“Gjyqtarët e kanë rreptësisht të ndaluar…”/ Ç’parashikonte Kushtetuta në 1925-ën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Dashnor Kaloçi

Memorie.al / Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit Osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe; me zgjedhës të dytë.

Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte “Bashkim-Përparim” (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës.
Në grupin e dytë që quhej: “Bashkimi-Liberal”, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në nëntorin e vitit 1912 kur u shpall Pavarsia dhe Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë.

Kurse zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së.

Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Sa më sipër, si dhe një historik të shkurtër të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991, Memorie.al i ka publikuar në numrat e kaluar, këtu po publikojmë të plotë Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, (Kushtetuta) të vitit 1925, ku një vend të veçantë zë edhe legjislacioni i zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, si dhe rregullorja e Parlamentit, me të drejtat e detyrat e deputetëve, e cila është botuar nga Shtypshkronja “NIKAJ”, në vitin 1925.

Vijon nga numri i kaluar

Statuti themeltar i Republikës Shqiptare (1925)

(Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj” 1925)

II.
Senati

Art. 49. Senati përbahet prej 18. Vetësh të zgjedhun, dy të tretat prej popullit si mbas ligjes së posaçme dhe nji e treta, prej kryetarit të Republikës.

Kryetari i Senatit zgjidhet nga Kryetari i Republikës midis 18. Senatorvet.

Kur për ç’do arsye qi të jetë mbetet zbrazët vendi i ndonji Senatori nga dy të tretat përpara se të zbatohet ligja e posaçme mbi zgjedhjen e Senatorvet, mblidhen së bashku Senati e Dhoma e Deputetvet dhe me shumicë votash zgjedhin Senatorin a Senatorët qi mungojnë.

Senatorët zgjidhen për gjasht vjet.

Sa për këtë herë dy të tretat e Senatorvet zgjidhen prej Kuvendit Kushtetues.

Art. 50. Senatorët detyrohen të betohen në Dhomën e tyne në mënyrën e caktueme n’art. 20. Për deputetët.

Art. 51. Në rasë të mbledhjes së përbashkët të Senatit e të Dhomës së deputetvet, Kryesin e mbledhjes e mbanë Kryetari i Senatit dhe veprohet mbas rregullores së Dhomës së Deputetvet.

Art. 52. Askush nuk mund të zgjidhet për senator pa pasë mbushun moshën 40. vjetshe, dhe pa pasun, për veç cilësive të caktueme në art 12. Për deputetët, njanën nga cilësit e posht-shenjueme:

Dipllomë të ndo nji shkollës së naltë.
Ish minister apo ish Deputet.
Zyrtar i naltë civil a ushtrijak, qi me prova të kjarta të ketë treguem atdhetarizëm, zotsi të plotë e bindësi në ligjët.
Tregtar a industrijal i madh, qi të ketë treguem zotsi të plotë e të jetë i njoftun në fushën ekonomike.
Art. 53. Ç’do projektligje e pranueme prej Dhomës së Deputetvet, para se t’i parashtrohet Kryetarit të Republikës për Aprovim, do të shkojë në Senat për shqyrtim e votim.

Art. 54. Ç’do projektligje e pranueme prej Dhomës së deputetvet, vehet në bisedim prej Senatit mbrenda nji mueji prej ditës së paraqitjes të projektit, kur sesjoni asht i çelun; për kundrazi quhet i pranuem dhe i parashtrohet Kryetarit të Republikës.

Kur për ç’do arsye qi të jetë, nji pjesë apo të gjithë senatorët, nuk marrin pjesë në mbledhje të përbashkët mbrenda nji mueji prej ditës së caktueme, atëherë Dhoma e deputetvet mblidhet bashkë me senatorët qi mund të ndodhen, dhe në mos u ndodhët as nji, mblidhet vetëm Dhoma e Deputëvet, dhe procedojnë së bashku apo vetëm Dhoma në veprën qi ka shkaktue mbledhjen e përbashkët.

Art. 55. Ç’do projekligje e refuzueme nji herë prej Senatit nuk mund të paraqitet përsëri po n’atë sesjon.

Art. 56. Në qoftë se Dhoma e deputetvet, hasë në kundreshtime me Senatin mbi ndonji vendim apo ligjë, dhe Dhoma insiston në mendici e vet, Kryetari i Republikës ka të drejtë, me pëlqimin e Senatit të shpërndajë Dhomën e deputetvet.

Në qoftë se edhe Dhoma e re insiston në mendici e Dhomës së parë, at herë vendimi Dhomës së re, asht i premë.

