Nietzsche, “vdekja e Zotit” dhe morali

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Kaon Serjani

Ka shumë arsye pse dikush do të nxitej të ndërmarrë një hulumtim mbi idetë filozofike të mendimtarit gjerman Friedrich Nietzsche (1844–1900). Para së gjithash, ai është një figurë jashtëzakonisht tërheqëse. Laureati i Çmimit Nobel, Thomas Mann, ka shkruar për të: “Kërkojmë më kot një personalitet më magjepsës se ai i vetmitarit të Sils Marias [Nietzsche]. Megjithatë, kjo është një magjepsje e ngjashme me atë që ka rrezatuar për shekuj nga ai personazh i madh i krijuar nga Shekspiri, princi melankolik i Danimarkës [Hamleti].” [1] Po ashtu, poeti dhe eseisti gjerman Gottfried Benn e ka cilësuar Nietzsche-n si “gjeniu më i madh i gjuhës gjermane që nga [Martin] Luteri.”[2]

Origjinaliteti dhe guximi i Nietzsche-s është, si të thuash, tepër i madh për të mos u studiuar.  Edhe sikur ky angazhim studimi të mos vlente për asgjë tjetër, ia vlen, qoftë edhe vetëm, siç e ka shprehur filozofja Philippa Foot, për “aftësinë e tij për të na zgjeruar imagjinatën filozofike.”[3] Pavarësisht nëse dikush e admiron apo e kundërshton mendimin e tij, angazhimi intelektual me Nietzsche-n do të thotë të përballesh me disa nga pyetjet më të thella dhe më tronditëse mbi të vërtetën, moralin dhe natyrën njerëzore.

Më shumë se një shekull pas vdekjes së tij, shkrimet e Nietzsche-s vazhdojnë të rrëmbejnë vëmendjen e një audiencë të gjerë. Filozofi amerikan Douglas Groothuis vëren se “si brenda ashtu edhe jashtë akademisë, mendimi shumëdimensional i Friedrich Nietzsche-s vazhdon të ngjallë interes dhe të shkaktojë polemika.” [4]

Alan Schrift, një studiues që ka kaluar disa dekada duke studiuar Nietzsche-n, thekson se breza të tërë analizash akademike konfirmojnë statusin e tij si “një nga filozofët më të lexuar” – dhe, për rrjedhojë, një nga filozofët me ndikimin më të madh në mendimin perëndimor bashkëkohor.[5]

Përtej faktit që ai ka gëzuar një popullaritet të vazhdueshëm te lexuesit e zakonshëm, dekadat e fundit kanë sjellë një rritje të jashtëzakonshme në studimet mbi Nietzsche-n. Schrift vëren se “që nga viti 1967, pothuajse dy mijë vëllime të përqendruara kryesisht te Nietzsche… janë botuar në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, dhe janë publikuar ndoshta dhjetë herë më shumë ese, artikuj apo kapituj librash.”[6]  Schrift e shkroi këtë në vitin 2005. Pra, njëzet vite më vonë, numri i vëllimeve është ndoshta shumëfishuar. Duke marrë parasysh këtë numër të gjerë punimesh, ai konkludon: “në fillim të shekullit njëzet e një, do të ishte e vështirë të gjeje një filozof me ndikim më të madh në çështjet filozofike dhe kulturore se Nietzsche.”[7]

Duke marrë parasysh këto vëzhgime, së bashku me idetë filozofike që Nietzsche mbrojti—siç do eksplorohen në këtë studim—është e natyrshme të pritet që mendimi i tij të ketë ndikuar ndjeshëm në kulturën postmoderne në të cilën jetojmë sot. Dhe, me të vërtetë, disa intelektualë e kanë identifikuar botimin e librit Kështu foli Zarathustra në vitin 1883 si fillimin e postmodernizmit.[8] Ka një dakordësi të gjerë mes intelektualëve se tiparet qendrore të mendimit postmodern bashkëkohor—si refuzimi i së vërtetës objektive, moralitetit objektiv dhe kuptimit të qenësishëm të jetës—i detyrohen, të paktën pjesërisht, ndikimit të Nietzsche-s.

