Gjatë dy ditëve të takimeve me drejtuesit politikë të qarqeve, kryeministri Rama ka diskutuar mbi emrat e kandidatëve që do të jenë në listën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit. Çdo drejtues ka propozuar emrat e tij, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret më 12 mars në mbledhjen e Kryesisë së PS-së.
Rama pritet të japë prioritet grave dhe të përfshijë në listën e hapur eksponentët me më shumë se dy mandate. Pjesë e garës mund të jenë edhe disa kryebashkiakë. Formula e listave parashikon 46 kandidatë në listë të mbyllur dhe 140 në listë të hapur.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime kokë më kokë me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe, për të diskutuar mbi përbërjen e listave të kandidatëve në zgjedhjet e 11 majit. Takimet nisën në orën 10:00 në vilën qeveritare nr. 30 dhe vijuan deri në orën 13:40, për t’u ndërprerë më pas dhe për të rifilluar në orët e pasdites.
Gjatë paradites, Rama është takuar me Blendi Klosin (Dibër), Mirela Kumbaron (Gjirokastër), Ulsi Manjën (Lezhë), Emirjana Sakon (Durrës), Benet Becin (Shkodër), Bledi Çuçin (Vlorë) dhe Niko Peleshin (Korçë). Takimet kanë qenë individuale dhe secili prej drejtuesve ka propozuar emrat që konsideron më të përshtatshëm për listën e kandidatëve të qarkut përkatës.
Në mesditë, takimet vijuan me drejtuesin e qarkut të Lezhës, Ulsi Manja, ndërsa një nga emrat që përflitet për këtë qark është Ermal Pacaj, ish-drejtori i Shërbimit të Provës. Pacaj është konsideruar një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Manjës dhe kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.
Takimet vazhduan gjatë pasdites me Belinda Ballukun (Fier), Eduard Shalsin (Kukës), Ogerta Manastirliun dhe Elisa Spiropalin (Tiranë), Ervin Demon (Berat) dhe Arbjan Maznikun (Elbasan). Në fund të konsultimeve, lista përfundimtare do të shqyrtohet në Kryesinë e PS-së më 12 mars, ndërsa vendimi përfundimtar i takon kryeministrit Rama.
Kandidatët e mundshëm
Disa emra janë përfolur për të qenë në listën e kandidatëve të PS-së në qarqe të ndryshme. Në Vlorë pritet të garojnë Bledi Çuçi, Pirro Vengu, Anila Denaj dhe deputeti aktual Vullnet Sinaj, edhe pse ky i fundit pati deklaruar më parë se nuk do të rikandidojë. Në Gjirokastër, veç Mirela Kumbaros, përfliten edhe Tërmet Peçi dhe Edjon Maliqi.
Në Shkodër mund të jenë në garë Majlinda Angoni, Onid Bejleri dhe Frrok Gjini. Në Korçë, krahas Niko Peleshit, përmenden Ilir Pendavinji, Ilir Topi, Enslemvera Zake dhe Bledi Çomo. Ndërsa në Lezhë, përveç Ulsi Manjës, pritet të kandidojë edhe Ermal Pacaj dhe Pranvera Skana. Kryeministri Rama do të jetë në listën e hapur të Tiranës, pas angazhimit të tij për të drejtuar fushatën në kryeqytet pas arrestimit të Erion Veliajt.
Gjithashtu, katër kryebashkiakë kanë shprehur interes për të qenë në listat e deputetëve: Ervin Demo (Berat), Juliana Mema (Dimal), Tërmet Peçi (Tepelenë) dhe Agron Malaj (Mat). Në vendimmarrjen përfundimtare, Rama pritet të japë prioritet grave dhe vajzave në listën e mbyllur, ndërsa në listën e hapur do të përfshihen eksponentë të PS-së me më shumë se dy mandate, të cilët do të luftojnë për mbështetje elektorale.
Listat
Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, çdo parti apo koalicion do të garojë me 46 kandidatë në listë të mbyllur dhe 140 të tjerë në listë të hapur. Sipas burimeve, një nga mesazhet kryesore të fushatës së socialistëve do të jetë “Me ne drejt BE, me ata në kënetë”, duke vënë theksin tek rruga e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas përfundimit të takimeve me drejtuesit politikë të qarqeve, pritet që Partia Socialiste të zyrtarizojë listën e kandidatëve pas mbledhjes së Kryesisë më 12 mars.
KQZ publikon listën paraprake të votuesve nga jashtë, verifikimi i emrit deri më 10 mars
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar listën paraprake të zgjedhësve nga jashtë që kanë aplikuar dhe u është pranuar kërkesa për regjistrim përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit. Vetëm ata që janë regjistruar me sukses përmes kësaj platforme janë pjesë e listës, e cila mund të konsultohet në faqen zyrtare të KQZ-së si dhe në aplikacionin zyrtar të KQZ-së në iOS dhe Play Store. Për të verifikuar emrin e tyre, votuesit nga jashtë duhet të plotësojnë të dhënat e kërkuara në sistemin e KQZ-së, duke përfshirë numrin e identifikimit, emrin, mbiemrin, atësinë dhe datëlindjen.
Ky proces u mundëson atyre të sigurohen se janë pjesë e listës paraprake të zgjedhësve për zgjedhjet e 11 majit. Nga data 9 deri më 10 mars 2025, zgjedhësit që janë regjistruar për të votuar nga jashtë kanë mundësinë të kërkojnë çregjistrimin nga lista nëse planifikojnë të ndodhen në Shqipëri më 11 maj dhe duan të votojnë personalisht në qendrat e votimit në vend.
Po ashtu, ata që kanë ndryshuar adresën e tyre pas miratimit të regjistrimit mund të përditësojnë të dhënat, duke dorëzuar dokumentin provues të adresës së re. Dërgimi i fletëve të votimit dhe dokumentacionit zgjedhor do të bëhet përmes shërbimit postar nga KQZ, sipas afateve të përcaktuara. Nëse gjithçka ecën sipas planifikimit, procesi i dërgimit të fletëve të votimit do të përfundojë mes datës 8 dhe 16 prill.
Pasi ta kenë marrë, votuesit nga jashtë do të plotësojnë fletën sipas udhëzimeve të KQZ-së dhe do ta dërgojnë atë mbrapsht përmes postës, duke llogaritur kohën e nevojshme që fleta të mbërrijë pranë KQZ-së jo më vonë se ora 19:00 e datës 11 maj. Të gjitha kostot për dërgimin dhe kthimin e fletëve të votimit mbulohen nga shteti shqiptar. Në total, janë mbi 294 mijë shqiptarë me banim jashtë vendit që kanë të drejtën për të marrë pjesë në votime më 11 maj.
Më shumë se 48 mijë kërkesa janë refuzuar për shkak të mangësive të ndryshme. Pas përfundimit të procesit të regjistrimit, emrat e votuesve nga jashtë do të hiqen nga lista e zgjedhësve brenda Shqipërisë. Kërkesat për regjistrim janë bërë nga shumë shtete të ndryshme, ndërsa numri më i madh i emigrantëve të regjistruar vjen nga Italia dhe Greqia.
Në vendin e tretë është Gjermania, pasuar nga Shtetet e Bashkuara. Sipas parashikimeve ligjore, vota e tyre do të llogaritet në qarkun ku kanë pasur residencën e fundit në Shqipëri. Më shumë se 52 mijë votues të regjistruar i përkasin Tiranës, e pasuar nga Fieri me mbi 32 mijë votues nga jashtë dhe Elbasani e Durrësi me mbi 25 mijë votues secili.