Me 129 vota pro dhe asnjë kundër, senati italian miratoi në seancën e djeshme plenare marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë.
Në punimet e seancës plenare të senatit italian ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla dhe ambasadorja Anila Bitri.
Shqipëria dhe Italia arritën më 6 shkurt të vitit 2024 marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Finalizimi i kësaj marrëveshjeje ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen, ndërsa palët kishin rreth 15 vite që negocionin për të arritur këtë firmë, që garanton të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali apo të punonjësve italianë në Shqipëri për pensionet.
Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë. Senatorët italianë vlerësuan edhe mundin dhe kontributin e shqiptarëve në Itali, integrimin në shoqëri që prej mbërritjes në brigjet e Barit.
Ata vlerësuan rritjen e ekonomisë shqiptare që u mundësoi sipërmarrësve italianë të punojnë përtej Adriatikut. “Marrëveshje të tilla janë të mirëpritura dhe vulosin miqësi të forta”, – deklaroi Ivan Scalfarotto, i Italia Viva-Il Centro Renew Europe.
Relatori Bruno Marton, i Movimento 5 Stelle, argumentoi votën pro duke i quajtur shqiptarët vëllezër. Përfaqësuesi nga Fratelli d’Italia përshëndeti ministrin Balla, praninë e të cilit e konsideroi një dëshmi e një serie kontaktesh direkte mes Italisë dhe Shqipërisë.
Koordinimi i sigurimeve garanton që personat, të cilët kanë punuar në të dyja shtetet, mund të bashkojnë periudhat e sigurimeve për të marrë pensione. Negociatat nisën më 2010 dhe përfshinë takime të shumta ndërmjet qeverive të të dyja vendeve, me vonesa për shkak të pandemisë. Marrëveshja është një hap i madh në sigurimin e të drejtave sociale të shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, si dhe të italianëve në Shqipëri.
PERFITUESIT
Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.
Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht prej vendit ku ka punuar, duke mundësuar krijimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dyja vendet. Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite.
Dhe me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen. Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension, duke marrë dy pensione: i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu. Pra secili shtet do të paguajë sipas viteve të punës respektive.
SIGURIMET SHOQËRORE, MARRËVESHJET ME SHTETET E TJERA
Që prej vitit 2005 e deri më sot, Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.
Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë, ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën. Ndërsa po punon për një marrëveshjeje edhe me Greqinë./ S,M