Meteorologia Lajda Porja ishte këtë të martë në një lidhje direkte ku bëri parashikimin e motit për fundin e muajit shkurt por dhe ditën që na presin në vijim. Ajo tha se shkurti pritet të mbyllet me normalizim të temperaturave, ndërsa shtoi se në disa vende të veriut mund të ketë dhe prezencë të flokëve të dëborës.
“Ditën e sotme kemi patur një përmirësim të reshjeve edhe pse në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje me intensitet të ulët. Tashmë vazhdojnë kthjellimet por nuk do të mungojnë flokët e dëborës në zonat veriore. Bregdeti dhe zona e ulët do ketë një përmirësim me prani të diellit ditën e mërkurë, pra do kemi një mot përgjithësisht të kthjellët.
Sot gjatë natës do ketë një masë të ftohtë siberiane drejt gadishullit të Ballkanit duke bërë që të kemi diell por temperatura të ulëta, më së shumti mëngjeseve”, tha meteorologia. Ajo thekson se kur pritet të jetë dita më e ftohtë e javës, si qëndron moti në fundjavë dhe gjithashtu duke bërë dhe një parashikim për javën e ardhshme.
“Dita më e ftohtë parashikohet të jetë dita e enjte me një minimum -7 gradë. Në zonat e juglindjes varion në -4, ndërsa në kryeqytet do jemi në vlera pozitive me një maksimum 12 gradë.
Në fundjavë masa e ftohtë fillon të largohet. Do kemi normalizim të temperaturave në javën e fundit të shkurtit, temperatura të cilat do të arrijnë 14-15 gradë. Java tjetër do jetë me temperaura shumë më të pranueshme sesa këto ditë të ftohta që po lëmë pas.
Sa i përket motit në Rajon, në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut do kemi temperatura akoma më të ulëta, të cilat zbresin deri në -9 gradë. Sot dhe nesër do ketë reshje të pakta, por dhe prani të ngricave në disa akse rrugorë”, tha Lajda Porja./e.t