Kina apo SHBA? Ja shteti që ndërton më shumë anije ushtarake në botë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shtetet e Bashkuara thonë se Kina është kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare dhe sfida më e madhe për ushtrinë amerikane në përpjekjet për të mbrojtur statusin e forcës ushtarake më të madhe dhe më vdekjeprurëse në botë. Por, ndërkohë që marina kineze vazhdon të rritet, numri i anijeve të flotës amerikane po zvogëlohet.

Marina amerikane ka 296 anije. Mijëra kompani prodhojnë pjesët e tyre dhe i mirëmbajnë ato. Mes tyre është edhe kompania Fairbanks Morse Defense, prodhuesi më i madh i motorëve në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut.

Presidenti i kësaj kompania, George Whittier tha për Zërin e Amerikës se 90% e biznesit të kompanisë është i lidhur me marinën amerikane ose Rojen Detare.

Kompania, tha ai, priste që madhësia e flotës së marinës të rritej për të përmbushur objektivat e strukturës së Forcave Detare, që rriten çdo vit.

Por vitet e fundit, flota e marinës amerikane është zvogëluar. Buxheti i vitit të kaluar financoi prodhimin e vetëm gjashtë anijeve të reja të marinës, ndërsa ajo nxorri nga funksioni 15 anije të vjetëra të flotës së saj.

“Planet për buxhetin e vitit 2025, fillimisht parashikonin ndërtimin e 10 anijeve të reja, por tani do të kërkohet ndërtimi i vetëm gjashtë anijeve të reja dhe nxjerrja nga funksioni i 19 anijeve të vjetra. Pra, kjo do të thotë 13 anije më pak për flotën amerikane”, thotë George Whittier nga kompania Fairbanks Morse Defense.

Marina e Shteteve të Bashkuara konsiderohet ende më e fuqishmja në botë, por numri i anijeve të marinës amerikane është në rënie krahasuar me ato të Kinës. Sipas Pentagonit, këtë vit ushtria kineze pritet të ketë mbi 400 luftanije.

“Është shumë zhgënjyese dhe shumë sfiduese të jesh furnizues. Ata po rrisin me shpejtësi madhësinë e marinës së tyre dhe ne jemi lënë mënjanë në një kohë kur ne kemi nevojë të ndërtojmë më shumë anije”, thotë George Whittier nga kompania Fairbanks Morse Defense.

Admirali Jim Kilby, shef në detyrë i Operacioneve Detare, është dakord me këtë vlerësim.

“Për një kohë të gjatë, ne kemi kërkuar një marinë më të madhe.”

Por ai thotë se nuk ka pasur buxhet për të zëvendësuar të gjitha anijet dhe nëndetëset e vjetëruara, aq më pak për të rritur numrin e tyre.

“Kur marrim fonde për ndërtimin e një anijeje të re, ne zakonisht zëvendësojmë një anije të vjetër, sepse mirëmbajtja e anijeve të vjetra është më e shtrenjtë dhe më e vështirë”, thotë ai.

Zoti Whittier thotë se mungesa e rritjes nuk po ngadalëson vetëm industrinë e mbrojtjes detare, por po dëmton edhe zinxhirin e furnizimit.

“Mijëra furnizues janë detyruar të mbyllin bizneset e tyre dhe ky është një rrezik real. Mora një njoftim nga njerëzit në kompaninë Electric Boat që prodhon nëndetëse, ku thuhet se ata kishin identifikuar rreth 350 furnizues kritikë, zëvendësimi i të cilëve do të ishte i vështirë në rast se ata mbyllen”, tha ai.

Lexo edhe :  Vladimir Putin pranon propozimin e Donald Trump për armëpushim 30-ditor në Ukrainë

Kompania Fairbanks Morse Defense është një nga furnizuesit më të mëdhenj të nëndetëseve amerikane dhe kompania e vetme që ofron motorët më të mëdhenj, që përdoren për luftëanijet amfibe të ushtrisë.

Çdo motor ka përmasat e një autobusi të vogël.

“Duhet të kemi dy furnizues motorësh. Por duke marrë parasysh se marina ndërton vetëm gjashtë anije në vit, është e vështirë madje të mbahet një furnizues motorësh”, thotë ai.

