Një ditë pas deklaratës së tij se “streha e fundit e horrave është nacionalizmi”, Sali Berisha ka treguar se nuk e ka më këtë kartë në agjendën e tij politike, të paktën sa i përket marrëdhënieve me Greqinë. Në një deklaratë të fundit, ai ka theksuar se nëse fiton zgjedhjet, do të rikthehet tek marrëveshja e detit, duke e cilësuar atë si më të mirën që Shqipëria ka mundur të sigurojë ndonjëherë.
Megjithatë, marrëveshja e vitit 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim unanim, duke e shpallur atë të pavlefshme. Berisha, nga ana e tij, fajëson për këtë Edi Ramën, pavarësisht se në atë kohë ai kishte vetëm pushtetin vendor. Sipas ish-kryeministrit, pala greke u zhgënjye nga prishja e marrëveshjes, ndërsa sot qeveria Mitsotakis ka një marrëveshje me kabinetin Rama për ta dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare.
Në këtë situatë, deklaratat e Berishës nuk kanë jehonë në politikën greke, përveçse tek aleatët e tij tradicionalë në minoritetin grek dhe ekstremistët e Agimit të Artë.
“STREHA E FUNDIT E HORRAVE ËSHTË NACIONALIZMI”
Një ditë pas kësaj deklarate, Sali Berisha ka dhënë prova, se nga nacionalizmi ka hequr dorë. Duke filluar nga Greqia. Nëse fiton, thotë se do të vazhdojë aty ku e ka lënë: nga marrëveshja me detin.
“Unë u them shqiptarëve se ajo ishte marrëveshja më e mirë që Shqipëria mund të marrë ndonjëherë në të gjitha kohërat. Sepse ajo marrëveshje u firmos në kushtet kur Greqia kishte të deklaruara ujëra territoriale 6 milje. Natyrisht Greqia në ligjin ndërkombëtar kishte të drejtë të plotë të kalonte në 12 milje. Greqia nuk e bëri këtë.”
Sali Berisha tregon kështu se i beson shumë grekëve. Por problem është se atyre nuk u besoi Gjykata jonë kushtetuese. Një vit pas nënshkrimit nga Basha dhe Bakojani, ishte kjo gjykatë dhe jo Edi Rama, që me një votim 9-0, e shpalli marrëveshjen nul. Por për këtë vendim, fajësoi Edi Ramën. I cili në atë kohë kishte vetëm celsat e pushtetit lokal te Tiranës, ndërsa në pushtetin qendror, kishte vetem celësat e kashtes. Berisha thotë se kështu i mërzitëm shumë fqinjët tanë helene.
“Bënë dy vjet negociata duke mashtruar dhe në fund kur shkuan në Korçë për ta firmosur palët, jo, thanë, se kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Me të drejtë pala greke u neverit dhe u tha se ju vendimin e keni pasur aty, pse negociuat dy vjet kur e dinit që kishit vendimin? Nuk është i sotëm vendimi.”
E vërteta është se procesi nisi prej padisë se Partisë Socialiste, asokohe opozitë, por marrëveshja u rrëzua nga nje Gjykate Kushtetuese e cila kontrollohej 100 përqind nga nëntë anëtare të mbështetur nga Partia Demokratike. Por edhe ata gjykates, nuk mundën të mbyllin sytë, para një pazari që bënte që Shqipëria të humbiste 354 km katrorë sipërfaqe uji, në mënyrë që Athina të jepte një dorë për heqjen e vizave për Shqipërinë.
Por megjithë thirrjen e Berishës, për veshët e Athinës, qeveria e djathtë, e drejtuar nga Kiriakos Mitsotakis, e ka një pakt me qeverinë shqiptare të Edi Ramës për ta çuar në Gjykatë Ndërkombëtare. Ndaj dhe deklarata të tilla, nuk i dëgjojnë politikanët grekë. Përveç Dules, Belerit dhe Agimit të Artë./ S,M