Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ka dhënë më shumë detaje lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 Majit.
Në një lidhje direkte në emisionin “Opinion” , Klosi është shprehur se nuk ka një habi lidhur me emrat në listën e PS për zgjedhjet e 11 Majit.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste shprehet se në të gjithë qarqet e vendit shumica e kandidatëve janë të rinj që sipas tij do të sjellin risi në jetën e PS.
‘Është e shprehur qartë tashmë që ata deputet që kanë një mandat përveç drejtuesve politik janë në garë dhe në terren për të mbledhur sa më shumë vota. Në përgjithësi, të gjithë ata që janë në listat e mbyllura janë në pozicione specifike. Dhe kështu ka nga një gjykim për të gjithë ata deputetë që janë futur në listën e mbyllur, kurse pastaj e gjithë pjesa tjetër e partisë është në listën e hapur. Mendoj që kjo nuk është një praktikë e re. Gara në terren është shumë e rëndësishme për PS siç është e rëndësishme edhe lista e mbyllur.’, tha Klosi.
Sa i përket kriterit të përzgjedhjes, Klosi shprehet se zgjedhja e tyre është bërë padyshim në bazë të karakteristikave të gjithsecilit kandidat, përfaqësimit të zonave të caktuara dhe shumë kritereve të tjera./ S,M