Pas një seance maratonë në Apelin e GJKKO, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet sot sërish para Apelit të Posaçëm. Seanca nis në 12:30, pasi një ditë më parë u shty pasi mbrojtja e Veliajt kërkoi kohë të njihej me provat e reja që dorëzuan dy prokurorët e posaçëm Ols Dado dhe Altin Dumani.
Dy avokatët Ermir Beta dhe Artur Selmani kanë kërkuar masë më të butë sigurie për Veliajn kundrejt garancisë pasurore, me argumentin se nuk ka rrezik që të prishë provat. Ndërkohë, edhe sot Veliaj do të jetë i pranishëm në seancë, ku pritet edhe të flasë para gjyqtarit Engert Pëllumbi. Do jetë ky i fundit që do të vendosë nëse Veliaj do të lirohet ose jo nga qelia, ndërsa njihet edhe si gjyqtari që dënoi ish-ministrin socialist Saimir Tahiri.
Lirinë e ka kërkuar edhe biznesmeni Elma Abule, i cili ndodhet në arrest me burg i akuzuar për pastrim parash. Edhe avokatja e tij, Romina Zano, kërkoi masë më të butë kundrejt garancisë pasurore. Pranë Apelit të GJKO ishte edhe Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane “Kasowitz Benson Torres LLP”, e cila po këshillon kryebashkiakun Veliaj.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës të tre biznesmenëve Shkëlqim Fusha, Gentian Sulës dhe Meriman Palushit, kanë kërkuar heqjen e masës detyrim paraqitjeje, me argumentin se nuk është në nivelin e standardit ligjor, pasi sipas tyre provat nuk janë të mjaftueshme. Sula dhe Palushi nuk ishin të pranishëm fizikisht në seancë, ndërsa u përfaqësuan vetëm nga avokatët e tyre.Të tre akuzohen për korrupsion aktiv.
Masën e sigurisë nuk e ka ankimuar në Shkallën e Dytë të gjyqësorit, Ajola Xoxa, Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi. Kryebashkiaku Veliaj mbahet në qeli që prej 10 shkurtit dhe akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie./ S,M