Bypassi i Murrizit është përfshirë nga mjegulla e dendur dhe reshjet e shiut gjatë ditës së sotme duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve.
Për shkak të karrexhatës së ngushtë, gropave apo deformimeve të asfaltit, automjetet e patën të vështirë lëvizjen në këtë aks rrugor që lidh krejt Qarkun Dibër me Tiranën.
Për shkak të lagështisë në rrugë dhe mjegullës së dendur, dy automjete u përplasën kokë më kokë, p[or fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Automjetet tip golf po lëviznin njëra në drejtim të Qarkut Dibër e tjetra në drejtim të tiranës ku janë përplasur në një kthesë të vështirë të bypassit të Murrizit.
Policia mbërriti në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit.
Ndërkohë, prania e mjegullës krijoi vështirësi të mëdha qarkullimi kryesisht në Qafën e Murrizit ku për shkak të fushëpamjes së kufizuar, drejtuesit e automjeteve u detyruan të përdorin dritat e emergjencës për të mos u bërë burim aksidentesh.
Bypassi i Murrizit mbetet segmenti më i vështirë i rrugës së Arbrit aktualisht për shkak të degradimit që ka pësuar. Ndërkohë, me hapjen e tunelit, ky segment do të kthehet shumë shpejt i papërdorshëm./e.t