Juventusi ka siguruar sot fitoren e pestë radhazi në Serinë A, duke u kthyer plotësisht në garën për titullin kampion kur kanë mbetur edhe 11 ndeshje deri në mbyllje të sezonit.
Skuadra e Thiago Motës ka mundur me rezultatin 2-0 Veronën në një ndeshje të dominuar plotësisht, por ku nuk munguan edhe drithërimat. Bardhezinjtë krijuan rast pas rasti në pjesën e parë, të ndalur nga mbrojtja dhe Montipo në formë të shkëlqyer. Megjithatë, në fundin e pjesës së parë ishte VAR-i që i shpëtoi nga disavantazhi pas kryeveprës së Suslov, të anuluar për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë vazhdoi seria e rasteve të humbura para portës, derisa erdhi goditja e shkëlqyer e Thuram, i cili i dha avantazhin Juventusit. Bardhezinjtë më pas ia dolën të administronin lojën dhe në fund gjetën edhe shifrat e 2-0 me anë të Koopmeiners.
Rezultati e kthen Juventurin në vendin e katërt, vetëm 6 pikë larg Interit të vendit të parë./ D.C