Art. 57. Në rasë trathëtije të naltë, atentate kundra sigurimit të Shtetit dhe akuzime Ministrash prej Dhomës së deputetvet, me dekretin e Kryetarit të Republikës, ngrifet Gjyqi i Naltë.

Në këtë rasë, Gjyqi i Naltë, përbahet prej pes senatorvet e prej dy kryetarvet të Gjyqit të Diktimit. Detyrat e Prokurorit i ban nji Komisi Parlamentare prej katër deputetvet, bashkë me Kryeprokurorin e Diktimit. Në këtë rasë, këta pes Senatora, dalin nga trupi politik dhe bahen trup gjykues.

Art. 58. Senatorët, gëzojnë të gjitha të drejtat e caktueme për deputetët të shenjueme në këtë Statut.

Art. 59. Senati mblidhet po n’ato sesjone qi mblidhet Dhoma e deputetvet.

As njana Dhomë nuk mund të hapet pa qenë e mbledhun dhe tjetra.

Art. 60. Senatorët kanë të drejtë me marrë nji shpërblim prej 6000 dhe Kryetari i tyne prej 10.800 fr. Ari në vjetë.

Këjo shumë mund të ndryshohet herë pas here me ligjë.

Art. 61. Parija e Senatit përveç Kryetarit, zgjidhet në mënyrën e caktueme 18 të Statutit për parin e Dhomës së deputetvet.

Art. 62. Senati me rregulloren e mbrendëshme të tij, cakton mënyrën mbas së cilës ai do të kryej detyrat e veta, në konformitet me këtë Statut.

Art. 63. Senatori i zgjedhun ristash, si prej popullit ashtu dhe prej Kryetarit të Republikës, qi pa shkaqe të justifikueshme si ç’duhet, nuk paraqitet deri në dy muej përpara Senatit për të bamë benë e detyrshme, quhet i ramë nga Senatorija.

Gjykimi mbi pranueshmin a mos të shkaqevet justifikative, i përket Senatit.

Art. 64. Senatori qi për dy muej rrjesht mungon prej mbledhjevet pa autorizimin e Senatit, quhet vetiu i rrëxuem nga Senatorija.

Art. 65. Cilsija e Senatorit asht e pa pajtueme me ç’do nëpunësi komunale, ase me shërbimin aktiv fetar.

Art. 66. Mbledhjet e Senatit bahen në mënyrën e caktueme për deputetët në këtë Statut.

Art. 67. Senati shqyrton fuqit e cilsit ligjore të misvet të vet, dhe gjykon e vendon mbi ta mbas parashkresavet të rregullores së mbrendëshme të tij.

Art. 68. Senati deri sa të bajë rregulloren e vet, vepron mbas rregullores së mbrendëshme të Dhomës së deputetvet.

Pjesa C.

Pushteti Përmbarues

KRYESIJA E REPUBLIKËS

Art. 69. Kryetari i Republikës zgjidhet prej mbledhjes së përbashkët të Senatit e të Dhomës së deputetvet për shtat vjet, me shumicë absolute votash, dhe në qoftë se për dy herë rrjesht, nuk zgjidhet me shumicë absolute, herën e tretë zgjidhet me shumicë relative votash. Sa për këtë here, zgjidhet prej Kuvendit Kushtetues.

Art. 70. As kush nuk mund të zgjidhet Kryetar i Republikës, pa qenë Shqiptar me racë e me gjuhë, pa qenë shtetas Shqiptar, pa gëzuem të drejtat civile e politike, dhe pa pasun të gjitha cilësit e tjera të lypuna për deputetët.

Art. 71. Periudha shtat vjetshe fillon qysh prej ditës së zgjedhjes. Nji muej para mbarimit të kësaj periudhe, bahet zgjedhja e ré.

Art. 72. Kryetari i Republikës pa hymun në detyrë, betohet përpara Senatit e Dhomës së deputetvet mbas kësaj formule: Betohem n’emën të Perendis e mbi nderin t’em, se kam për të qenë ruejtës besnik i mëvetësis e i tansis toksore të Shqipnis, i Republikës, si edhe i Statutit e i ligjëvet të Shtetit.

Art. 73. Kryetari i Republikës ka të drejtë me marrë nji shpërblim prej 10.000 fr. Ari në muej.

Lexo edhe :  Mandarinat me pesticide, mjekja ngre alarmin për efektet anësore

Këjo shumë mund të ndryshohet herë pas here me ligjë.