Groothuis vëren se “Nietzsche është bërë një lloj profeti pas vdekjes për lëvizjen postmoderne, e cila ngre dyshime ndaj racionalitetit dhe moralit universal, objektivitetit dhe parimeve të krishtera perëndimore në përgjithësi.”[9] Kritiku kulturor britanik, Os Guinness, ndan të njëjtin mendim, veçanërisht në lidhje me pohimin se “e vërteta ka vdekur” në epokën postmoderne.  Ai shkruan:

“Në fund të fundit, Nietzsche dhe dishepujt e tij postmodernë e kanë fituar betejën për momentin. E vërteta ka vdekur, dhe gjithçka është, në rastin më të mirë, relative, e në rastin më të keq, thjesht një çështje e vullnetit për pushtet. Asgjë nuk është ashtu siç duket. Nëse dikur e vërteta ishte qëllimi i shpallur i intelektualëve, sot është e lehtë të lexosh mes rreshtave të studimeve të tyre dhe të dallosh egot e vogla dhe ambiciet e ndyra që fshihen pas aspiratave madhështore për të vërtetën. Siç e shprehin filozofët postmodernë, e vërteta është përfundimisht e papërcaktueshme. Në rastin më të mirë, e vërteta është thjesht një kompliment që i bëhet fjalive me të cilat ndodh të biesh dakord.”[10]

Në mënyrë të ngjashme, filozofi C. Ivan Spencer, në librin e tij Tweetable Nietzsche (2016), argumenton se ndikimi i Nietzsche-s është i dukshëm në trajektoret kulturore të shoqërive perëndimore:

“Që shoqëritë perëndimore kanë ndjekur këtë projekt që nga vdekja e tij [Nietzsche-s] duket qartë në përparimin e lirive individuale në forma të ndryshme, si feminizmi, të drejtat civile, të drejtat riprodhuese, liria seksuale, orientimi seksual dhe gjinia, për të përmendur disa. Secila prej këtyre u jep individëve mundësinë për të rishikuar ose refuzuar vlerat tradicionale. Projekti i Nietzsche-s për një individualizëm egoist transformues ka triumfuar dhe është bërë norma e re.”[11]

Duke pasur parasysh ndikimin e madh të Nietzsche-s në mendimin dhe kulturën bashkëkohore, nëse duam të kuptojmë se si kemi arritur në këtë pikë, nuk mund të anashkalojmë figura të përmasave të tij. Për të kuptuar themelet e botës ku jetojmë sot, është e domosdoshme të merremi me Nietzsche-n.

A është vërtet i nevojshëm një studim tjetër mbi Nietzsche-n?

Duke marrë parasysh numrin e madh të studimeve të kushtuara ideve të Nietzsches, siç e përmendëm më sipër, lexuesi me të drejtë mund të pyesë: pse duhet një studim tjetër?

Përgjigja, pjesërisht, lidhet me udhëtimin tim personal. Kam lindur në Shqipërinë komuniste në vitin 1984—një vend që, në atë kohë, ishte i vetmi në botë që e shpallte zyrtarisht veten ateist.[12] Pra, u rrita në një familje që nuk praktikonte ndonjë besim fetar, megjithëse, sipas traditës, i përkiste besimit Bektashi. Gati 12 vjet pas rënies së komunizmit, në moshën 17-vjeçare, zgjodha të besoja në krishterim. Megjithatë, nuk e kisha parashikuar që shkrimet e Nietzsche-s do të vinin në provë besimin tim të ri sapo të hyja në universitet.

Në semestrin e dytë, në lëndën e filozofisë, një nga mendimtarët që duhej të studionim ishte Friedrich Nietzsche. Ndërsa fillova të lexoj mbi jetën dhe veprat e tij, tri aspekte të udhëtimit të tij intelektual më ranë menjëherë në sy: së pari, fakti që ai lindi si bir i një pastori, por përfundoi si një kundërshtar i hapur i Zotit të krishterimit; së dyti, se ai ishte një nga kritikët më të pamëshirshëm të moralit të krishterë në historinë e mendimit perëndimor; dhe së treti, fraza e tij e famshme “Zoti vdiq” është përdorur dhe vazhdon të përdoret nga skeptikët si një pishtar për promovimin e ateizmit.

