Nga Leonard Veizi
Provokuese dhe tronditës. I vështirë për t’u parë dhe i pamundur për t’u harruar.
I fundit film i regjisorit Pier Paolo Pasolini, “Salo, ose 120 ditët e Sodomës” është cilësuar nauzues, tronditës, i shthurur, pornografik. Ndonëse është famëkeq është cilësuar gjithashtu dhe si një kryevepër. Nuk është një film horror në kuptimin klasik, por një vepër filozofike dhe politike që sfidon kufijtë e etikës dhe artit. Për disa, është një vepër e guximshme kundër totalitarizmit; për të tjerët, një film i tepruar dhe i papranueshëm. Pasolini njihej si një kineast kontrovers. Me testamentin e tij “Salo…” ai transferon të gjallë opusin e torturës dhe degradimin e shoqërisë së lartë në botën seksuale, nga shekulli XVIII në Italinë Fashiste të vitit 1944. Filmi nuk është thjesht një riprodhim i veprës së Marquis de Sade, por një kritikë e ashpër mbi fashizmin, abuzimin me pushtetin, dehumanizimin dhe kapitalizmin ekstrem. Pasolini përdor skena të skajshme për të treguar sesi pushteti absolut çon në objektifikimin e plotë të qenieve njerëzore. Ndaj “Salo” mbetet një nga filmat më të debatuar i të gjitha kohërave…
… “Salò o le 120 giornate di Sodoma” ose “Salò, or the 120 Days of Sodom” është një film italian i vitit 1975 i bazuar në romanin “The 120 Days of Sodom” të Marki de Sade.
Filmi
Filmi vendoset në periudhën e Republikës së Salos mes viteve 1943-1945, një shtet kukull i kontrolluar nga nazistët në Italinë Veriore. Katër figura të pushtetshme – një Dukë, një President, një Peshkop dhe një Gjyqtar – rrëmbejnë një grup të rinjsh dhe i çojnë në një vilë të izoluar, ku i nënshtrojnë torturave fizike dhe psikologjike. Historia është e ndarë në tre pjesë, të frymëzuara nga Dante Alighieri dhe “Ferri” i tij:
Rrethi i Manisë – Të rinjtë detyrohen të ndjekin rregulla të rrepta dhe të poshtërohen.
Rrethi i Bajgës – Viktimat detyrohen të kryejnë akte të neveritshme dhe degraduese.
Rrethi i Gjakut – Arrin kulmin me tortura të tmerrshme dhe vrasje brutale.
Filmi përmban skena të rënda të torturës, përdhunimit, kanibalizmit dhe poshtërimit ekstrem. Ai u ndalua në shumë vende dhe ende mbetet një nga filmat më të ndaluar në histori. Ndërkohë, Pasolini u vra brutalisht pak para premierës së filmit, duke ngritur teori mbi motivet pas vrasjes së tij.
Vrasja e Pier Paolo Pasolinit mbetet një nga misteret më të errëta në historinë e kinemasë italiane. Më 2 nëntor 1975, trupi i tij u gjet i masakruar në Ostia, një periferi pranë Romës. Ai ishte rrahur brutalisht dhe më pas i ishte kaluar disa herë sipër me makinë. Fillimisht, një i ri 17-vjeçar, Giuseppe Pelosi, u arrestua dhe pranoi fajësinë, duke deklaruar se e kishte vrarë Pasolinin pas një sherri të lidhur me një marrëdhënie seksuale. Megjithatë, versioni i tij u kundërshtua nga provat dhe nga ata që besonin se Pasolini ishte vrarë për arsye politike.
Në vitin 2005, Giuseppe Pelosi tërhoqi rrëfimin e tij, duke thënë se ai ishte detyruar të marrë fajin dhe se disa burra “me theks jugor” e kishin vrarë Pasolinin. Kjo deklaratë e ringjalli hetimin, por e vërteta e plotë mbetet ende e panjohur.
Pasolini ishte një kritik i ashpër i pushtetit, kapitalizmit dhe korrupsionit në Itali. Ai kishte paralajmëruar për një konspiracion të rrezikshëm të mafies dhe politikës, dhe disa besojnë se vrasja e tij ishte një akt hakmarrjeje.
