Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka folur për lidhjen e tij të fortë me Kosovën dhe angazhimin e tij për çështjen e saj gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24.

Ai u shpreh i nderuar për dekoratën e fundit që ka marrë nga Kosova, duke theksuar se vlerësimi i tij për këtë çështje ka qenë gjithmonë përtej konjukturave politike.

“Jam nderuar vazhdimisht nga Kosova. Është kthyer në një ritual, për të cilin do thoja që nuk më jep ndonjë satisfaksion përveç atyre që kam marrë më parë. E kam konsideruar detyrim moral, politik dhe institucional angazhimin për Kosovën dhe e kam parë atë si një pjesë organike të qenies sime”, deklaroi Topi.

Ai rikujtoi një moment kyç nga karriera e tij politike – datën 10 qershor 2007, kur, së bashku me ish-ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, mirëpritën Presidentin e atëhershëm të SHBA-ve, George Bush në aeroportin “Nënë Tereza”.

“Atë ditë erdhi deklarata e tij historike: ‘Koha për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është tani’. Kjo shënoi një dinamikë të re për Kosovën dhe më shumë se 50% e axhendës sime politike ka qenë e përqendruar në mbështetjen e saj”, u shpreh ish-Presidenti.

Topi theksoi se gjatë presidencës së tij, Kosova ishte një temë kryesore në çdo takim ndërkombëtar, dhe shumë liderë e diplomatë kërkonin të dinin qëndrimin e Shqipërisë për këtë çështje. “Të gjithë ata që vinin në zyrën e presidentit donin të dinin cili do ishte perceptimi ynë për Kosovën”, tha ai./K.K