Kisha Katolike hapi të mërkurën sezonin solemn të Kreshmës që i paraprin Pashkës, pa pjesëmarrjen e Papa Françeskut.
Një kardinal zuri vendin e Atit të Shenjtë duke udhëhequr një lutje të shkurtër me fjalë solidariteti dhe falënderimi për Bergolion.
Papa ndodhet në spitalin Gemelli të Romës prej thuajse tre javësh, ku po kurohet për pneumoni të dyfishtë.
Vatikani tha në përditësimin më të fundit se ai tashmë e merr oksigjenin me një tub nga hunda, një shenjë e lehtë përmirësimi.
Papa 88-vjeçar, i cili ka sëmundje kronike të mushkërive dhe i është hequr një pjesë e njërës mushkëri kur ishte i ri, ka qenë në gjendje të qëndrueshme për dy ditë pasi pësoi kriza respiratore të hënën.
Veç terapisë së frymëmarrjes, Bergolio po i nënshtrohet edhe terapisë fizike.
Mjekët nënvizuan se prognoza e tij mbetet e rezervuar për shkak të situatës komplekse.
Papa e shënoi fillimin e Kreshmës duke duke thirrur famullitarin në Gaza, tha Vatikani. Kjo ishte hera e tretë që ata komunikojnë që prej 14 shkurtit, kur Papa u shtrua në spital.
Gjatë mëngjesit ai mori pjesë në kremtimet e të Mërkurës së Hirit./ S,M