33 vjet më parë u nda nga jeta shkrimtari, akademiku dhe albanologu, Martin Camaj (21 korrik 1925 -12 mars 1992).
Camaj lindi më 21 korrik të vitit 1925, në Temal të Dukagjinit, aty ku kaloi dhe vitet e para të fëmijërisë. Shpejt do të vendosej në Shkodër ku do të ndiqte rregullisht arsimimin në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. Studimet i vazhdoi deri në vitin 1946, kohë kur u detyrua t’i ndërpriste për shkak të mbylljes së instituteve arsimore fetare në Shkodër nga regjimi komunist.
Fillimisht shërbeu si mësues i vetëm në shkollën e parë në Prekal deri në vitin 1948 kur u arratis nga Shqipëria për t’i shpëtuar regjimit komunist. Pas largimit nga vendi, vendoset si mësues në Tuz të Malit të Zi. Në vitin 1950, nis studimet e larta në Beograd për 5 vite dhe diplomohet në degën e letërsisë. Pas një periudhe të shkurtër në Sarajevë, Martin Camaj fillon studimet doktorale në Romë pranë Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e cila kryesohej nga Ernest Koliqi.
Merr titullin “Doktor” me temën doktorale mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, nën mentorimin e Ernest Koliqit. Pas kësaj etape, Martin Camaj do të vendosej në Mynih në vitin 1960 ku do të ushtrojë profesionin e lektorit. Në vitin 1971, në Universitetin Ludwig-Maximillian të Mynihut do të hapej për herë të parë katedra e albanologjisë, e cila do të drejtohej për 20 vite me radhë nga Martin Camaj. Në vitin 1990 merr titullin “Profesor i merituar”.
Përpos kontributeve madhore akademike në fushën e albanologjisë, Martin Camaj ka botuar dhe një numër veprash letrare si: “Nji fyell ndër male”, “Kanga e Vërrinit”, “Legjenda”, “Rrathë”, “Njeriu me vete e me të tjerë”, “Drandja”, “Palimpsest”, apo dhe artikuj të ndryshëm në periodikun e mirënjohur të diasporës “Shejzat”. Veprat e tij ishin të ndaluara deri më 1991.
Ndërroi jetë më 12 mars 1992 në Mynih.
Pesë ditë para se të largohej nga kjo botë, ai i drejtoi shqiptarëve një mesazh prekës, një testament shpirtëror që përçon mallin dhe dashurinë e tij të pashuar për vendin e tij:
“Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.”
Në këto fjalë të fundit ndihet një përmallim i thellë, një dëshirë për të qenë pjesë e kombit të tij, ndonëse vitet dhe rrethanat e kishin mbajtur larg. Ai nuk ishte i huaj për Shqipërinë, as Shqipëria nuk ishte e huaj për të—ajo jetonte në poezinë e tij, në kërkimet e tij shkencore, në të folmen e pastër e të lashtë gegërishte, të cilën ai e ruajti me devotshmëri.
Martin Camaj nuk është më, por fjala e tij rron. Ai na fton të njohim e të vlerësojmë trashëgiminë e tij letrare dhe gjuhësore, të kuptojmë se një komb nuk e ndan dot gjuha, as historia, por vetëm harresa. Në këtë përvjetor, kujtojmë jo vetëm poetin dhe dijetarin, por edhe njeriun që, edhe në çastet e fundit, e ndjeu veten pjesë të pandashme të trungut shqiptar.
