Agron Duka u shpreh se do të kenë një deputet të sigurt në listat e mbyllura të PD-së, sipas marrëveshjes së bërë me aleatin në opozitë.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste sqaroi se Kodi Zgjedhor nuk i favorizon, ndaj edhe i janë bashkuar PD-së dhe do e respektojnë marrëveshjen me ta deri në fund.
Por ai ngriti shqetësime për përçarjen e opozitës, sidomos fraksionet që i janë shkëputur PD-së, që nga Lulzim Basha, Agron Shehaj, Enkelejd Alibeaj dhe të tjerë. Kjo përçarje sipas tij, nëse nuk bashkohen, do i dëmtojë më 11 maj dhe është anë negative. Por theksoi se korrupsioni ku është futur qeveria ka krijuar pakënaqësi në masën popullore dhe kjo është ana pozitive.
“Një kandidat i PAA do jetë në listat e mbyllura të PD. Në lidhje me shkëputjen time mund të them se partitë e mëdha duan vendime të mëdha. Një anije si e jona nuk besoj se e ndjen shumë tronditjen me ikjen time nga gara për deputet, madje rinovohet edhe partia me gjak të ri. Ju e keni parasysh se çfarë ndodhi me zotin Sali Berisha me largimin e tij nga PD, tërheqja e tij më 2013 ka qenë pak a shumë në moshën time, gabim i Bashës që e largoi nga partia, por ai është rikthyer dhe nuk ka njeri tjetër që e bën më mirë këtë punë. Pra largimi i Berishës nga largimi i PD e tronditi partinë, kurse te ne, jemi parti të vogla. Basha bëri taktika negative me lëvizjet e tij në opozitë në drejtim të saj”, tha Duka.
Ai e sheh me negativitet të madh përçarjen brenda opozitës dhe veçanërisht te PD.
“Ata që kanë ikur nga PD mund të dëmtojnë opozitën dhe këto janë anët negative. Nëse do ishin bashkë do ishte frymë tjetër, nëse do ishin altruistë. Flas këtu për Bashën, Shehajn, Djathtas 1912 dhe të tjerat që janë larguar nga PD. Ka largime të shumta nga trungu i PD-së dhe kjo solli dëm, është anë negative. Ikja e tyre sjell humbje votash. Pozitive është fakti se njerëz të qeverisë po dalin si të korruptuar nga qeverisja që ka pasur, edhe pse kryeministri Rama po mundohet ta zbusë, sepse ajo i takon. Por në bazë shikoj se ka pakënaqësi të madhe dhe opozita ngacmon nervin”, shpjegoi ai.
Duka shpjegon edhe shkakun pse është bashkuar me PD, teksa kanë siguruar një emër në listat e mbyllura.
“Kodi Zgjedhor nuk na lë hapësira të shumta. Kemi bërë një kontratë me PD-në dhe do i qëndrojmë deri në fund asaj. Me PD u bashkuam prej Kodit, sepse s’na favorizon. Ka një revoltë dhe shpresojmë të kthehet në votë. Rama po luan me intelektin e njerëzve, kur u votua me 74 vota dhe tani pas 12 vitesh pret 100 vota deputetësh, nuk besoj se i merr aq. Do jetë mirë të mos e bëjë asnjë parti vetëm qeverinë. Do timonin vetë, do ta heqi vetë vallen, por nuk është mirë kështu, pasi kur ke aleatë shërben për zbutje të drejtimit”, tha kreu i PAA.
Ai parashikoi se pavarësisht frymës, partitë e vogla nuk mund të shkojnë më shumë se 1-2 deputetë, por votat e tyre të fragmentarizuara dëmtojnë opozitën në tërësi.
“Partitë e reja uroj që mos të marrin vetëm vota, por edhe mandate, se ajo ka rëndësi. Por këto nuk duhen parë 6 muaj para zgjedhjeve, sepse kur vjen dita e votimit, qytetarët shkojnë tek partitë e mëdha. Ndaj ne si parti e vogël nuk favorizohemi dhe na detyroi të bashkohemi me PD. Besoj se ky do jetë fundi i tyre, vështirë që të përkthehen në mandate me kapërcime si 8 mandate, 20, 70 apo më shumë. Shpresoj dhe besoj diku aty te 1 apo dy mandate, pra shpresoj që ato vota që kanë të përkthehen në deputetë”, shprehet Duka./e.t