teuta dhe një vend më sipër ndodhet Bylisi./e.t