Kohët moderne na kanë sjellë disa probleme që ndoshta as vetë nuk i mendonim. Për shembull, bateria e celularëve. Do thoni ju çfarë problemi është ky? Epo shumë njerëzve u është bërë fiksim që ta kenë 100% shumicën e kohës. Të tjerë e kanë bërë zakon që ta fusin në karikim pasi të flenë gjumë. Por a e dini që këto janë gabim?
Në këtë artikull, do të hedhim pak dritë për të gjithë ju që jeni të interesuar si ta mbani sa më mirë celularin dhe jetëgjatësia e baterisë të jetë sa më e madhe.
Po e nisim me llojin e baterive.
Celularët përdorin baterinë litium-jon, njësoj si edhe laptopët dhe shumë pajisje të tjera teknologjike ditët e sotme. Teknologjia litium-jon u zbulua në vitet ’70 dhe filloi të bëhej pjesë integrale e teknologjive portabël, pra të lëvizshme, në vitet ’90.
Me pak fjalë këto bateri mund të mbajnë një sasi të madhe energjie në një hapësirë të vogël, duke u karikuar shpejt dhe duke rënë më avash se llojet e tjera të baterive.
Po si punojnë ato?
Një bateri bën elektricitet nga një reaksion kimik. Kur e karikoni e përdorin elektricitetin për të ndryshuar reaksionin. Bateria ka tre pjesë kyçe; dy elektroda (anodën dhe katodën) dhe një elektrolit. Kur përdorni celularin, jonet litium lëvizin nga anoda në katodë përmes elektroliteve. E kundërta ndodh kur futet në karikim.
Por pavarësisht se këto lloj baterish janë më të mira se llojet e tjera nuk do të thotë se janë perfekte.
Për shembull; siç mund ta keni vënë re me kalimin e viteve jetëgjatësia e baterisë përkeqësohet. Kjo sipas ekspertëve ndodh për shkak të konsumit të brendshëm elektrokimik. Reaksioni kimik që mbush bateritë, bën po ashtu që me kalimin e kohës të degradojnë.
Pra me pak fjalë, që nga dita e parë që nis ta përdorësh, bateritë nisin të bien. Zakonisht bateritë zgjasin rreth 500 cikle karikimi, ose rreth dy deri në tri vite para se kapaciteti i tyre të zvogëlohet.
Në vitin 2023, BE prezantoi një ligj të ri dhe nga 2027 i kërkon prodhuesve që të sigurojnë se klientët mund të heqin dhe zëvendësojnë bateritë në smartfonë, tabletë dhe pajisje të tjera elektronike pa ndihmën e specialistëve.
Kjo na kthen pas te celularët e vjetër që mjafton t’u hiqnim bateritë nga mbrapa dhe t’i ndërronim.
Por ka edhe disa gjëra që ne mund të bëjmë për të ruajtur jetëgjatësinë e baterive. Po ua prezantojmë këtu:
E para gjë është se nuk duhet të fiksohemi me mbushjen e baterisë në kapacitetin maksimal, pra 100%. Kjo i dëmton këto lloj baterish sipas ekspertëve. Më e mira për jetëgjatësinë e baterisë do ishte nëse karikimi do të qëndronte mes 20 deri në 80%.
Kjo është arsyeja që shumë ekspertë rekomandojnë që celulari të karikohet brenda ditës. Pra duhet të mos jetë bosh, por as plot. Me pak fjalë diçka e mesme.
Shumë celularë i kanë të integruar vetë sistemet që nuk e lejojnë karikimin të shkojë mbi 80%.
Një rol të rëndësishëm luan edhe temperatura. I nxehti dhe i ftohti ekstrem mund të çojnë në degradimin e elektrodave duke ndikuar edhe në katodë. Kjo është arsyeja pse këshillohet që celulari të mos përdoret gjatë kohës që karikohet.
As vendosja e celularit në jastëk ose batanije nuk është ideja më e mirë sepse do ta ngrohë më tepër (plus ka edhe një rrezik zjarri).
Problem janë edhe karikuesit super të shpejtë. Sipas ekspertëve, përtej komoditetit që ofrojnë, përdorimi i tyre i shpeshtë mund të jetë i dëmshëm. Për këtë arsye do ishte më e mirë të përdoreshin karikuesit e rekomanduar nga prodhuesit e celularit./ KB