Kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali, ka uruar ditën e sotme në hapje të seancës së Kuvendit, 17 vjetorin e pavarisë së Kosovës.
Ajo u shpreh se presin që të vijohet bashkëpunimi me institucionet e reja që do të krijohen pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë.
‘Sot është një ditë e madhe. Sot është një ditë historike, për Kosovën, Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Para se të fillojmë me rendin e ditës, sot, në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e cila ka hyrë në histori si Dita e Pavarësisë së Kosovës, ju ftoj që nga kjo sallë, ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, t’u përcjellim urimet vëllazërore me një duartrokitje popullit, Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës. Nën frymëzimin e Presidentit Ibrahim Rugova, qytetarët e Kosovës i rezistuan paqësisht dezintegrimit të egër të ish-Jugosllavisë dhe më pas, u përgjigjën edhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dy ndeshje me sakrifica të paimagjinueshme, në një front për jetë a vdekje, në një sfidë mes qytetërimit, barbarisë e terrorit, në fund të shekullit të XX-të. Mirënjohje pafund për gjithë martirët e asaj lufte, për gjithë ato jetë që u prenë në mes në këmbim të lirisë.Në këtë ndeshje të pashembullt, në krah të popullit të Kosovës dhe shqiptarëve të rajonit, ishte aleanca më e madhe politiko-ushtarake, e cila luftoi dhe fitoi betejën e parë antifashiste në Evropë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Kosova ishte në ato muaj dramatikë ndërgjegja e lënduar e qytetërimit perëndimor, që vendosi t’i përgjigjet me forcën e të drejtës, forcës së verbër të regjimit gjakatar të Beogradit. Mirënjohje pafund për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe e BE-në, NATO-n dhe gjithë vendet e tjera mike që bashkëmundësuan lirinë e Kosovës. Sot, Republika e Kosovës dhe Shqipëria janë dy gjysma të të njëjtës aspiratë, për t’u bërë së afërmi pjesë e Bashkimit Evropian. Janë dy flamuj, por një komb e një gjuhë. Ne, në Kuvendin e Shqipërisë mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin e paprerë, jetik e strategjik me institucionet e reja të Republikës së Kosovës që do të dalin nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke respektuar e nderuar shprehjen e lirë të vullnetit dhe votës së qytetarëve të Kosovës’,/k.k