Mëngjesin e kësaj të enjteje emisioni “Aldo Morning Show” në Tv Klan tek intervista e ditës u ndal tek blerjet online. Kohët e fundit njerëzit janë gjithnjë edhe më të joshur nga kjo formë e blerjeve. Çmimet e lira, fotot e “përsosura”, transporti falas janë elemente që kanë “rrëmbyer” zemrat e qytetarëve, të cilat kanë harruar blerjet tradicionale në dyqanet fizike.
Por, pas këtyre fotove të rrobave e produkteve të bukura çfarë fshihet? I ftuar në studio, eksperti i IT, Ardit Gavani ngriti alarmin për një sërë problematikash që ekspertët e fushës kanë vënë re tek aplikacionet e blerjeve online.
Sipas tij qytetarët duhet të jenë shumë vigjilentë sa u takon produkteve që porosisin dhe përshkimit të secilit prej tyre, në mënyrë që të mos bien pre e mashtrimit.
“Dyshoni pak a shumë në çdo gjë që shikoni online. Dyshoni dhe kontrolloni shumë, mos bëni blerje të nxituara. Shikoni çdo detaj. Në pjesën e vjedhjeve ka aq shumë gjëra saqë ndonjëherë është e pamundur. Unë do them diçka që nëse duan të të vjedhin, të vjedhin”, tha ai.
Eksperti i IT gjithashtu apeloi dhe për kujdesin që duhet të tregojnë qytetarët sa u takon njoftimeve dhe mesazheve që vijnë në e-mail. Nga ana tjetër dhe futja e të dhënave të llogarisë bankare apo kartës së kreditit/debitit përbëjnë një kërcënim më vete. Në bazë të eksperiencës së tij në fushën e teknologjisë dhe telekomunikacionit ai tregoi për publikun dhe disa raste konkrete të mashtrimit apo hakerimit./ S,M