Volodymyr Zelensky: Heroi kamikaz

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Me shumë gjasa, Volodymyr Zelensky nuk kishte shkuar në Shtëpinë e Bardhë për të kërkuar të hynte në histori, edhe një herë tjetër, si hero. Nuk kishte nevojë për këtë. As nuk donte të bëhej, në sytë e ukrainasve dhe të botës, për të disatën herë, një kamikaz, që kërkon “municione në vend të një kalimi kufitar”, përballë një perspektive të vdekjes së sigurt.

Përkundrazi, ai kishte luajtur një lojë të gjatë dhe të menduar mirë, ishte përgatitur, kishte pranuar një sërë poshtërimesh – si për shembull akuzën se është “një diktator”, që ia kish bërë presidenti republikan – dhe i kishte rezistuar tundimit për t’ia përplasur në fytyrë të dërguarit nga Uashingtoni, draftin e parë të marrëveshjes për shfrytëzimin e pasurive minerare të Ukrainës, e cila praktikisht parashikonte t’u dhuroheshin amerikanëve të gjitha pasuritë e ardhshme të vendit të tij, për vite me radhë.

Në tri vitet e luftës së madhe me Rusinë, presidenti ukrainas jo vetëm që kishte interpretuar në mënyrë të përsosur rolin e liderit të rezistencës, por kishte përsosur edhe aftësitë e tij politike, në një lojë të jashtëzakonshme globale. Ai e kishte kuptuar se mënyra e vetme për të tërhequr vëmendjen e pronarit të Shtëpisë së Bardhë ishte “biznesi”, duke i ofruar një “marrëveshje” miliona dollarëshe (të cilën Donald Trump e shumëzoi menjëherë në miliarda).

Ai e kishte kërkuar vetë këtë takim, pavarësisht armiqësisë së qartë të bashkëbiseduesit të tij, për të mundur të takonte Trumpin, për të paraqitur argumentet e tij, për të provuar t’I shtonte interesin, ta bindte, të ngjallte tek ai të paktën një çast empatie – jo vetëm për pasuritë minerare të Ukrainës.

Zelensky ishte ai që, me shumë realizëm, e kishte kuptuar se nuk mund t’i lejonte vetes luksin humbjes së mbështetjes së një aleati si SHBA, për shkak të krenarisë. Të paktën jo pa u përpjekur me të gjitha mënyrat për ta ulur Ukrainën në tryezën e negociatave dhe për të mos pranuar ta gllabëronte pjatën që i ishte servirur.

Në vend të kësaj, Zelensky hyri përsëri në histori, sërish si lider i një vendi që i thotë “jo” një të fuqishmi të botës. Dëbimi me fjalë të ashpra nga Shtëpia e Bardhë është një episod që as skenaristi më i çmendur nuk do të kishte mundur ta shkruante.

Sa i përket agresivitetit të Trumpit dhe JD Vance, nëse ai ishte një reagim spontan ndaj vërejtjeve të Zelenskyt, si rezultat i përvojës së tyre të kufizuar diplomatike si personazhe mediatike, apo nëse ishte një spektakël i paramenduar, kjo do të mbetet e paqartë.

Presidenti, dhe mbi të gjitha presidenti i Shteteve të Bashkuara, fyeu një aleat përpara kamerave, duke i mbyllur gojën, duke e quajtur “të pabazë”, duke i kujtuar se “nuk ka karta për të luajtur”, dhe duke i premtuar se kundërshtimi do t’i sillte “probleme serioze”: një bisedë që dukej më shumë si një skenë nga një film, sesa nga politika më e lartë globale.

Lexo edhe :  Shtëpia e Bardhë do të përzgjedhë gazetarët që raportojnë për të

Është e vërtetë që Trump ka një hesap të lënë pezull me Zelenskyn që nga koha e Ukrainagate, nga ajo telefonatë – po aq kërcënuese – e cila i kushtoi presidentit amerikan një përpjekje për impeachment, qysh në vitin 2019.

Ndoshta, asnjë gjest nënshtrimi dhe lajkatimi nga lideri ukrainas nuk do të kishte mjaftuar: gjykuar nga mënyra se si mjeshtrit e propagandës ruse e kanë përvetësuar pikërisht këtë gjuhë në kritikat e tyre ndaj pamjes së Zelenskyt (tallje të denja për putinianët), mund të thuhet se as karizma e presidentit-hero nuk do të kishte mundur të bënte një mrekulli.

