Nga Elisa Dedja
Kohët e fundit, bisedat e mia me miqtë emigrantë po kthehen gjithnjë e më shumë rreth idesë së kthimit në shtëpi. Një kthim që dikur dukej si një hap pas, sot po shihet si një zgjedhje e vetëdijshme për një jetë më të qëndrueshme dhe më të mbushur me vlerat që, pavarësisht gjithçkaje, nuk i kemi humbur.
Është e vërtetë që propaganda vijon të ushqejë narrativën e largimit. Madje, edhe ata që ende nuk e kanë provuar emigrimin flasin për ikje si zgjidhjen e vetme. Por kur dëgjon ata që kanë kaluar vite jashtë, realiteti del ndryshe. Nuk është më një ëndërr e mbështjellë me idealizma.
Është një përditshmëri e lodhshme, e ndërtuar mbi një stres konstant, mbi kosto jetese që rriten pa pushim, mbi një sistem që të detyron të paguash edhe për ajrin që merr frymë. Nëse dikur llogaritja ishte e thjeshtë, paga më e lartë, jetë më e mirë, tani shumë po kuptojnë se numrat nuk janë gjithçka. Po, rroga mund të jetë më e lartë, por çfarë vlere ka kur çdo qindarkë e fituar harxhohet në taksa, fatura dhe shërbime që janë të ftohta e burokratike?
Ajo që më godet më shumë në këto biseda është një ndjenjë boshllëku që përshkon fjalët e tyre. Flasin për mungesën e familjes, për një shoqëri që funksionon si mekanizëm, ku gjithçka matet me produktivitetin, ku nuk ka kohë për të ndalur, për të jetuar, për të ndjerë.
E në këtë zbrazëti, gjithnjë e më shumë po rritet dëshira për t’u kthyer. Jo vetëm për veten, por për fëmijët e tyre. Sepse jeta mund të ketë sfida kudo, por një fëmijëri e kaluar mes gjyshërve, prindërve, dhe një rrjeti social që nuk është vetëm virtual, nuk ka çmim.
Shumë prej tyre po e kuptojnë se Shqipëria, pavarësisht sfidave, ka ende një vlerë që shumë vende e kanë humbur: – familjen si bazë të shoqërisë. Po, jemi ende në një periudhë tranzicioni, me një drejtësi që po kërkon rrugën e saj dhe një ekonomi që po përpiqet të stabilizohet. Por në mes të kësaj lëkundjeje, ne kemi një shtyllë që nuk është rrëzuar ende: lidhjen e fortë familjare.
Për disa, kjo është arsye e mjaftueshme për t’u kthyer. Për të tjerë, është një arsye për të mos u larguar fare. Dhe ky është ndoshta ndryshimi më i madh mes asaj që ishte dje dhe asaj që po ndodh sot. Dje, ikja shihej si një rrugë pa kthim.
Sot, gjithnjë e më shumë njerëz po kuptojnë se kthimi nuk është dështim. Është një zgjedhje e vetëdijshme për një jetë me më pak stres, më shumë përkatësi dhe me një ndjenjë që emigracioni nuk e jep dot: – ndjesinë se je në shtëpi./K.K