Si pjesë e kursit, na u caktua të lexonim dhe të diskutonim Antikrishtin. Së bashku me librin e tij autobiografik Ecce Homo, kjo ishte një nga veprat e fundit madhore të Nietzsche-s—dhe ndoshta kritika e tij më e ashpër ndaj krishterimit. Ndërsa lexoja, më lindën pyetje shqetësuese: A refuzoi Nietzsche çdo botëkuptim fetar, apo kundërshtimi i tij ishte drejtuar specifikisht ndaj krishterimit? Çfarë mund ta ketë shtyrë ta kundërshtonte me aq ashpërsi besimin e krishterë dhe vlerat e tij morale? Nëse ai kishte të drejtë, a do të thoshte kjo se besimi im i krishterë ishte i rremë? Si i përligji ai sulmet e tij?

Këto pyetje më kanë shoqëruar për më shumë se 20 vjet. Megjithatë, vetëm vitet e fundit kam ndërmarrë detyrën e leximit të plotë të veprave të Nietzsche-s dhe të shqyrtimit se si studiues të ndryshëm e kanë interpretuar atë, me synimin për të gjetur përgjigjet që kërkoja. Ky studim është një përpjekje për të ndarë gjetjet e mia me lexuesit që mund të jenë të interesuar për të njëjtat pyetje.

Një arsye e dytë për këtë studim buron nga nevoja për të adresuar agjendën e “rehabilitimit”, që e kam vënë re shpesh në botimet e fundit mbi Nietzsche-n. Me “rehabilitim”, nënkuptoj përpjekjen për ta paraqitur filozofinë e tij para audiencës moderne një dritë kryesisht pozitive.

Është gjerësisht e pranuar se përpjekja e parë madhore për rehabilitimin e Nietzsche-s u bë nga përkthyesi i tij në anglisht, Walter Kaufmann, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.[13] Megjithatë, nuk kemi nevojë të kthehemi kaq pas në kohë për të gjetur përpjekje rehabilituese. Një kërkim i thjeshtë në internet për librat e fundit mbi Nietzsche-n tregon tituj si Nietzsche: A Philosophical Biography nga Rüdiger Safranski (2003) apo I Am Dynamite!: A Life of Nietzsche (2018) nga Sue Prideaux—të dyja vepra që e trajtojnë Nietzsche-n si një filozof të keqkuptuar. Për shembull, libri i Safranskit reklamohet në Goodreads me këtë përshkrim: “Asnjë filozof modern nuk ka qenë më me ndikim se Fridrih Niçe (1844-1900) dhe asnjë nuk është keqkuptuar më shumë.”[14] Në të njëjtën mënyrë, libri i Prideaux përshkruhet në Amazon si: “Biografia thelbësore për këdo që kërkon të kuptojë filozofin më të keqkuptuar në histori.”[15]

Librat si këto sugjerojnë se, kur filozofia e Nietzsche-s nuk vlerësohet, kjo vjen ose nga keqkuptime të vazhdueshme ose nga lidhja e tij e padrejtë me ide të tjera (p.sh. nazizmi). Për rrjedhojë, këto përpjekje synojnë të pastrojnë imazhin e Nietzsche-s nga asociacione të tilla, në mënyrë që filozofia e tij të vlerësohet më drejtësisht në kohën tonë. Ndryshe nga këto pretendime, ky studim synon të tregojë se disa aspekte të filozofisë së Nietzsche-s janë të qarta dhe nuk lënë vend për keqkuptime. Kur merren parasysh, ato ngrenë pikëpyetje mbi faktin nëse kontributi i tij duhet parë në një dritë pozitive.

Qëllimi dhe Struktura e Këtij Studimi

Qëllimi i këtij studimi nuk është të ofroj një shpjegim gjithëpërfshirës të të gjithë mendimit filozofik të Nietzsche-s. Përkundrazi, ky studim përqendrohet posaçërisht në kundërshtimet e Nietzsche-s ndaj vlerave morale të krishterimit.

Studimi është i ndarë në tre pjesë. Në Pjesën e Parë, do të shqyrtoj natyrën e ateizmit të Nietzsche-s. A ishte ai një ateist tipik, apo kryesisht një mendimtar antikristian? A ofron ai ndonjë justifikim filozofik apo historik për kundërshtimet e tij ndaj krishterimit? Sa prej shkrimeve të tij janë argumentim filozofik dhe sa prej tyre bazohen në supozime të paracaktuara? Për shembull, do të analizoj frazën e tij të famshme “Zoti vdiq”—a ishte ajo një argument për mosekzistencën e Zotit, apo thjesht një shprehje e mosbesimit në Zotin e krishterimit, që Nietzsche dëshironte ta forconte edhe më shumë? Duke trajtuar këto pyetje, do synoj të qartësoj llojin e ateizmit që ai përfaqëson.

