Vijojnë sulmet politike në drejtim të Prokurorisë Speciale SPAK, ku ditën e djeshme si Sali Berisha ashtu edhe Ilir Meta e kanë akuzuar institucionin e akuzës për “përndjekje politike”. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama pas një serie deklarimesh kundër SPAK, ka zbutur tonet, tashmë edhe si një taktikë politike në prag të zgjedhjeve.
Kreu i PD-së Sali Berisha dhe i PL-së, Ilir Meta, kanë shprehur qëndrime të njëjta në sulmin e tyre ndaj SPAK, duke e cilësuar atë si një strukturë politike nën kontrollin e kryeministrit Edi Rama. Të dy liderët opozitarë kanë akuzuar organin e akuzës për njëanshmëri dhe përndjekje selektive, duke e bërë të qartë se pas 11 majit synojnë një reformë të thellë në drejtësi. Nga burgu, Ilir Meta ka deklaruar se reforma në drejtësi ka degraduar në një instrument të qeverisë për të goditur kundërshtarët politikë. Sipas tij, situata aktuale kërkon një rivlerësim të thellë të mënyrës se si është zbatuar reforma dhe rolin që ka luajtur SPAK. Ai ka propozuar një proces të ri vettingu për drejtësinë, që duhet të udhëhiqet nga Komisioni i Venecias, për të evidentuar deformimet që, sipas tij, janë bërë në sistemin gjyqësor. “Bashkë me Komisionin e Venecias të bëjmë vettingun e zbatimit të Reformës në Drejtësi që do të evidentojë të gjitha ato paralajmërime që bëri Komisioni i Venecias që do vinin nga kapja e sistemit nga një palë. pasojat mbetën dhe tani SPAK-u na doli që qenka i Ramës, siç unë e kam thënë që në krye të herës. Ky sistem kontrolli është edhe në Bjellorusi. Ndërsa ndëshkimet në nivelet më të larta kanë qenë në kohën e Enverit”, shkruan Meta në rrjetet sociale nga qelia nr 5 e burgut 313 ku ndodhet prej tetorit të vitit të shkuar. Në një reagim të ashpër, Meta ka krahasuar SPAK-un me strukturat e drejtësisë së kohës së Enver Hoxhës, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të kapur nga pushteti. Nga ana tjetër, Sali Berisha ka përsëritur qëndrimin e tij kundër SPAK, duke deklaruar se Shqipëria nuk do të ketë një prokurori politike. Ai e ka akuzuar këtë institucion se është shndërruar në një mjet të Edi Ramës për të arrestuar opozitën dhe për të rrëmbyer mandate të zgjedhura nga qytetarët. “Ata që duan të mendojnë se vërejtjet e mia për Skrapin e partisë kanë të bëjnë me, jo jo, kanë të bëjnë pikërisht për një prokurori që nuk bën politikë, që nuk shndërrohet në satër për rotacionin, që nuk bën drejtësi të dirigjuar, që nuk shet dosje dhe nuk fle mbi krimin”, tha Berisha. Sipas tij, ndalimi i tre liderëve të opozitës dhe fakti që SPAK nuk ka hetuar asnjë rast të krimit elektoral, është një dëshmi e qartë e rolit politik që luan kjo prokurori. Berisha ka cituar deklaratat e zv/presidentit të SHBA-së JD Vance, duke argumentuar se në një sistem demokratik nuk mund të fitohen zgjedhjet duke arrestuar kundërshtarët politikë. Ai e ka konsideruar SPAK-un si një strukturë që është përdorur për të zhbërë opozitën, ndërsa ka deklaruar se pas 11 majit drejtësia do të rikthehet në shinat e shtetit ligjor. Argumenti kryesor i opozitës është se SPAK ka vepruar si një organ politik, duke goditur vetëm opozitën, ndërsa ka anashkaluar aferat e qeverisë dhe krimin elektoral. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj këtyre akuzave duke zbutur tonin ndaj drejtësisë dhe duke e pranuar se reforma ka nevojë për reflektim. Ai ka theksuar se SPAK nuk është një produkt i ndërhyrjes amerikane, por një strukturë e ndërtuar nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj, duke lënë të kuptohet se mbështetja ndërkombëtare për këtë organ nuk është më e njëjta si më parë. Rama ka kritikuar nxjerrjen e informacioneve konfidenciale nga hetimet e SPAK dhe i ka quajtur të papranueshme disa prej metodave të përdorura nga ky institucion. Megjithatë, ai ka lënë të kuptohet se mbështet ekzistencën e SPAK, duke e konsideruar Partinë Socialiste si të vetmen garanci për vijimin e reformës në drejtësi. Pavarësisht retorikës së tij të zbutur, kreu i qeverisë nuk ka hezituar t’i kujtojë SPAK-ut se është mazhoranca socialiste ajo që i garanton mbijetesën. “E thotë troç na jepni votën të shkrijmë SPAK-un. SPAK-u ka vetëm një garanci, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe unë në krye të saj”, tha Rama në “Sy më sy”. Ai ka pranuar hapur se nuk ka qenë dakord me ndalimin e Erion Veliajt dhe e ka cilësuar atë si një veprim disproporcional dhe të panevojshëm. Kjo deklaratë është parë si një sinjal i qartë për SPAK, se mbështetja e qeverisë për këtë institucion nuk është e pakushtëzuar. Por megjithatë qëndrimet e Ramës ditën e arrestimit të Veliajt dhe më pas në vijim ishin mjaft të shpra duke u shprehur se “SPAK ka dalë nga shinat kushtetuese”, apo edhe se “nuk do lejohet republika e prokurorëve”. Gjithashtu ai “premtoi” se pas zgjedhjeve duke qenë i sigurt në mandatin e katërt një nga institucionet që do e “demokratizonte” sipas tij do të ishte SPAK. Për të paktën katër ditë radhazi, tre liderët kryesorë politik u bënë bashkë në qëndrimet e ashpra ndaj Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Speciale.