Nga ARTUR AJAZI
Sali Berisha po e kopjon keq fare “mikun” e tij Donald Trump. E ndërsa Trump thotë “Amerika e para”, Sali Berisha në Tiranë, na del me një tjetër parrullë “Shqipëria Madhështore”. I kapur keq nga frika e humbjes, Berisha dhe aleatët e tij skeptikë dhe të paditur, nuk e dinë se, të kopjosh keq dikë, do të thotë se ke shteruar nga gjithçka. Berishës, ka nisur ti duket vetja “Trump”, apo dhe Kancelar i Gjermanisë, ende pa ardhur mirë 11 Maji. Steka, ku e ka ulur Berisha politikbërjen e asaj partie, pothuajse ka prekur fundin. Të dalësh dhe të thuash se “unë do të bëj Shqipërinë Madhështore sa të vij në pushtet”, kur sa herë ke patur pushtetin e ke kthyer vendin në pocaqi, kjo sikur nuk shkon. Por edhe nuk besohet, edhe pse emigrantëve (shumica në salla të ardhur nga Shqipëria me biletë të paguar) Berisha u tha se “ne do të bëjmë shtetin me taksa zero, ndaj na votoni”. Kjo vallë do ta bëjë Shqipërinë Madhështore? E kujt do të jetë “Shqiperia Madhështore” zoti Berisha ? E partisë tuaj, e sejmenëve tuaj, e atyre që dogjën Parlamentin, institucionet, e atyre që hidhnin molotovë në dyert e bashkisë Tiranë, apo e atyre që thyejnë xhamat e ministrive kur ju i nxirrni në protesta? Të bësh Shqipërinë Madhështore, do të thotë të jesh vizionar, ëndërrimtar, ambicioz, dhe të mendosh vazhdimisht për shtetin dhe popullin, dhe jo për pushtetin personal. Eksperianca e viteve të kaluara, na ka treguar se, Partia Demokratike gjithmonë kur ka patur pushtet, ka prishur gjithçka të bukur, gjithçka të re, gjithçka europiane, dhe e ka katandisur vendin dhe qeverisjen në njollë turpi për syrin dhe veshin e ndërkombëtarëve. Shqipëria “Madhështore” e kujt zoti Berisha ? E juaja, e Gaz Bardhit, e Mul Nokës, apo e Belindit dhe pasanikëve të tjerë të asaj partie, që e shohin pushtetin si “lopa që duhet mjelë”. Mendoj se edhe baza e partisë tuaj, nuk ju beson se ju, do të bëni nqs vini në pushtet Shqipërinë Madhështore. Nuk ju besojnë pasi e dinë sa e mbani ju fjalën, sa i vlerësoni ju mbështetësit tuaj, se sa i besoni dhe dëgjoni zërat kundër, dhe më kryesorja, sa arritët ju kur kishit pushtetin, të bëni dhe zbatoni premtimet e dhëna. Shqipëria nuk ka nevojë të quhet “Madhështore” në letra e programe elektorale. Shqipëria po përmbyll me sukses procesin e integrimit të saj në Bashkimit Europian. Shqipëria do të jetë Europiane, pasi Madhështore ajo është de facto dhe de jure. Një parti që nuk bën dot primaret brënda saj, nuk mund të bëjë kurrë Shqipërinë “Madhështore”.