Ndërkohë Pasolini kishte marrë kërcënime nga grupet fashiste për shkak të qëndrimeve të tij të majta. Disa teori sugjerojnë se vrasja u organizua nga elementë të ekstremit të djathtë.
Libri
Marki de Sade është një nga shkrimtarët e paktë që i dha botës një mbiemër: sadist.
Dhe ja pse.
“Les 120 Journées de Sodome ou l’école du libertinage” vjen në shqip si “120 Ditët e Sodomës, ose Shkolla e Lirisë”. Ai është një roman i papërfunduar nga shkrimtari fisnik francez me emrin orgjinal Donatien Alphonse François, Marquis de Sade. Libri përshkruan aktivitetet e katër francezëve të pasur, të cilët kalojnë katër muaj duke kërkuar kënaqësinë përfundimtare seksuale përmes orgjive, duke u ngujuar në një kështjellë në zemër të Pyllit të Zi me 12 bashkëpunëtorë, 20 viktima të caktuara dhe 10 shërbëtorë. Katër prostituta të moshuara tregojnë histori të klientëve të tyre më të paharrueshëm, praktikat seksuale të të cilëve përfshinin 600 “pasione” duke përfshirë koprofilinë, nekrofilinë, zoofilinë, inçestin, përdhunimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve. Historitë frymëzojnë akte të dhunës në rritje që çojnë në torturimin dhe vrasjen e viktimave të tyre, shumica e të cilave janë adoleshente dhe gra të reja.
Sade e shkroi atë në fshehtësi ndërsa ishte i burgosur në Bastille. Në kohën e Revolucionit Francez në 1789, De Sade u dënua me 11 vjet burg, fillimisht në Vënsen dhe më pas në Bastijë. Ai u arrestua fillimisht me akuzën e helmimit dhe sodomisë. Ai nuk u gjykua deri në vitin 1790. I burgosur pa gjyq, kaloi kohën mes fantazive seksuale dhe shkroi “120 ditët e Sodomës”. Për t’u shpëtuar kontrolleve të gardianëve, ai shkruante mbrëmjeve në copa të vogla letre, të cilat më pas i fshihte në të çarat e murit të qelisë. Romani mbijetoi vetëm në formë drafti. Kur kalaja u sulmua nga revolucionarët më 14 korrik 1789, Sade besonte se dorëshkrimi kishte humbur.
Në një shkrim të Will McMorran botuar në “Guardian” shkruhet se “Më 3 korrik 1789, në mes të natës, Markezi de Sade u tërhoq zvarrë nga qelia e tij në kullën e quajtur “Liberty” në Bastijë. Më herët atë ditë ai ishte kapur duke i bërtitur turmës së mbledhur jashtë mureve të burgut se të burgosurve po pritej fyti. Ai u transferua në një azil jashtë Parisit dhe u detyrua të linte shumë nga pasuritë e tij më të çmuara, duke përfshirë një cilindër bakri të mbajtur të fshehur në një të çarë në mur. Kur gruaja e tij u nis për në Bastille për të marrë gjërat e tij më 14 korrik, tashmë ishte tepër vonë: Revolucioni e kishte goditur atë dhe asaj iu desh të kthehej duarbosh. Sade qau me “lot gjaku” për humbjen. Por më pas u gjet një cilindër 12 metra i gjatë dhe 11 centimetra i gjerë, e mbuluar me dorëshkrim të vogël: dorëshkrimi i romanit të papërfunduar të quajtur “120 ditët e Sodomës, ose Shkolla e Lirisë”.
Megjithatë, drafti ishte gjetur dhe ruajtur pa dijeninë e tij dhe përfundimisht u botua në një tirazh të kufizuar në vitin 1904 për interesin e tij shkencor për seksologët. Romani u ndalua si pornografik në Francë dhe vendet anglishtfolëse përpara se të bëhej më i disponueshëm në botimet komerciale në vitet 1960. Ai u botua në edicionin prestigjioz francez “Pléiade” në 1990 dhe një përkthim i ri në anglisht u botua si “Penguin Classic” në 2016.
Mendimi kritik, megjithatë, mbetet i ndarë. Kritiku Nil Shifer e quan atë “një nga romanet më radikale, dhe më të rëndësishme të shkruara ndonjëherë”, ndërsa për Lorenc Lui Bonzhi ai është “një baltë e pafund me shthurje të ndryshueshme”.