Në Pjesën e Dytë, do të eksploroj vizionin e Nietzsche-s për njerëzimin, veçanërisht konceptin e tij të Übermensch (Mbinjeriu). Qëllimi im këtu është të tregoj se si mësimet e krishtera bien në kundërshtim të thellë me idealin e Nietzsche-s për madhështinë njerëzore dhe të vlerësoj në çfarë mase vlerat e krishtera mund ta kenë motivuar kundërshtimin e tij. Për ta realizuar këtë, do të shqyrtoj pyetje të tilla si: Çfarë lloj mjedisi moral nxit krishterimi—një mjedis që, sipas Nietzsche-s, duhet të zhduket për t’i hapur rrugë Übermensch-it? Çfarë vlerash duhet të përqafojmë për të krijuar kushtet që një lloj njeriu i tillë të zhvillohet mes nesh? Për më tepër, do të shqyrtoj nëse konceptet e tij si fisnikëria dhe njeriu i lartë janë vërtetë diçka për të cilën duhet të aspirojmë. Si kontrastojnë këto ideale me llojin e njeriut që promovon krishterimi?

Në Pjesën e Tretë, do të analizoj nihilizmin e dyfishtë të Nietzsche-s. Së pari, do të shqyrtoj qasjen e tij ndaj së vërtetës, të njohur si nihilizmi epistemologjik. Këtu do të vlerësoj nëse koncepti i tij mbi të vërtetën është i vlefshëm dhe, si rrjedhojë, nëse ai ofron një themel të qëndrueshëm për filozofinë e tij në përgjithësi, dhe veçanërisht për kritikën e tij ndaj së vërtetës së krishterë. Së dyti, do të trajtoj nihilizmin e tij moral, i njohur si rivlerësimi i të gjitha vlerave, me të cilin ai synonte të zëvendësonte moralin e krishterë. Pyetja thelbësore që do të mundohem të adresoj në këtë pjesë është: Nëse vlerat alternative të Nietzsche-s do të pranoheshin si zëvendësim i vlerave të krishtera, sa njerëzi do të mbetej ende tek ne?

Përmes këtij studimi, synimi im është të ofroj një analizë kritike të fokusuar mbi sfidën që Nietzsche i bën krishterimit, duke ndriçuar si pikat e forta ashtu edhe dobësitë e argumenteve të tij, ndërsa vlerësoj ndikimin e tyre në debatet bashkëkohore mbi besimin, moralin dhe natyrën njerëzore.

Dyzimi në Mendimin e Nietzsche-s

Shumë studiues bien dakord se përcaktimi i qëllimeve filozofike të Nietzsches është një detyrë sfiduese. Veprat e tij shpesh keqinterpretohen, dhe disa argumentojnë se filozofia e tij i reziston çdo leximi përfundimtar. Keith Ansell-Pearson, për shembull, thekson vështirësitë në interpretimin e Nietzsche-s, veçanërisht për shkak të terminologjisë që ai përdor. Terma si “përmirësimi” dhe “kapërcimi i vetvetes” janë thelbësorë në mendimin e tij, por kuptimet e tyre të sakta mbeten të paqarta.[16]

Lexo edhe :  PD.sh.p.k

Psikiatri dhe filozofi Karl Jaspers gjithashtu nënvizon dyzimin në shkrimet e Nietzsche-s, duke vënë në dukje se ai nuk mbërrin kurrë në një pozicion filozofik të qartë dhe të qëndrueshëm. Ai shkruan: “Dyzimet pushtojnë vazhdimisht mendimin e Nietzsche-s; ai nuk arrin as qetësinë e së vërtetës, as çlirimin e një qëllimi të arritur.”[17]

Sipas Jaspers, zhvillimi intelektual i Nietzsche-s pëson transformime të rëndësishme:

“Në rininë e tij, Nietzsche… është wagnerian; më vonë bëhet një nihilist shkatërrues; pastaj dëgjojmë zërin tragjik të profetit—dhe megjithatë ai i refuzon të gjitha këto; gjithçka përfaqëson vetëm atë që ai nuk dëshiron të jetë; është pikërisht ajo që ai dëshiron të kapërcejë. Kapërcejë për çfarë qëllimi? Por qëllimi mbetet përgjithmonë i paqartë. Sepse nga fundi, tensioni vetëm sa u shtua; fjala e fundit nuk u tha kurrë.”[18]

Vetë Nietzsche e pranoi se stili i tij aforistik paraqiste sfida për lexuesit. Ai vërejti:

“Një aforizëm, i stampuar dhe i formuar siç duhet, nuk është ‘deshifruar’ vetëm sepse është lexuar me zë; përkundrazi, leximi është vetëm hapi i parë i interpretimit të duhur, por ta arritur këtë, nevojitet një art i interpretimit.”[19]

Ai shpesh dyshonte nëse shkrimet e tij do të kuptoheshin—jo vetëm nga lexuesit e zakonshëm, por edhe nga studiuesit.[20] Edhe në prag të fundit të jetës, ai vazhdoi të shqetësohej për të njëjtën gjë. Në një letër drejtuar motrës së tij, Elisabeth Förster-Nietzsche, në qershor të vitit 1884, ai shkroi: “Kush e di sa breza duhet të kalojnë përpara se njerëzit… të mund të ndiejnë të gjithë thellësinë e asaj që kam bërë!”[21] Megjithatë, herë pas here, ai pranonte se kishte shkruar qëllimisht në mënyrë të paqartë. Për shembull, ai shkroi: “Si komprometohet njeriu sot? Nëse është konsekuent. Nëse ecën në një vijë të drejtë. Nëse nuk është aq i paqartë sa të lejojë pesë interpretime kontradiktore.”[22] Deklarata të tilla e lënë lexuesit të pasigurt nëse Nietzsche dëshironte vërtet të kuptohej.

Një faktor tjetër që kontribuon në kompleksitetin e mendimit të tij është përdorimi i gjerë i metaforës. Siç e shprehin George Lakoff dhe Mark Johnson,  “Thelbi i metaforës është të kuptosh dhe të përjetosh një lloj gjëje në terma të një tjetre.”[23] Studiuesi Tim Murphy e përshkruan metaforën si “pajisjen qendrore tekstuale” në veprën e Nietzsches. Megjithatë, metaforat e tij nuk janë thjesht figura stilistike; përkundrazi, Murphy argumenton se Nietzsche

“rikoncepton metaforën në terma shumë të ndryshëm nga tropologjia e retorikës tradicionale, duke e radikalizuar metaforën në atë pikë sa të përfshijë pothuajse të gjithë njohjen dhe aktivitetin kulturor njerëzor. Ky zgjerim radikal i metaforës pasqyrohet në përdorimin e tij të termave gjermanë übertragen (të kalosh më tej) dhe Übertragung (transferim).[24]

Krejt ndryshe nga ajo që mund të kishte pritur Nietzsche, kritiku kulturor britanik G. K. Chesterton e konsideron përdorimin e metaforës jo si një shenjë force intelektuale të Nietzsche-s, por si mungesë guximi për të shprehur idetë e tij qartë. Sipas Chesterton-it, nëse Nietzsche do të kishte folur në terma të drejtpërdrejtë dhe të qartë, kotësia e filozofisë së tij do të ishte zbuluar, ndërsa metaforat shërbenin vetëm për të fshehur pakuptimësinë e saj. Ai e shpreh këtë si vijon:

“Kjo, rastësisht, është pothuajse e gjithë dobësia e Nietzsche-s, të cilin disa po e paraqesin si një mendimtar të guximshëm dhe të fuqishëm. Askush nuk do ta mohojë se ai ishte një mendimtar poetik dhe sugjestiv, por ai ishte krejt e kundërta e të qenit i fuqishëm. Ai nuk ishte aspak i guximshëm. Ai kurrë nuk e shprehu kuptimin e tij me fjalë abstrakte të zhveshura: siç bënë Aristoteli dhe Kalvini, apo edhe Karl Marksi, burrat e mendimit të fortë dhe të patrembur. Nietzsche gjithmonë i shmangej një pyetjeje me një metaforë fizike, si një poet i vogël i gëzuar. Ai tha ‘përtej së mirës dhe së keqes,’ sepse nuk pati guxim të thoshte, ‘më shumë e mirë se e mira dhe e keqja,’ ose ‘më shumë e keqe se e mira dhe e keqja.’ Po të përballej me mendimin e tij pa metafora, do ta kishte kuptuar se ishte një absurditet. Prandaj, kur përshkruan heroin e tij, ai nuk guxon të thotë ‘njeriu më i pastër,’ ose ‘njeriu më i lumtur,’ ose ‘njeriu më i trishtuar,’ sepse të gjitha këto janë ide; dhe idetë janë shqetësuese. Ai thotë ‘njeriu më i lartë’ ose ‘mbinjeriu,’ një metaforë fizike e marrë nga akrobatët ose alpinistët. Nietzsche është me të vërtetë një mendimtar shumë i frikësuar.”[25]

Tani që kemi shqyrtuar shkurtimisht sfidat interpretative që paraqet vepra e Nietzsche-s—qoftë për shkak të perspektivave të tij në zhvillim, stilit aforistik apo përdorimit të shpeshtë të metaforës—dikush mund të pyesë me të drejtë: Si mund të jem i sigurt se do e analizoj saktë mendimin e tij?

Së pari, siç është theksuar tashmë, ky studim nuk synon të japë një analizë gjithëpërfshirëse të filozofisë së Nietzsche-s në çdo fushë që ai ka trajtuar. Përkundrazi, ai përqendrohet specifikisht te kritika e tij ndaj krishterimit. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të themi se mendimi i Nietzsche-s nuk është i paqartë në çdo temë. Nëse ka një fushë ku ai shprehet veçanërisht qartë, ajo është pikërisht qasja e tij ndaj mësimit dhe etikës së krishterë. Siç vëren Groothuis, megjithëse nga njëra anë “mendimi etik i Nietzsche-s… është i vështirë për t’u formuar në një sistem koherent”, nga ana tjetër, “qëndrimi i tij etik është qartësisht kritik ndaj etikës së krishterë.”[26]

Prandaj, siç do të shohë lexuesi, ky studim fokusohet në aspektin e filozofisë së Nietzsche-s ku ai është më i qartë. Kur flet për doktrinën dhe moralin e krishterë, argumentet e tij nuk janë të fshehura pas paqartësive—ato janë të drejtpërdrejta, të fuqishme dhe, në shumë raste, të pamundura për t’u keqkuptuar.

Së dyti, megjithëse i kam studiuar me kujdes tërësinë e veprave kryesore të Nietzsche-s, në këtë studim do të përqendrohem te deklaratat e tij më të qarta, duke shmangur interpretimet e diskutueshme apo të dykuptimta. Qëllimi im është të analizoj Nietzsche-n në formën e tij më të qartë, në vend që të merrem me aspektet më të debatueshme të filozofisë së tij. Për të sjellë më shumë dakordësi, herë pas here do të konsultoj edhe studiues të tjerë dhe më pas do të paraqes argumentin tim. Edhe pse nuk mund të pretendoj a priori se po ofroj interpretimin më të saktë të shkrimeve të Nietzsche-s, synimi im është të jap prova të mjaftueshme për të mbështetur argumentet e mia. Në fund të fundit, le të flasin argumentet vetë.

Në përmbyllje, për të shpjeguar një tjetër motivim që ndiej për këtë sipërmarrje, po e ilustroj me një citim nga personazhi kryesor i Nietzsche-s, Zarathustra, i cili thotë ndër të tjera

“Heshtja është më e keqe; të gjitha të vërtetat që mbeten të pathëna bëhen helmuese.”[27]

Pa u ndalur nëse kjo është një urtësi e thellë apo thjesht një metaforë që fsheh një mendim jo koherent, ajo na nxit të mendojmë për një të vërtetë të anasjelltë: jo helmin që mund të përmbajnë të vërtetat e pathëna, por për helmimin që na shkaktojnë të ashtuquajturat të vërteta që i pranojmë pa i shqyrtuar.

