Lidhja e Shkrimtarëve të vdekur

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Edison Ypi

I leu dikujt në zemër, ngriti muzeun “Shtëpia Kadare”.

Shif rrushi-rrushin e piqu, pas tij, një tjetër, ndoshta po ai, hapi muzeun “Shtëpia Dritëro”.

Me gjirokastritin që shkrau romane me perandorira, ëndërra, kalorës të vrërët, luftra të përgjakshme, intriga, varre, të vdekur, dhe devolliun që thuri poeziçka me katundarë të lumtur duke u llafosur rrotull vatrës, u duk se me këto dy shtëpi muze, problemi i një vendi të shenjtë ku adhuruesi i fjalës së bukur, sipas preferencës së vet, të mund të derdhi dy pika lot, kjo mesele mori fund.

Por u ngrit një ters e tha: Borgjezi Kadare e hidhte përpjetë. Armiku Kadare, ky Kalë Troje i borgjezisë ndërkombëtare brenda Shqipërisë kooperativiste, ishte mëndjemadh, s’të fliste me gojë. Ndërkohë, katundari, pijetari, proletari, bolsheviku, Dritëro ishte modest, të kënaqte me muhabet. Letërsi dhe Tango është qef i madh.

Por Tango me 1 s’është e mundur. Për tango duhen, për fat, aq sa korifej kemi, 2. Korifejtë mjaft vuajtën veç e veç. Tani duhen afruar, duhen barazuar, mesatarizuar, kooperativizuar, komunistizuar. I fusim të dy në një varr. Ku asnjërit të mos i prishet qefi. Ku të gjithë të mbeten buzagaz. Të kënaqet mileti. Të lumturohet kallaballëku. Të ndizet festa. Të shtrohet gostia. Të hidhet valleja. Të derdhet rakia. Nuk është e pamundur. Bëhet kollaj. Ulim pak Kadare borgjezin. Ngremë pak Dritëro popullorin. Dhe u kry. Të dy brenda në varr. Të dy në mes. Të dy njësoj. Të dy të barabartë. Të gjithë të kënaqur. Të gjithë të lumtur. Pra bashkojmë “Shtëpinë Kadare” me “Shtëpinë Agolli”, në një shtëpi të vetme me emër “Shtëpitë Agolli Kadare”. Kështu e kanë pagëzuar varrin e të dyve. Kështu quhet në Internet, ku, me të drejtë, theksohet se këta dy varre janë thelbi i edukimit. U sa bukur. O pika na raftë që s’e dinim.

Në 1 varr dy shkrimtarë. Duheshin aq fort sa as vdekja nuk i ndau dot. Ai i romaneve dhe ai i vjershëzave, të dy njësoj të lavdishëm, njësoj të dashur, njësoj të dobishëm. Dhe thonë se Parajsa letrare nuk ekziston.

Kadare me varre, kufoma, fantazma, Agolli me bejte dhe poeziçka, janë bajagi larg. Por, sa kohë mesatarizimi i të dyve brenda një varri u krye me sukses, për shakaxhinjtë e Letërsisë, diferencat në fjalë, s’kanë asnjë rëndësi, s’përbëjnë asnjë problem.

Lexo edhe :  Lista e turpit nga SPAK në Gjykatën Kushtetuese

U bë mirë që u bashkuan dhe u rrafshuan një herë e mirë të dy në një varr.

Por sikur s’ka lezet që dy korifej të luajnë, sado bukur, tango në varr. Tepër liberale. Tepër e shthurur. Tepër e lëvizëshme. Lypset diçka më serioze, më viskoze, më e ngrirë, më e ngurtë. E gjeta. S’ka më të shtangët se trekëndëshi. Atyre të dyve në varr, u shtojmë një tjetër shkrimtar. Për shembull zevzekun Sabri Godo. Dhe, nga 2, bëhen 3 të vdekur në një varr.

Ore, ja morët frymën Artit, Letërsisë me gjithë këtë ngrirje, këtë ngurtësi, u hodh një tjetër nga salla, bëjeni paralelogram. Shtoni Maks Velon, mjeshtrin e kuadrateve. U kry. Ja ku u bënë katër të vdekur në një varr.

Sakën se e tradhëtoni yllin e kuq të komunizmit me pesë cepa, u hodh e tha një karabush. U tha u ba. Varrit j’u shtua edhe një i vdekur, Kasem Trebeshina. U bënë pesë. Oborri u bë një Pentagon.

Do i mbetet qefi yllit me gjashtë cepa të hebrejve, u hodh e tha një surratpatate. I gjashti i vdekur në varrin e Panteonit apo Pentagonit u aprovua njëzëri ai që më së shumti e meriton; Legen Hajduti.

Mjaft me lojra fjalësh. As Muze, as Panteon, as Pentagon. Ky varr shkrimtarësh sot e mot e përgjithmonë do quhet:

Lidhja e shkrimtarëve të vdekur.

Dhe ashtu u bë.

Në pak kohë stërvarri i “Lidhjes së shkrimtarëve të vdekur” u popullua nga të tjerë të vdekur ttë famshëm që j’u bashkuan nismës për të mbedhur tek i njëjti megavarr sa më tepër bejtexhinj, dhe sa më pak poetë. Kjo, me synimin që, batalionet e bejtexhinjve, regjimentet e kalemxhinjve, plus repartet e shkarrashkruesve, të mund të vazhdojnë të gjallojnë ndër shekuj sa më afër-e-afër e bythë-më-bythë me njëritjetrin.

“Lidhja e Shkrimtarëve të vdekur” nuk duhet ngatërruar kurrsesi me “Lidhja e Shkrimtarëve” e kohës kur kryetarë të saj ishin shuteriqët dhe siliqët. Varri i sotëm është me të vdekur të gjallë. Varri i asokohe ishte me të gjallë të vdekur. I vetmi fill që i bashkon dy Lidhjet, është i ziu varri, dhe i ndrituri Kolkozi./kb

Të fundit

Primaret e PD-së/ 10 kandidatët burra e gra më të votuar në Shqipëri dhe ata më pak

Një analizë e primareve të PD-së. Kush janë kandidatët dhe kandidatet më të votuar në Republikë dhe më pak të...

Vrasja e Arben Lleshit/ Prokuroria e Elbasanit çon për gjykim Sokol Mjacajn

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka dërguar për gjykim Sokol Mjacajn dhe 12 zyrtarë të asaj kohe...

U kap me kallashnikov, granata e municion luftarak, arrestohet 15-vjeçari

Policia ka arrestuar në Mirditë një 15-vjeçar nga Burreli, i cili u kap teksa transportonte 3 granata, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Prokuroria...

Gjykata lëshoi urdhër-paraqitje, a do paraqitet Kurti nesër në Prokurorinë Speciale?

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kryeministrin Albin Kurti se duhet të paraqitet për të dhënë dëshmi në Prokurorinë Speciale, më 4 mars...

Çfarë i ndodh trupit nëse flini të uritur?

E keni parasysh atë zhurmën karakteristike të urisë? Të duket sikur në stomak kanë plasur trazirat të cilat gjithësesi mendoni se mund t’i injoroni kur...

Lajme të tjera

Web TV