Ky problem ka nxitur Presidentin amerikan të marrë masa, duke shpallur këtë muaj hapjen e një zyre të re në Shtëpinë e Bardhë kushtuar tërësisht ndërtimit të anijeve.

“Ne kemi ndërtuar kaq shumë anije. Ne nuk prodhojmë shumë tani, por shumë shpejt do ta bëjmë këtë”, tha Presidenti Trump.

Kongresi pritet të rrisë buxhetin e ushtrisë për të eliminuar mangësitë e saj në ndërtimin e anijeve.

Ndërsa shumica e anijeve të prodhuara në Shtetet e Bashkuara janë për ushtrinë e saj, senatori Mark Kelly tha për Zërin e Amerikës se gjendja e industrisë amerikane të prodhimit të anijeve komerciale është edhe më e rëndë.

“Nga 10,000 anije që kishim gjatë Luftës së Dytë Botërore kemi rënë në 85 sot. Pra, në rast emergjence, në rast të një konflikti me një armik të afërt, ne jemi mjaft të kufizuar në marrjen e të gjitha masave për dërgimin e furnizimeve, pajisjeve dhe trupave përtej oqeanit”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara ndërtojnë rreth pesë anije tregtare në vit. Kina ndërton më shumë se 1000.

“Ata kanë një kantier detar, vetëm një kantier detar, që është më i madh se të gjitha kantieret tona së bashku. Ata mund t’i ndërtojnë ato shumë, shumë shpejt, dhe ne thjesht nuk e bëjmë më këtë.”

Senatori Kelly në dhjetor prezantoi projektligjin dypartiak të quajtur Akti i Anijeve për Amerikën. Projektligji synon të rrisë flotën e anijeve komerciale të Shteteve të Bashkuara me 250 anije në 10 vjet, gjë që do të rriste gjithashtu zinxhirin e furnizimit për anijet ushtarake.

“Shumë nga pjesët që përdoren për ndërtimin e një aeroplanmbajtëseje amerikane, disa përdoren edhe për ndërtimin e anijeve të mallrave.”

Udhëheqësit e industrisë së mbrojtjes thonë se mirëpresin përpjekjet për t’i dhënë përparësi ndërtimit të anijeve për t’i bërë konkurrencë Kinës dhe paralajmërojnë se mosveprimi do të vendoste Shtetet e Bashkuara edhe më mbrapa në të ardhmen.

Plani i fundit i marinës për ndërtimin e anijeve e rrit flotën e saj në 380 anije deri në vitin 2040, sërish shumë më pak se numri i anijeve të marinës kineze sot./ VOA

Të fundit

Arsyet pse duhet të hani me ngadalë

Për shkak të stilit tonë të shpejtë të jetesës, shumë njerëz harrojnë të shijojnë momentet e përditshme siç janë...

U fut në listat e mbyllura/Iris Luarasi: Më këshilluan të kem kujdes nga njerëzit e afërt

Pa dyshim që një nga emrat suprizë e listës të socialistëve për zgjedhjet e 11 Majit ishte pedagogia Iris Luarasi. Mbrëmjen e së mërkurës,...

Gjermani, arrihet marrëveshja historike për planin gjigant të shpenzimeve

Kancelari i ardhshëm konservator i Gjermanisë, Friedrich Merz ka arritur një marrëveshje me të Gjelbrit për një plan masiv shpenzimesh për të çliruar qindra...

Në çfarë rrethanash mund t’i hiqet karta e gjelbër një banori të përhershëm?

Arrestimi i aktivistit palestinez me statusin e banorit të hershëm në Shtetet e Bashkuara Mahmoud Khalil, i cili luajti një rol të spikatur në protestat...

Situatë emergjente në Firenze, kërkohet shtyrja e sfidës Fiorentina-Juventus

Dueli mes Fiorentinës dhe Juventusit, rrezikon të mos zhvillohet. Këto janë raportimet e fundit që vijnë nga Italia.   Shirat e rrëmbyeshëm që po godasin...

Lajme të tjera

Web TV