Shpenzimet e shtëpis zyrtare të Kryetarit të Republikës, rregullohen me ligjë të veçantë.

Art. 74. Kryetari i Republikës asht i papërgjegjëshëm, veçse për trathëti të naltë dhe për aktet e tij qi nuk kanë kundërfirmën e Ministrit, ase të Ministravet kompetent.

Art. 75. Kryetari i Republikës, asht kreu ma i naltë i Shtetit, ka Komandën e Përgjithshme të fuqive t’armatosuna, emnon e ç’emnon Ministrat e zgjedhun prej tij, nëpunësit e naltë të Shtetit dhe gjith oficerët e fuqive t’armatisuna, asht drejtuesi i politikës së Shtetit edhe ka të drejtë me bamë traktate e marreveshtje gjith-farësh me Shtetet e huej, me pelqimin e dy Dhomave, dhe me pranue e akreditue trupa diplomatike.

Kryetari i Republikës nuk ka të drejtë me shpallë luftë e me bamë paqë pa pëlqimin e Senatit e të Dhomës së deputetve, veçse ne rasë mprotjeje.

Art. 76. Kryetari i Republikës urdhënon shpalljen e zbatimin e projekt-ligjeve të votueme prej dy Dhomave. Ka edhe të drejtën e veto-s.

Art. 77. Në qoftë se trupat Ministruer me ndryshime nuk marrin për dy herë rrjesht votëbesimin e Dhomës së deputetvet, Kryetari i Republikës ka të drejtë të shpërndaj Dhomën; por në qoftë se edhe Dhoma e ré nuk i ep votbësimin, atë herë rrëxohet trupi Ministruer.

Deri sa të marri fund konflikti, qindrojnë në fuqi Ministrat e fundit qi nuk muerrën votëbesimin e Dhomës së deputetvet të shpërndame.

Art. 78. Kryetari i Republikës ka të drejtën e faljes (grace).

Propozim i ligjes për amnisti, i përket vetëm pushtetit përmbarues.

Art. 79. Kryetari i Republikës mund të thërrasë dy Dhomat në mbledhje të jashtzakonshme.

Art. 80. Propozimi i ligjevet i përket pushtetit përmbarues dhe Senatit e Dhomës së deputetvet, por, propozimi ligjeve qi sjellin me vete shtesa ase barrë financjare, i përket vetëm pushtetit përmbarues.

Art. 81. As nji akt i Kryetarit të Republikës, nuk ka vleftë pa kundërfirmën e Ministrit ase Ministravet Kompetentë.

Art. 82. Në kohë kryengritjeje, luftë të mbrendëshme ase të jashtme, mobilizimi të përgjithshëm, ase kalamiteti publik, Kryesija e Republikës nen përgjegjesin e trupit Ministruer, shpallë shtetin e rrethimit, dhe ven në zbatim ligjen relative në gjithë token e Shtetit ase në ndonji copë të sajë; në qoftë se Dhomat janë të mbledhuna, duhet marrë auktorizimi, dhe në qoftë se Dhomat nuk ndodhen të mbledhuna, Pushteti përmbarues e ven në zbatim, por dekreti i shpalljes së shtetrrethimit i duhet paraqitun Dhomavet në fillim të sesjonit t’afërmë.

Dekreti i shpalljes së shtet rrethimit i paraqitet Dhomës së deputetvet mbas mbledhjes së saj për aprovim ase refuzim, e cila mbrenda 30 (tridhjet) ditve prej dates së paraqitjes të këtij dekreti, ep vendimin e refuzimit, ase t’aprovimit të tij.

Nji ligjë e posaçme ka me rregullue pezullimin e nenevet të Statutit relative me lirin përsonale, të drejtën e mbledhjevet, të drejtën e shoqnimit, padhunueshmin e banimit, lirin e fjalës e të shtypit dhe fshehtësin e letravet.

Këjo ligje mund të vehet në zbatim e tanë, ase pjesësisht.

Në rasë qi s’ka Dhomë deputetësh, thërritet Dhoma e përparshme vetëm për qellimet e sipër tregueme, dhe këta Deputetë, sa për këtë detyrë, gëzojnë gjithë imunitetet e deputetit.

Art. 83. Kryetari i Republikës kryeson Ministrat e emnuem prej tij; por këta duhet të paraqiten përpara Dhomës së deputetvet, jo ma vonë se 5 dit mbas ditës s’emnimit tue shpallun programën e tyne për të marrë votëbesimin, për ndryshe, quhen si kur kanë marrë votë mos besimi.