Në këtë aspekt, është bindja ime—me shpresën se kjo do të argumentohet në këtë studim—se nëse “të vërtetat” e Nietzsche-s mbeten të pa-analizuara dhe të pakritikuara, ato rrezikojnë të bëhen helmuese. Në këtë kuptim, mund të biem dakord me Zarathustrën për të paktën një gjë: në disa raste, heshtja nuk është thjesht e gabuar—ajo mund të jetë edhe e rrezikshme.

Shpresoj që, duke lexuar këtë studim, lexuesi të fitojë një perspektivë të re mbi mënyrën se si idetë e Nietzsche-s kanë ndikuar në mendimin dhe moralin bashkëkohor në botën perëndimore. Shumë njerëz mund të mos jenë të njohur me Nietzsche-n si emër, por mënyra se si mendojnë dhe jetojnë shpesh pasqyron një botëkuptim nihilist, të ndikuar prej tij.

Përpara se të fillojmë analizën e ideve të Nietzsche-s, në dy shkrimet në vijim do të shqyrtojmë udhëtimin e tij shpirtëror dhe jetësor, për të parë nëse dhe në ç’masë përvoja e tij ndikoi në filozofinë e tij.

©Peizazhe.com

[1] Thomas Mann, “Nietzsche’s Philosophy in the Light of Contemporary Events,” in Nietzsche: A Collection of Critical Essays, ed. Robert C. Solomon (Notre Dame: University of Notre Dame Press, 1980), 358. Ky fjalim u mbajt në Bibliotekën e Kongresit, e njohur si biblioteka kombëtare e Shteteve të Bashkuara, më 29 prill 1947. Sils Maria është një qytet në Zvicër, ku Nietzsche jetoi gjatë verës së vitit 1881 dhe nga viti 1883 deri në 1888. Gjatë kësaj periudhe, ai shkroi një pjesë të konsiderueshme të veprave të tij.

[2] Gottfried Benn, Gesammelte Werke, I (Wiesbaden: Limes Verlag, 1959), 482-83, cituar te Christopher Middleton, trans. and ed.,Selected Letters of Friedrich Nietzsche (Chicago: University of Chicago Press, 1969), xii.

[3] Philippa Foot, “Nietzsche’s Immoralism,” in Nietzsche, Genealogy, Morality: Essays on Nietzsche’s Genealogy of Morals, ed. Richard Schacht (Berkeley: University of California Press, 1994), 13.

[4] Douglas Groothuis, “Nietzsche’s Evaluation of Christian Ethics,” Sribd, aksesuar më 12 Dhjetor 2018,https://www.scribd.com/document/6904224/Doug-Groothuis-Nietzsche-s-Evaluation-of-Christian-Ethics.

[5] Alan Schrift e shkroi këtë në vitin 2005. Alan D. Schrift, s.v. “Nietzsche, Friedrich,” in Encyclopedia of Philosophy, 2nded., edited by Donald M. Borchert (Detroit: Thomson Gale/Macmillan Reference USA, 2006). 607.

[6] Schrift, “Nietzsche,” 613.

[8] Megjithatë, nuk ka një dakordësi të plotë mbi këtë çështje. Disa e shohin rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989 si fillimin e periudhës postmoderne, ndërsa të tjerë e lidhin atë me botimin e Kritikës së arsyes së kulluar të Emanuel  Kantit në vitin 1781. Shih Harold Netland, Encountering Religious Pluralism (Downers Grove: InterVarsity, 2001), 60.

[9] Groothuis, “Nietzsche’s Evaluation.”

[10] Os Guinness, Fool’s Talk: Recovering the Art of Christian Persuasion (Downers Grove: IVP Books, 2015), 79-80.

[11] C. Ivan Spencer, Tweetable Nietzsche: His Essential Ideas Revealed and Explained (Zondervan Academic, 2016), 142-143.

[12] Në vitin 1976, REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË vendosin në nenin 37 të Kushtetutës këto fjalë: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe mbështet propagandën ateiste me qëllim të ngulitjes tek njerëzit të botëkuptimit shkencor materialist.” Shih http://bjoerna.dk/dokumentation/Albanian-Constitution-1976.htm

[13] Në përshkrimin e librit Nietzsche: Philosopher, Psychologist, and Antichrist (botuar për herë të parë në 1950) në Goodreads lexojmë: “Kaufmann rehabilitoi Nietzsche-n pothuajse i vetëm, duke e paraqitur veprën e tij si një nga arritjet më të mëdha të filozofisë perëndimore.” Goodreads, “Nietzsche: Philosopher, Psychologist, Antichrist by Walter Kaufmann,” aksesuar më 6 shkurt 2025, https://www.goodreads.com/book/show/162022.Nietzsche.

