Talljet dhe denigrimi mes të rinjve vitet e fundit janë kthyer në probleme të mprehta në shkolla, që në shumë raste kanë shkaktuar situata të rënda tek të rinjtë, madje edhe tentativa për vetëvrasje.
Për Etleva Memia, punonjëse për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, rastet jo vetëm janë shtuar, por janë përhapur edhe në shkollat 9-vjeçare.
“Në 2024 zyra e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve ka menaxhuar 33 raste të fëmijëve me probleme në sjellje, sociale, bullizim, ngacmime seksuale etj. Është një shifër e konsiderueshme, më dominante është dhuna që ata kanë ndër vete, përdorimi i biçakëve që ata i gjejnë lirshëm në treg dhe këto elementë i shohim shumë të zhvilluar në shkollat 9 vjeçare. Ndikimi kryesor janë rrjetet sociale, ne i mëshojmë Tik Tokut gjithmonë, por është snapchati ai i cili i çon fëmijët në këto situata”, thotë Memia.
Ka raste të shumta kur fëmijët dëmtojnë veten me mjete prerëse pasi nuk ja dalin dot t’i bëjnë ballë presionit që shkaktohet nga bashkëmoshatarët apo rrjetet sociale. Fenomeni vihet re si tek vajzat edhe tek djemtë.
Por kush janë ata që bullizojnë?
“Kemi edhe fëmijë që vijnë nga familje shumë të rregullta të cilët përfshihen si pjesë e një grupi. Nga familje me probleme sociale të theksuara, ku njëri prind jeton jashtë dhe kanë humbur kontrollin, ka nëna që punojnë dhe nuk e kanë vëmendjen tek fëmija. Ka fëmijë që vijnë nga familje ku prindi është i alkoolizuar dhe këtë situatë fëmija e reflekton tek shokët dhe shoqet në shkollë”, shprehet ajo.
Por nëse kërkon ndihmë sigurisht që arrin dhe rezultate. Kjo 16 vjeçare, 4 vite më parë u përball me sulme dhe denigrime të vazhdueshme në internet, ajo arriti deri atje sa tentoi vetëvrasjen. Por ndryshe nga të tjerë ajo kërkoi ndihmë dhe foli, falë kësaj arriti të dalë nga bota e errët ku kishte rënë.
“Nisi duke më marrë fotot në rrjetet e mia sociale duke i shpërndarë shoqet që unë kisha besim të fortë me komente fyese, denigruese në TikTok. Më pas kalova në një gjendje shumë të rëndë emocionalisht, hyra në një botë shumë të errët ku gjykoja veten se përse. Mendoja aktin më të rëndë, vetëdëmtimit ose vetëvrasjes. Në fillim isha shumë kokëfortë për t’u shprehur por më pas ja dola. U rebelova, fillimisht në familje, i kthehesha shumë keq mamit, më pas në klasë. Bullizmi nuk shërohet lehtë, zgjati deri në 3-4 vite, sot jam shumë krenare, me besim të gurtë që s’mund të ma thyejë askush”, tregon e mitura.
Për specialisten e fushës problemi i parë është familja, pastaj vjen shkolla dhe shoqëria, ndaj puna më e madhe duhet të bëhet në familje me fëmijët.
“Ka prindër, ka nëna të cilat mundohet ta fshehin në sy të baballarëve, nuk tregojnë që fëmija pi duhan, ka probleme në sjellje, nuk frekuenton shkollën etj. Sado nënat janë të rëndësishme ato ndikojnë edhe për të fshehur problemet e fëmijëve të tyre”, thotë Memia.
16-vjeçarja e cila ja ka dalë të përballojë bullizmin ka një mesazh për të rinjtë si ajo.
“T’i themi jo bullizmit, të shprehemi që ta bëjmë shpirtin tonë të ndihemi më mirë dhe të mos lejojmë askënd të na uli, kemi institucione posaçërisht për këtë gjë”, apelon 16-vjeçarja.
Konfliktet me armë të ftohta mbeten po ashtu një problematikë ku në 4 vitet e fundit janë shënuar 26 raste të tilla./ S,M