Art. 84. Në rasë vdekje, sëmundjeje të pa-shërueshme qi ndalon veprimin, dorëheqje të Kryetarit të Republikës, në qoftë se trupat legjislative ndodhen të mbledhuna at ças, zgjedhin Kryetarin e ri të Republikës, dhe në mos qofshin të mbledhuna, Kryetari i Senatit vetiu zavendëson kryesin e Republikës dhe m’at ças mblidhen vetiu dy Dhomat legjislative për të zgjedhun Kryetarin e ri të Republikës.

Për veç rasave të sipërpërmendura, në mungesë të Kryetarit të Republikës, zavendëson Kryetari i Senatit, dhe në mungesë të këtij të fundit, Kryetari i Dhomës së deputetvet.

Ministrat

Art. 85. Ministër mund t’emnohet kushdo qi ka cilësit e lypuna prej ligjës për t’u zgjedhun deputet.

Nuk mund t’emnohen minister gjinit prej gjaku të Kryetarit dhe të Kryetarit të Senatit, deri në gradë të dytë; gjithashtu dy gjini prej gjaku deri në gradë të tretë, gjith n’atë trup Ministruer.

Të huejt prej race, qi naturalizohen shtetas shqiptar, nuk mund t’emnohen Ministër.

Art. 86. Ministrant hyjnë lirisht në Senat e në Dhomën e deputetvet dhe ndigjohen kurdoherë qi kërkojnë fjalën, por votojnë nër Dhomat e tyne, vetëm ata qi janë Senatora dhe deputetë.

Art. 87. Ministrant, pa hymë në detyrë betohen përpara Kryetarit të Republikës.

Art. 88. Kur trupat legjislative ndodhen në pushim, Qeverija ka të drejtë me bamë dekret ligjë; por këto do t’i parashtrohen pushtetit legjislatif në fillim të sesjonit t’afërmë për shqyrtim e pranim.

Në qoftë se nuk paraqiten ose nuk pranohen, quhen vetiu të rrëxueme.

Art. 89. Ministrant janë të përgjegjëshëm politikisht përpara Dhomës së deputetvet, solidarisht për politikën e përgjithëshme të tyne dhe ç’do Ministër veçanërisht për veprat e veta.

Art. 90. Askurr urdhëni i kryetarit të Republikës, nuk mund të lirojë ministrant prej përgjegjësis së tyne.

Art. 91. Ministrant gëzojnë imunitetin parlamentar.

Art. 92. Në ç’do shfaqje të Ministravet, Ministri i Drejtësis mbanë vendin Kryesor.

Këshilli kontrollues i Financavet

Art. 93. Financat e Shtetit kontrollohen prej këshillit kontrollues të financavet.

Art. 94. Organizimi i këtij Këshilli, mënyra e ushtrimit të Zyravet të tij dhe cilësit e misëvet qi e përbajnë, caktohen në ligjen e posaçme.

Art. 95. Të drejtat e këtij këshillit janë kontrolli parashikues (preventive) e ndeshkuese (represiv) i llogarive të gjithë administratës së Shtetit edhe ato qi caktohen në ligjën e posaçme.

Art. 96. Kryetari dhe anëtarët e këtij Këshilli emnohen prej Kryetarit të Republikës dhe nëpunsit tjerë, si mbas ligjës.

Art. 97. Patundëshmija e këshillit kontrollues të financavet, sigurohet në mënyrën e caktueme në këtë Statut për misët e Gjyqit të Diktimit, me ndryshimin qi asht vetëm për pes vjet, çë prej ditës s’emnimit të së cilit prej tyne.

Pjesa D.

Pushteti gjyqsuer

Art. 98. Gjykatat janë indipendente. Në të dhanunit e gjykimevet të veta, nuk dipendojnë prej as nji tjetër auktoriteti veç se prej atij të ligjes.

As nji pushtet i shtetit, as legjislativ, as përmbarues, nuk mund të trazohet në punët gjyqsore.

Art. 99. As njeri nuk mund të thëritet as të gjykohet prej nji tjetër gjykate, veçse prej asaj, të cilës i përket ligjorisht. Me as nji mënyrë nuk mund të formohen gjykata të jashtzakonshme për gjykime mbi rasa të veçanta.

Art. 100. Bisedimet përpara gjykatavet, bahen botnisht veçse n’ato rasa kur gjyqtarët e shohin me udhë, qi të mbajnë dyrët të mbylluna n’interesë të qetsis botore e të moralit.

Gjyqtarët vendojnë e votojnë fshehtas, por gjykimet e dhanuna shqiptohen me za të naltë e botnisht.