[14] Goodreads, “Nietzsche by R.J. Hollingdale,” aksesuar më 6 shkurt 2025, https://www.goodreads.com/book/show/455388.Nietzsche.

[15] Goodreads, “I Am Dynamite!: A Life of Nietzsche by Sue Prideaux,” aksesuar më 6 shkurt 2025, https://www.goodreads.com/book/show/37707826-i-am-dynamite-a-life-of-nietzsche.

[16] Keith Ansell-Pearson, “Introduction,” in Nietzsche’s On the Genealogy of Morality, ed. Keith Ansell Pearson, trans. Carol Diethe (New York: Cambridge University Press, 1994), xv.

[17] Karl Jaspers, Nietzsche and Christianity, trans. E. B. Ashton(Henry Regnery Company: Chicago, 1963), 102.

[18] Jaspers, Nietzsche and Christianity, 102.

[19] Friedrich Wilhelm Nietzsche, On the Genealogy of Morality, Cambridge Texts in the History of Political Thought (New York: Cambridge University Press, 1994), 7.

[20] Friedrich Nietzsch, “Ecce Homo.” In Basic Writings of Nietzsche, Translated and Edited by Walter Kaufmann, 655-791. New York: Random House, 1968). , “Why I am So Clever”, Section 5 and 6, p. 715.

[21] Friedrich Nietzsche, Selected Letters of Friedrich Nietzsche, trans. and ed. Christopher Middleton  (Chicago: University of Chicago Press, 1969), 227.

[22] Nietzsche, “The Twilight of the Idols,” in Portable Nietzsche, 525.

[23] George Lakoff and Mark Johnson, Metaphors We Live By (Chicago: University of Chicago Press, 1980), 5.  Siç citohet nga Tim Murphy, “Nietzsche’s Narrative of the ‘Retroactive Confiscation’ of Judaism,” in Nietzsche and the Gods, ed. Weaver Santaniello (Albany: State University of New York Press, 2001), 4.

[24] Tim Murphy, “Nietzsche’s Narrative of the ‘Retroactive Confiscation’ of Judaism,” in Nietzsche and the Gods, ed. Weaver Santaniello (Albany: State University of New York Press, 2001), 3.

[25] G. K. Chesterton, Orthodoxy (London: Hodder& Stoughton, 1996), 151-52.

[26] Douglas Groothuis, “Nietzsche’s Evaluation,” 1.

[27] Friedrich Wilhelm Nietzsche, Thus Spoke Zarathustra, in Portable Nietzsche, trans. and ed. Walter Kaufmann (New York: The Viking Press, 1954), 228.

Të fundit

Berisha me dy standarde, vetë sulmon Dumanin, por akuzon Veliajn se kërcënon Dadon!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk e kurseu as sot gjuhën e ashpër ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe...

Olta Gixhari mahnit ndjekësit me foto provokuese nga Karaibet

Aktorja e njohur shqiptare, Olta Gixhari, ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve të saj në rrjetin social Instagram me disa poza provokuese nga pushimet e...

Zgjedhjet e 11 majit! Blushi dhe Haxhinasto takim në selinë e PD-së

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe një nga eksponentët më të rëndësishëm në PL Edmond Haxhinasto kanë mbërritur në selinë e Partisë...

FOTOLAJM/ Fero i jep fund beqarisë, reperi celebrohet me partneren misterioze

Ish-reperi Feronit Shabani, i njohur ndryshe si Fero, i ka dhënë fund beqarisë pas divorcit të bujshëm nga modelja Arbenita Ismajli, disa muaj më...

Fitojnë kristiandemokratët, Nazarko: Shenjë e mirë dhe për Europën

Konservatorët e Friedrich Merz-it fituan zgjedhjet në Gjermani, shumë përpara partive rivale, por më pak se 30% e votave që prisnin. Fituesi tjetër ishte...

Lajme të tjera

Web TV