Paradoksalisht, pikërisht kjo gjuhë dhe ky nivel armiqësie e bëjnë tani Trumpin shumë të papërshtatshëm për të negociuar me Vladimir Putinin: ai nuk është treguar aspak “neutral”, siç pretendon, dhe nëse agresiviteti ndaj Zelenskyt synonte ta detyronte atë të ndiqte këshilla më të buta, me siguri do të ketë efektin e kundërt në Ukrainë.

Përveç, nëse në të vërtetë nuk ka asnjë “marrëveshje” me Kremlinin në horizont: negociatat në Stamboll të enjten, midis rusëve dhe amerikanëve, duket se janë mbyllur me një marrëveshje për të rifilluar punën e ambasadave respektive, por pa asnjë diskutim për Ukrainën.

Putini nuk duket aspak i vendosur të ndalë luftën dhe ministri i tij i Jashtëm, Sergey Lavrov, vetëm dy ditë më parë kishte theksuar se të gjitha pretendimet ruse ndaj Kievit, duke përfshirë dorëzimin e territoreve ukrainase tashmë të kontrolluara nga forcat ruse, mbeten në fuqi.

Është e mundur, pra, që Shtëpia e Bardhë, duke kuptuar se paqja nuk është në horizont jo vetëm brenda 24 orëve, por as në muajt e ardhshëm, të ketë vendosur ta hedhë fajin mbi Zelenskyn: në fund, një mënyrë efektive për t’ia ofruar kokën e tij në pjatë Putinit, pa pranuar që basti i vënë për liderin e Kremlinit, mund të konsiderohet një gabim i Trumpit, në besimin e tij të palëkundur se ai është një negociator i shkëlqyer.

Mbetet pyetja se çfarë do të bëjë tani Zelensky, pasi ka përgënjeshtruar kaq fort ata që e akuzonin se ishte “marioneta” e amerikanëve.

Pasi ka refuzuar të kthehet i nënshtruar në Shtëpinë e Bardhë, në deklaratat e tij të para, ai ka lënë derën hapur për një rishikim, duke falënderuar “Amerikën, popullin e saj dhe presidentin e saj”.

Padyshim, ka filluar sërish endja e rrjetës diplomatike me liderët evropianë, secili prej të cilëve në këtë moment e ka të vështirë të imagjinojë veten duke përfunduar i poshtëruar në të njëjtën mënyrë, në të njëjtën karrige të Zyrës Ovale (dhe me siguri do të ketë të tjerë të gatshëm për të negociuar për tokat e pasura me minerale të Ukrainës).

Potenciali i bindjes së europianëve mbi Trumpin, megjithatë, është shumë i kufizuar, siç është parë në orët e fundit, dhe është e mundur që Uashingtoni të kërkojë që ukrainasit ta paguajnë rebelimin e Zelenskyt./k.k

Të fundit

A ka vend për alarm? Gripi i shpendëve shkakton viktimën e parë në Shtetet e Bashkuara

Për herë të parë, një person në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vdiq si pasojë e infektimit me gripin...

GJKKO i caktoi “detyrim paraqitje”, Berisha nesër në SPAK në orën 10:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të paraqitet nesër në SPAK në orën 10:00 për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, vendosur...

Primaret në PD, publikohen rezultatet për Tiranën, ja kush ishin kandidatët më të votuar

 Njoftimi i PD: KOKOE shpall rezultatin e primareve për qarkun e Tiranës. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) pranë Partisë Demokratike ka shpallur...

Si ndikon djathi tek niveli i sheqerit në gjak? Ja sasia që duhet të konsumoni

Djathi është i pasur me yndyrna dhe kjo mund t’a bëjë atë të duket një ushqim të pashëndetshëm. Ka shumë variacione djathi të cilat...

Drejtimi i makinës me pallto apo xhup mund t’ju kushtojë deri në 200 euro në këtë vend

Në Spanjë, drejtimi i makinës me xhaketë ose pallto dimërore mund të sjellë një gjobë deri në 200 euro. Ky rregull është i lidhur me...

Lajme të tjera

Web TV