Analiza/ Opozita, akoma larg një projekti për rrotacionin e pushtetit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Preç Zogaj

Me rikthmin në krye të partisë më të madhe opozitare Berishës i ra barra e ndërtimit të një projekti për rrotacionin e pushtetit në vend. E kishte dhe e ka faktor lehtësues konsumimin për tre mandate radhazi të Edi Ramës në krye të qeverisë. Duke pas hedhur e djegur në betejë kundër tij Lulzim Bashën, pa marrë vetë asnjë përgjegjësi si kryetar i kryetarit për tetë vite me radhë.

Kësisoj i bie të rikthehet si sfidant i freskët, pas një pauze dymbëdhjetëvjeçare, me shpresën të mbledhë gratis frytet e pakënaqësisë dhe veljes së shoqërisë me një kryeministër që rri kaq gjatë në qeveri, rrethuar me afera të shumta korruptive në hetim dhe në gjykim si asnjëherë në histori. Në fakt, me këtë bilanc të korrupsionit, qeveria e Ramës do të ishte parakaluar më kohë në sondazhe nga opozita PD-LSI e vitit 2021, kur doli me vetëm 37 mijë vota më pak, dhe sot do të ishte duke shkuar e sigurt drejt një fitoreje bindese.

Berisha e prishi atë PD për arsyet që dihen. E rithemeloi, po të shprehemi me gjuhën e tij, dhe tani u premton ndjekësve rikthimin për herë të tretë.
Mund të ishte kjo një kapriçio e historisë. Politika ka njohur tek-tuk raste. Por është në lojë fuqishëm edhe një kapriçio në inversin e së parës: Berisha të mundësojë në rolin e faktorit numër një fitoren e Ramës për herë të katërt në qeveri.

Në zgjedhjet vendore të para dy viteve koalicioni i madh i Berishës, Metës dhe gjithë partive të vogla aleate pësoi humbjen me të thellë në histori duke fituar vetëm gjashtë bashki, të gjitha të vogla, me përjashtim të Kavajës. Edhe pse PD zyrtare që drejtohej nga Enkelejd Alibeaj në ato zgjedhje mbështeti në nëntëdhjetë përqind të bashkive kandidatët e Berishës. Ky u justifikua se nuk kishte siglën, një mungesë e konsiderueshme, por jo sa të përligjte një humbje aq të madhe.
Rrezultati i atyre zgjedhjeve, një test paraprak për zgjedhjet politike të këtij viti, duhej të kishte rënë si një kambanë alarmi për opozitën. Parasëgjithash për zotin Berisha, që mori edhe siglën e PD-së në qershor të vitit të kaluar.

Nga ky moment, i qetësuar dhe i shpërblyer në përpjekjen e tij, ai kishte gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të ndërtuar një projekt të rrotacionit të pushtetit. Kjo kërkonte vendime të forta, në funksion të bashkimit të madh të PD-së dhe rinovimit të lidershipit të saj për t’ju qasur shoqërisë shqiptare pa gjylet e problemeve të tij dhe aleatëve të tij nëpër këmbë. Qoftë me drejtësinë, qoftë me faktorin ndërkombëtar.
Asgjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi.
PD u pajtua me ndryshimet ligjore në ligjin zgjedhor duke i mbyllur listat e kandidatëve për deputetë në një të tretën e tyre. Madje duke i “mbrojtur” të emëruarit pa garë të listës së mbyllur edhe nga vota nominale, siç ka qenë në zgjedhjet e vitit 2021. Që të mos merret vesh sa mbështetje kanë!

Në rrafshin retorik, PD e kishte përgatitur elektoratin opozitar se do të bënte diferencën me lista të hapura. Kur erdhi çasti i provës, e bëri me keq se sa ishte. Ky ishte autogoli i parë antielektoral që dha mesazhin se kasta partiake kishte vetëm një hall: si të sigurohet për vetë në shmangie të votës popullore, siç bën prej njëzet vjetësh.

Lexo edhe :  Shqipëria “Madhështore” e kujt ?

E gjithë kjo e padiste si të dobët dhe pa besim ambicien e zotit Berisha sikur i interesonte vetëm një gjë: të ruante një opozitë të koracuar rreth tij, duke ua lënë rrethanave, rastësive a ndonjë dhurate të fatit rrotacionin eventual të pushtetit.
Në të vertëtë PD nuk ka fituar tamam as një palë zgjedhje me ligjin elektoral të listave të mbyllura. Ajo nuk e ka vënë ujët në zjarr të analizojë: a mos vallë PS, së cilës i peshon më rëndë bishti se sqepari, e ka veç në favor këtë ligj? Kurse PD, që normalisht duhet ta ketë forcën te individi, e ka në disfavor?

