Kohët e fundit në Tokio, një robot i drejtuar nga IA-ja u përkul mbi një burrë të shtrirë në shpinë dhe vendosi butësisht një dorë në gju dhe një tjetër në shpatull dhe e rrokullisi në anën e tij – një manovër e përdorur për të ndërruar pelenat ose për të parandaluar plagët në lëkurë tek të moshuarit, sipas “Reuters”.
Roboti humanoid me peshë 150 kg i drejtuar nga inteligjenca artificiale i quajtur AIREC është një prototip “kujdestar” i ardhshëm për popullsinë që po plaket me shpejtësi të Japonisë dhe mungesën kronike të punonjësve të kujdesit për të moshuarit.
“Duke pasur parasysh shoqërinë tonë shumë të avancuar të plakjes dhe rënien e lindjeve, ne do të kemi nevojë për mbështetjen e robotëve për kujdesin mjekësor dhe të të moshuarve, dhe në jetën tonë të përditshme”, tha Shigeki Sugano, profesori i Universitetit Waseda që drejton kërkimin e AIREC me financim qeveritar.
Japonia është vendi më i plakur në botë me një normë lindjeje në rënie dhe me politika kufizuese të imigracionit.
“Numri i foshnjave të lindura në 2024 ra për të nëntin vit radhazi, me 5% në një nivel të ulët rekord prej 720 988″, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë ne Japoni.
Në një institucion në Tokio, një robot me madhësi kukulle, ndihmon një punonjëse kujdesi duke kënduar këngë Pop – dhe duke iu bërë banorëve ushtrime të thjeshta ndërsa ata qëndrojnë shtrirë.
Megjithëse robotët humanoidë si Optimus i Teslës po zhvillohen për të ardhmen e afërt, Sugano tha se robotët që mund të ndërveprojnë fizikisht me njerëzit do të kërkojnë saktësi dhe inteligjencë të nivelit tjetër.
“Robotët humanoidë po zhvillohen në mbarë botën. Por ata rrallë vijnë në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit. Ata thjesht bëjnë punët e shtëpisë”, tha Sugano, i cili është gjithashtu president i Shoqatës së Robotikës të Japonisë.
Roboti AIREC është i aftë të ndihmojë një person të ulet ose të veshë çorape, të gatuajë vezë të skuqura, të palos rrobat dhe disa detyra të tjera të dobishme në shtëpi.
Por, Sugano nuk pret që AIREC të jetë gati për përdorim në kujdesin infermieror dhe objektet mjekësore deri në vitin 2030 dhe me një çmim të lartë prej jo më pak se 10 milionë jen (67,000 dollarë), si fillim./K.K