Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë një tjetër reagim në rrjetet sociale nga paraburgimi i Durrësit.
Duke treguar një shtëpi modeste njëkatëshe në Yrshek, në pronësi të një familjeje, e ndërtuar nga kompania “Fusha shpk”, për të cilën SPAK i ka vënë masë sigurie detyrim paraqitje biznesmenit Shkëlqim Fusha dhe i ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv, Veliaj thotë se kjo është një pjesë nga akuza, e stisur sipas tij, për të cilën ndodhet në burg.
Veliaj thekson se ky fakt tregon se “deri ku shkon fantazia e shfrenuar, prej prokurori ndërtues, e Ols Dados”.
“Shikojeni pak këtë video për të kuptuar se deri ku shkon fantazia e shfrenuar, prej prokurori ndërtues, e Ols Dados, i cili ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe, që një familje e nderuar nga Yrsheku, me kursime e borxhe, ka ndërtuar me dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria “Fusha”.
Prokurori ndërtues e di shumë mirë që për të aplikuar për leje ndërtimi, si për një shtëpi 1-katëshe, ashtu edhe për një pallat shumë katësh, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqeri me licencat përkatëse.
Familja punëtore nga Yrsheku, ndryshe nga prokurori ndërtues, nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për t’u interesuar për lejen e ndërtimit dhe ec e merre vesh tani se si paskam bërë unë korrupsion me Fushën, për këtë shtëpi me sipërfaqe 90m2″, shkruan Veliaj bashkëlidhur videos që ka postuar në rrjetet sociale./E.T