Primaret, në vend që t’i zvogëlonin efektet e ligjit elektoral deledash, e thelluan më tej ndarjen mes “patricëve” të partisë që emërohen deputetë në pjesën e listës së mbyllur dhe “plebejve” të listës së hapur që duhet të mbajnë në kurriz të parët drejt bregut tjetër të lumit. Elita e partisë u la jashtë primareve. Një absurditet që goditi qysh në krye parimin e zgjedhjeve të drejta e të barabarta. Në një parti demokratike nuk mund të ketë ca të nënës ca të njerkës.
E gjithë kjo s’ka bërë gjë tjetër veçse i ka kthyer zotit Berisha shijen e dorovitjes a mosdorovitjes së atyre që presin me ankth çfarë do të vendosë ai për ta.

Por nuk mbaron me kaq. PD shtrëngohet t’u bëjë vend në listat e mbyllura kandidatëve të partive aleate të cilët në karrierën e tyre nuk i janë nënshtruar, së paku prej njëzet vjetësh, asnjë testi të votës popullore individuale. Përfshirja e tyre do të shtyjë kandidatë demokratë që kanë fituar më shumë vota në primare. Në Tiranë mund të mbesim në listën e mbyllur vetëm dy a tre syresh.
Një projekt i fitores së PD-së do të kishte kërkuar hapje ndaj shoqërisë si në përvojat më të mira të saj në të kaluarën; hapje ndaj rivalëve politikë në opozitë, brenda llojit apo jashtë llojit. Subjekte politike apo individë qofshin. Nuk mund të them cila do të kishte qenë përgjigja e tyre, por ai që udhëheq përpjekjen për rrotacion ka barrën të provojë kodo ku sheh mundësi, leverdi. Pa pritur t’i luten.

Aq më shumë në rastin e PD-së, ku fraktura e krijuar për shkak të vijës ndarëse që vuri sanksionimi non gratta i zotit Berisha nga SHBA dhe Britania e Madhe, është përtej deputetëve dhe partiakëve që lëvizin për interesa pragmatike; është te një fashë anëtarësh dhe simpatizantësh që dinë të dallojnë çfarë është një vijë ndarëse parimore dhe një tjetër jo parimore. Këta nuk kanë asnjë instrument të hyjnë në brendi të mekanizmit amerikan apo britanik që prodhon sanksionimet. I marrin të mirëqenë sa të jetë në fuqi si vendime të aleatëve strategjikë dhe refuzojnë bashkimin si asimilim me një të kapërcyer të ylberit.

Kualicioni i zotit Berisha nuk befason në asgjë me politofoton e një bashkësie kryetarësh të përjetshëm, si në asnjë vend të planetit. Dhe në fakt nuk se pritej diçka ndryshe. Berisha mban vetë rekordin. Të vegjlit vetëm e imitojnë.
Ndërkaq, mesazhi më i qartë i projektit të tij është antielektoral: të sfidojë drejtësinë. Opsion tipik pakice. Ngado që ta marrësh, veprimet dhe qëndrimet e Berishës tregojnë se ka si merak të parë të mbajë radhët. Pastaj ç’të jetë shkruar. Turrë a jazë./k.k

Të fundit

Gjermani/ Për çfarë kanë rënë dakord CDU/CSU dhe SPD?

Ç’mund të ndryshojë me një qeveri të koalicionit CDU/CSU dhe SPD? Dokumenti i hartuar nga partitë gjatë bisedimeve paraprake...

Elbasani nis festimet për Ditën e Verës, një javë e mbushur me ngjyra, muzikë dhe traditë

Kryeqyteti i pranverës ka nisur sot festimet për Ditën e Verës, duke e kthyer qytetin në një skenë të gjallë plot muzikë, ngjyra dhe...

Redoni nxjerr blof produksionin e “BBV”, mohon dërgimin e mesazhit për Eglin

Ish-konkurrenti i Big Brother VIP Albania, Redoni ka folur për eksperiencën e tij në shtëpi dhe raportin me Eglin. Ai theksoi se për shkak...

2035, si do të jetë bota pas 10 vitesh?

Bota në vitin 2035, pra në 10 vjet, nuk do të na kënaqë aspak, nëse verifikohen vlerësimet dhe parashikimet e ekspertëve. Me siguri, disa...

Rama jep lajmin e bukur: Në Paris, shesh me emrin dhe bustin e Skënderbeut

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar në rrjetet sociale se statujës së Skënderbeut ë ndodhet në shesh po i merren përmasat pasi monumenti i tij...

Lajme të tjera

Web TV