Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën arrest me burg për kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili kërkoi masë më të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurore.
Seanca e cila zgjati afro 3 orë, nisi me fjalën e avokatëve të Veliajt që thanë qëndrimin e tyre në lidhje me provat e reja që u paraqitën nga SPAK të martën, disa biseda të përgjuara gjatë kohës që Veliaj ndodhej në paraburgimin e Durrësit.
Përmes mbrojtjes, kryebashkiaku i Tiranës kërkoi heqje të arrestit në burg me qëndrimin se nuk është i rrezikshëm, nuk ka rrezik për tu larguar, nuk ka mundësi të dëmtojë provat. Por, prokurorët kujtuan se Veliaj po hetohet për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash.
Avokati Artur Selmani deklaroi në gjykatë, se përgjimet telefonike ku Veliaj fliste me familjarët e tij nuk mund të merren si kërcënim apo intimidim për askënd, dhe nuk mund të përdoren për të rënduar pozitën e kryebashkiakut, i cili kërkon një masë më të butë sigurie, edhe përkundrejt garancisë pasurore.
Avokati Artur Selmani i mëshoi faktit se nuk ka asnjë rrezik që në liri, Veliaj të prishë provat, të arratiset apo të intimidojë gjyqtarët.
Gjatë seancës së djeshme, Veliaj kundërshtoi provat e reja që pretendon SPAK, sikurse janë përgjimet. Veliaj pretendoi se Prokuroria e Posaçme ka përgjuar për një muaj bisedat e tij familjare.
“Ju nuk keni konsideruar prova te reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore”, u shpreh Veliaj.
Ndërkohë, për biznesmenin Elman Abule, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Vendimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;
Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij./ S,M