Ç’do gjykim duhet të përmbajë arsyet nji nga nji dhe artikujt e ligjes ku mbështetet.

Art. 101. Ç’do njiri i pandehun me krim, duhet të ketë nji mbrojtës çë prej ditës qi vehet nen akuzim. Në qoftë se ai nuk kujdeset për të marrë mbrojtës, atëherë gjykata i a emnon vetiut.

Art. 102. Të gjithë gjyqtarët e prokurorët emnohen me dekret të Kryetarit të Republikës, mbas propozimit të Ministris së Drejtësis në bazë të zgjedhjes së bamun prej nji komisije të posaçme. Këjo komisi do të ketë për Kryetar Ministrin e Drejtësis e për misa sekretarin e përgjithshëm të Ministris së Drejtësis, Kryetarët dhe Kryeprokurorin e Diktimit.

Cilësit e gjyqtarvet e të prokurorvet, do të caktohen me ligjë.

Art. 103. Gjyqtarvet e prokurorvet u sigurohet patundëshmija prej zyrës së tyne.

Nji gjyqtar, për as nji arsye nuk mund të pushohet nga puna kundër dëshirës së tij, veçse në bazë të nji gjykimi të dhanun prej nji gjykate kompetente, apo të nji gjykimi të Gjykatës së Diktimit për faje dishiplinore.

Nji gjyqtar nuk mund të thëritet në gjyq për akte qi i përkasin zyrës së tij, pa vendimin e gjykatës së Diktimit. Vendimi i auktoritetit kompetent për të futunit nen akuzim të nji gjyqtari, sjellë me vete pezullimin e tij nga puna në rasat e parapame prej ligjës. Nji gjyqtar nuk mund të shpërngulet veçse në qoftë se dëfton ma parë me shkrim se e pëlqen vendin e ri.

Nji gjyqtar nuk mund të vehet në pensjon kundër pëlqimit të tij, veçse kur të ketë mbushen vjetët e sherbimit, apo të ketë kaptuem moshën e caktueme prej ligjes, ase kur sëmundje fizike a mendore e bajnë të pa zotin për shërbim. Në këtë rasën e mbrame të vomit e tij në pensjon, do të bahet në bazë të nji vendimi të dhanun nga gjykata e Diktimit.

Mënyra për të futunit nen akuzim e për gjykimin për faje dishiplinore të misvet të gjykatës së Diktimit, do të rregullohet me nji ligjë të posaçme.

Art. 104. Gjyqtarët n’as nji mënyrë, nuk mund të vehen në dispozitshmi.

Art. 105. Nji gjyqtar nuk mund të pranojë as nji tjetër nepunsi n’administratën botore, as me rrogë, as pa rrogë.

Art. 106. Gjyqtarët janë rreptësisht të ndaluem të merren me politikë. Për ndryshe, pushohen nga puna.

Art. 107. Vetëm gjyqtarët qi kanë cilësit e parapame prej ligjës qo do të bahet, gëzojnë të drejtat e caktueme në këtë kaptinë, mbas tri vjetësh shërbimi. Memorie.al

Të fundit

Aeroporti i Vlorës përgatitet për nisjen e fluturimeve, 100 vende të lira pune

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës po kryen përgatitet për nisjen e punës dhe është në kërkim të stafit që do...

Vinicius Junior flet mbi “Topin e Artë”: Nuk u ndjeva i tradhëtuar, nuk kam ëndërruar

Vinicius Junior-it iu kërkua të fliste për atë që ndodhi kur ai humbi garën për Topin e Artë ndaj Rodrit në tetor.  Braziliani deklaroi se...

“2 metra gropë na pret në fund”/ Rama: Energjinë e gjej te hakmarrja, na kanë poshtëruar

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë ditën e sotme në Panairin e Turizmit në Berlin, ku ka zhvilluar edhe një bashkëbisedim live me qytetarët...

Rama zbulon marrëdhënien e tij me Trump: Do t’i bëj një surprizë të këndshme kënetës

Kryeministri Edi Rama po zhvillon komunikimin “Sy m’sy”, nga Berlini ku ndodhet për Panairin e Turizmit. Gjatë fjalës së tij ai u ka sqaruar...

Nis “lufta tregtare” e Trump, hyjnë në fuqi tarifat ndaj Kanadasë, Kinës e Meksikës

Ashtu siç ishte lajmëruar edhe më herët, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të administratës Trump ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë. Lideri i Shtëpisë...

Lajme të tjera

Web TV