Manchester United ka zbuluar se sa para kanë shpenzuar për shkarkimin e Erik ten Hagut , pasi borxhi i pronarëve Glazer arriti në 1 miliard paund.
Ten Hag u shkarkua nga “Djajtë e kuq” në tetor pasi fituan vetëm tri nga nëntë ndeshjet e tyre të para në Premier Ligë. Klubi largoi gjithashtu stafin e holandezit pasi Ruben Amorim erdhi me skuadrën e tij të ndihmësve. Por nëse shkarkimi i Ten Hagut ishte i pritshëm, surprizë ishte ajo që ndodhi në fillim të dhjetorit, kur u njoftua se drejtori sportiv Ashworth do të largohej pas vetëm pesë muajsh në detyrë.
Tashmë klubi ka konfirmuar koston e shkarkimit të tyre. Në rezultatet fiskale të tremujorit të dytë të klubit për vitin 2025 të publikuara të mërkurën, binte në sy se United shpenzoi 14.5 milionë paund për divorcin me dy drejtuesit: 10.4 milionë paund për të shkarkuar Ten Hagun dhe stafin e tij dhe 4.1 milionë paund për largimin e Ashworth.
Kostot e interesit që prej blerjes së klubit nga familja amerikane në vitin 2005 e kanë arritur shifrën e 1 miliard paundëve. Ndërsa borxhi total i “Djajve” është 731 milionë paund, 300 milionë paund të tjera janë borxhet nga transferimet./ D.C