George F.Kennan, ndodhej në ambasadën e SHBA-së në Moskë, në postin e këshilltarit që nga viti 1944. Edhe pse kishte shumë kritika ndaj sistemit sovjetik, gatishmëria brenda Departamentit Amerikan të Shtetit, ishte ruajtja e miqësisë me sovjetikët, pasi ata qenë një aleat i rëndësishëm në luftën kundër Gjermanisë naziste. Në shkurtin e vitit 1946, Thesari i Shteteve të Bashkuara i kërkoi shpjegime Ambasadës Amerikane në Moskë, se përse sovjetikët nuk po e mbështesnin Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, institucione këto të krijuara vetëm pak kohë më parë.
Në përgjigje, Kennan shkroi atë që hyri në histori si “Telegrami i Gjatë”, duke paraqitur mendimet dhe pikëpamjet e tij mbi sovjetikët. Midis pjesëve të tij më të famshme, ishte ajo sipas së cilës ndërsa pushteti sovjetik ishte i papërmbajtshëm ndaj logjikës së arsyes, por shumë i ndjeshëm ndaj logjikës së forcës. Kennan parashtroi më pas disa koncepte, që u bënë themeli i politikës amerikane gjatë të Luftës së Ftohtë:
– BRSS e percepton veten në një luftë të përhershme me kapitalizmin;
– Socializmi dhe demokracia sociale janë armiq, dhe jo aleatë;
– BRSS, do të përdorë si aleatë marksistët e kontrollueshëm në botën kapitaliste;
– Agresioni sovjetik, nuk ishte në thelb i përafërt me pikëpamjet e popullit rus ose me realitetin ekonomik, por me ksenofobinë dhe paranojën historike ruse;
– Struktura e qeverisë sovjetike, ndalonte çdo lloj panorame objektive apo të saktë të realitetit të brendshëm dhe të jashtëm.
Më tej Kennan argumentoi se Bashkimi Sovjetik ishte i ndjeshëm ndaj forcës, dhe se sovjetikët ishin të dobët, krahasuar me botën e bashkuar perëndimore. Ai shtoi se sovjetikët, ishin të pambrojtshëm ndaj paqëndrueshmërisë së brendshme, dhe se propaganda sovjetike qe kryesisht negative dhe destruktive.
Kennan mbështeti vlerësimin e shëndoshë, edukimin publik, zgjidhjen e problemeve të brendshme të shoqërisë amerikane, duke iu propozuar vendeve të tjera një pasqyrë pozitive të botës që SHBA dëshiron ta shohë, dhe besimin tek superioriteti i mënyrës perëndimore të jetesës, mbi idealet kolektive të komunistëve sovjetikë. “Telegrami i Gjatë”, i dha qeverisë amerikane një kuptim të qartë mbi atë se si qeveria sovjetike e shihte veten në bashkësinë ndërkombëtare. Sipas Kennan, Bashkimi Sovjetik, nuk shihte mundësinë e një bashkëjetese paqësore afatgjatë me botën kapitaliste. Qëllimi i Moskës, ishte të çonte përpara kauzën komuniste.
Kalendar
22 Shkurt 1630 – Kolonët amerikanë, shijojnë për herë të parë misrin e sjellë nga indianët, në tryezën e shtruar me rastin e Ditës së Falenderimeve.
22 Shkurt 1821 – Spanja i shet Floridën lindore Shteteve të Bashkuara për shumën e 5 milionë dollarëve.
22 Shkurt 1848 – Fillon Revolucioni Francez i vitit 1848, i cili do të çonte në themelimin e Republikës së Dytë Franceze.
22 Shkurt 1944 – Lufta e Dytë Botërore:Avionët amerikanë, bombardojnë gabimisht qytetet holandeze Nijmegen, Arnhem, Enschede dhe Deventer, duke shkaktuar mbi 800 të vdekur vetëm në Nijmegen.
22 Shkurt 1958 – Egjipti dhe Siria bashkohen, për të formuar Republikën e Bashkuar Arabe.
22 Shkurt 1972 – IRA shpërthen një bombë të vendosur në një makinë pranë kazermave ushatarake britanike në Aldershot, duke vrarë 7 persona dhe plagosur 19 të tjerë.