Në një kohë shtimi të tensioneve në Europë, mes kërcënimeve të SHBA-së se mund ta tërheqë ombrellën e saj mbrojtëse gjigandi gjerman i prodhimit të armëve, Rheinmetall, njoftoi se ka marrë një numër rekord porosish.
Në 35 vitet që kamë punuar për këtë koncern, nuk e kam parë kurrë dicka të tillë”, pohoi drejtori i Rheinmetall, Armin Papperger.
Selia e kompanisë në Düsseldorf aktualisht ka kërkesa dhe porosi me vlerë 55 miliardë euro. Kjo është 17 miliardë më shumë se rekordi i vitit të kaluar – është më shumë se kurrë më parë.
Gjithçka që kërkohen për ushtrinë po porositet: nga municionet, te mjetet e blinduara e deri tek tanket. Rheinmetall bashkëpunon edhe me KNDSDeutschland me bazë në Mynih(një kompani që deri vonë quhej Kraus-Maffei Wegmann).
Kompanisë po i kërkohen edhe tanke Leopard, raketa, radarë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, dronë, teknologji digjitale ushtarake…: “Shtetet e Bashkuara, këtë e them pa asnjë akuzë, do ta detyrojnë Evropën të investojë më shumë për sigurinë e saj. Është një ndryshim i madh, por mendoj se është një shenjë e mirë për industrinë në Evropë, sepse ndoshta mund të bëhet më e pavarur. E meqë ra fjala, kjo është e rëndësishme dhe për politikën”, mendon Papperger.
Në kontinentin e vjetër ka nisur një epokë armatike, shton ai, teksa nënvizon se të ardhurat dhe fitimet janë rritur me rreth 35 për qind dhe se me gjasë, ky është “vetëm fillimi”.
Sipas vlerësimit të prodhuesit gjerman të armëve, nëse anëtarët e NATO-s do të fillonin me të vërtetë të shpenzonin 2.5 deri në 3.5 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen, ky do të ishte “një potencial për qarkullim midis 300 dhe 400 miliardë euro deri në vitin 2030”./k.k